ITALI - Aktivisti ambientalist nga Italia është nderuar me Çmimin Ndërkombëtar për ambientin, për rolin e tij të rëndësishëm në fushatat sensibilizuese të mbetjeve.

Aktivisti Rossano Ercolini fitoi “Goldman Environmental Prize” për nismën mjedisore, që synon të motivojë komunitetin dhe individët, që të jetojnë në një mjedis sa më të pastër dhe të mos dëmtojnë natyrën.

Mësuesi i shkollës fillore Rossano Ercolini nisi që prej vitit 1976 fushatën e tij kundër ndërtimit të furrave të djegjes së mbeturinave dhe ka dhënë një kontribut të vyer në riciklimin e mbeturinave edhe në kohën e krizës së mbeturinave në Napoli.

Sot, ai është një anëtar i Aleancës Ndërkombëtare “Mbeturina Zero” ku shumë prej projekteve të tij ekologjike janë zbatuar në shumë qytete të Italisë dhe të Evropës.

Aktivisti ambientalist thekson se një mjedis i qëndrueshëm dhe me më pak mbeturina është fillimi i një jete të shëndoshë.

Gjithashtu, me këtë çmim ndërkombëtar të quajtur ndryshe si Oskar për lëvizjen ambientaliste janë nderuar edhe aktivistë të tjerë nga Afrika e Jugut, Iraku, Indonesia, SHBA-ja dhe Kolumbia, të cilët kanë përcjellë tek njerëzit përpjekjet e tyre për ti motivuar që të jetojnë në një mjedis sa më të pastër.

(ad.ti/l.ç/shqiptarja.com)