Në spital duhet ta dërgojë të sëmurin sa më shpejt të jetë e mundur, por sic shikohet edhe nga pamjet, ambulanca ka ngecur mes trafikut. Korsia e dedikuar për levizjen e saj është e bllokuar nga automjetet e tjera.

Rruga “Dritan Hoxha” dhe ajo e Durrësit, janë të vetmet në kryeqytet që kanë një korsi emergjence. Por, ambulanca e ka të vështirë për të kaluar, pasi drejtues të papërgjegjshëm e përdorin atë për të lëvizur gjithashtu.

 “Ka kamera në çdo vend, kamera në sallën operative, të cilët konstatohen, u dërgohen shërbimeve të Policisë Rrugore dhe verbalizohen shkelja dhe të vjen në shtëpi”, deklaron shefi i Sigurisë Rrugore, Skënder Ismaili.

Gjendja është më alarmante brenda Tiranës. Për shefin e Sigurisë Rrugore, Skënder Ismaili, zgjidhjen për të liruar rrugën e emergjencave e shikon vetëm tek ndërgjegjja njerëzore

 “Nuk janë të ndërgjegjshëm në shkallën e duhur në këtë drejtim. Duhet t’u krijojnë kushtet vetë qytetarët”, vijon Ismaili.

Në rrugë të Elbasanit, misioni i ambulancës është akoma më i vështirë. Mungesa e korsisë së dedikuar dhe radhët e gjata të mjeteve, bëjnë që ajo të ngec shpesh-herë në trafik. Por, shkelës në rrugë janë edhe vetë drejtuesit e ambulancave.

“Ne kemi pasur edhe disa raste të tjera që mjetet e emergjencave, sidomos ambulancat, janë përfshirë në ngjarje rrugore. U nënshtrohen masave si çdo përdorues rruge”, përfundon shefi i Sigurisë Rrugore, Skënder Ismaili.

Pak ditë më parë, si pasojë e një parakalimi të gabuar të një ambulance, u përplas me një mjet. Si pasojë një grua mbeti e vdekur dhe tre të tjerë u plagosën rëndë. Pavarësisht kësaj ngjarje fakti është se Tiranë nuk ka rrugë për emergjencat.