Ambasadorja e BE-së viziton Autoritetin e Dosjeve: Mbështesim misionin e tij për zbardhjen e të shkuarës komuniste

Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë Christiane Hohmann zhvilloi vizitën e saj të parë për këtë vit në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Vizita vjen disa ditë pas  emërimit të Gentiana Sulës, kryetare. Në këtë vizitë Ambasadorja Hohmann shoqërohej edhe nga Frédérique Hanotier, zyrtare përgjegjëse për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë, në delegacionin e BE-së Tiranë.

Delegacioni dhe kreu i saj  u prit nga kryetarja dhe  anëtarët e Autoritetit, ku u njohën nga afër me punën e institucionit, sfidat e tashme e të ardhme, dhe me hapësirat e reja ku zhvillon veprimtarinë Autoriteti.

Bashkëpunimi mes AIDSSH dhe BE në projektin 'Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit; të zhdukurit në komunizëm”, zbatuar me ICMP,  si dhe finalizimin e produkteve si udhërrëfyesi për  drejtën e  familjarëve në inicimin e praktikave për qartësimin e të fatit të familjarit të të zhdukurit, raportimin e lokacionit etj.' ishte në qendër të bisedimeve.

Në kuadër të kësaj vizite u diskutua edhe lidhur me përfundimet e Progres- Raport e BE-së për vitin 2021, për zbatimin e  të drejtave themelore në trajtimin e çështjes së personave të zhdukur në komunizëm në të cilin theksohet se “zgjidhja e rasteve ka mbetur e ulët pjesërisht për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burimeve dhe vullnetit politik për të krijuar një mekanizëm efikas të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përkatëse dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për këtë çështje.”.

Kryetarja informoi se në drejtim të kësaj çështje Autoriteti ka punuar dhe është në pritje të miratimit të një VKM-je e cila rregullon procedurat për identifikimin dhe rikuperimin e personave të zhdukur. Ky akt normativ është vendimtar dhe përcakton rolin e secilës palë në këtë proces, në lidhje me urdhrin e zhvarrosjes për zonat e dyshuara ku mund të gjenden mbetjet mortore të personave të zhdukur, apo të gjetur. Në këtë kuadër, Autoriteti po bashkëpunon me zyrën e OSBE-së,  BE-në dhe Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS) për ta shtyrë procesin përpara.

Hohmann u njoh nga afër me ekspozitën “Sigurimi në fjalët e veta”, çelur në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, e vendosur tashmë në ambientet e Autoritetit, në të cilën është shqyrtimi i historikëve të 19 degëve të ish-Sigurimit të Shtetit në vend, dokumente të prodhuara prej tij në vitet 1973-1980. Dokumentet e shqyrtuara paraqesin interes, sepse Sigurimi merr përsipër autorësinë e disa ngjarjeve, duke dhënë njëherësh këndvështrimin e vet mbi emrat e përfshirë të kundërshtarëve politikë.

Ekspozita, synon të nxisë më tej punën për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e të pagjeturve, duke sjellë rastet e evidentuara, duke pasur parasysh që - përmes emrave të ndryshëm, të njohur apo të panjohur, - të përmbledhë metodat terrorizuese të Sigurimit të Shtetit ndër vite, që ndihmojnë për të qartësuar fatin e këtyre personave.

Gjergj Marku, përfaqësues i shoqatave të të përndjekurve politik në Autoritet, e njohu ambasadoren me hartën e vendeve të ekzekutimit, si dhe  kërkesat e qindra familjarëve që janë në kërkim të të afërmeve të tyre të zhdukur.

Në total janë 203 kërkesa të regjistruar pranë Autoritetit që nga viti 2017- 2022, për qartësimin e fatit të të zhdukurve gjatë regjimit komunist. Ndërkohë Arqipeshkivia Shkodër e Kishës Katolike ka kërkuar bashkëpunimin për gjetjen e 38 katolikëve të dënuar dhe pushkatuar gjatë regjimit komunist. Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë në Shkodër, na ka vënë në dispozicion një listë me 353 të dënuar apo pushkatuar në qytetin e Shkodrës, si dhe vendet e ekzekutimit dhe të cilat dyshohen  si vendvarrime për  të dënuarve shpeshherë edhe pa gjyq, në Malësinë e Madhe, në Pukë, në Fushë Arrëz dhe Vau i Dejës. 

Vizita vijoi në arkivin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku delegacioni u njoh me proceset e punës, mënyrën e ruajtjes, tipologjinë e dosjeve, si dhe me dokumente konkrete.

Diskutimet mbi synimet e Autoritetit dhe  të ardhmen vijuan më tej në sallën e mbledhjeve, ku u bë një paraqitje të punës së institucionit gjatë mandatit të parë, sa i takon informimit të qytetarëve, studiuesve dhe mediave mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe krijimit të strukturës së posaçme për të zhdukurit në komunizëm.

Vëmendje e veçantë iu kushtua punës së bërë nga institucioni në bashkëpunim me partnerë, organizata dhe shoqata, mbi kampin e Tepelenës, atë të Maliqit, si dhe të zhdukurit. Theksi u vu tek vijimësia e projekteve të nisura, sa i takon vendeve të kujtesës, kërkimit shkencor dhe të zhdukurve në komunizëm. Mbledhja e dokumenteve arkivorë të ish-Sigurimit të Shtetit si dhe pasurimi i mëtejshëm dhe krijimi i një  infrastrukturë moderne në arkiv mbetet ende një sfidë për Autoritetin.

Në përfundim, kryetarja  dhe anëtarët e Autoritetit i kërkuan mbështetje  kreut të Delegacionit të BE-së për punën e Autoritetit. Kreu i Delegacionit të BE-së, Ambasadorja Christiane Hohmann, në fjalën e saj shprehu mbështetjen e për mandatin e Autoritetit dhe vlerësoi punën e deritanishme.

“Mbi të gjitha faleminderit për këtë vizitë dhe që më treguat të gjitha aspektet e Institucionit tuaj. Kjo për arsye se, ashtu siç e kisha kuptuar edhe vetë në fakt, ju jeni shtylla kurrizore e historisë moderne të Shqipërisë se nuk po flasim për një histori që ka ndodhur 200-300 vjet më parë, por për një histori që është e kohëve të fundit.  E gjithë puna që keni bërë është jashtëzakonisht e çmueshme për të tashmen dhe të ardhmen.  E gjithë kjo punë qe fokusohet në të shkuarën fare të afërt kontribuon në kujtesën kolektive të kombit. Prandaj mendoj  se ju duhet të jeni shumë krenarë”,– tha në fjalën e saj, kreu i Delegacionit të BE-së,

Ambasadorja Christiane Hohmann la këtë shënimin në librin  e përshtypjeve të Autoritetit: “Faleminderit për punën tuaj kaq thelbësore për të qartësuar memorien e e një kohe të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Evropa do të vazhdojë të mbështesë punën tuaj të admirueshme.”

Vullneti politik në angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore, prokurori, polici, mjekësi ligjore në procesin e rikuperimit dhe identifikimit e trupave, qasja e institucioneve, organizatave dhe shoqërisë, ndërveprimi mes tyre, po ashtu rritja e aksesit të qytetarëve, studiuesve dhe mediave në informim, është e rëndësishme të reflektohet edhe në synimet e trupës së re drejtuese, e cila ka përgjegjësinë e trajtimit të së shkuarës me profesionalizëm, integritet dhe duke vënë në qendër qytetarin.

Për Autoritetin, sfida e mandati i dytë kanë të bëjnë me kthimin e tij në institucion kujtese, që përveçse zbërthen makinerinë e shtypjes, sjell edhe zërin e qëndrimin e viktimës, duke krijuar kuadrin e plotë historik të diktaturës. Njëherësh, kthimi një qendër e vizitueshme, me mundësi leximi e njohjeje me dokumentacionin, po ashtu, një instrument që ndihmon për zbërthimin e së shkuarës dhe hetimin e fatit të viktimave të pagjetura.

Mbi të gjitha faleminderit për këtë vizitë dhe që më treguat të gjitha aspektet e Institucionit tuaj. Kjo për arsye se ashtu siç e kisha kuptuar edhe vetë në fakt ju jeni zemra e ndërtimit të ndërgjegjes së historisë së kaluar të Shqipërisë, historisë moderne të Shqipërisë se nuk po flasim për një histori që ka ndodhur 200-300 vjet më parë,por për një histori që është e kohëve të fundit.

Askush nuk mund t’i  nënvleftësoj vlerat tuaja. Shpresoj që ju të jeni krenarë që punoni këtu. Nuk është e lehtë e di, por kjo është edhe arsyeja që BE ju mbështet ju, ashtu siç ju kemi mbështetur në vite. Nuk mund të lejojmë që kjo pjesë e historisë të kalojë pa u njohur, sepse ajo është pjesë e memories sonë.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb