Amerika nuk mjafton

Amerika nuk mjafton

Talibanët marrin pushtetin

Drama afgane është dëshmia më e qartë se Amerika nuk mjafton. Më shumë se 20 vjet përpjekje amerikane dhe perëndimore për të ndërtuar një shtet funksional dështuan. Shteti dhe forcat e sigurisë u tretën me shpejtësi më të madhe se shpejtësia e avancimit të talebanëve. Në mungesë të amerikanëve demokracia në Afganistan u provua një iluzion. Institucionet si zgjedhjet, Presidenti, parlamenti, guvernatorët lokalë etj ishin një butafori pa asnjë thelb. Të korruptuar rëndë dhe të shkëputur nga shoqëria këto institucione ishin thjeshtë letër. Përfundimi? Njerëzit ikin nga sytë këmbët. Bota në skenën e dekoruar me butafori instituonesh vështron dramën e një populli që mburret se është varri i perandorive, por është po aq dhe i vetvetes.

Shembulli afgan nuk është i vetmi. Historia na ka dhënë dhe shembuj të tjerë se si institucionet bien kur nuk kanë lidhjen me popullin. Nuk funksionojnë kur korruptohen dhe shërbejnë vetëm për zotat e pushtetit dhe jo për popullin. Institucionet bien dhe kur populli nuk merr fatin e vet në dorë, por rend drejt aeroporteve, drejt kufirit ose më keq, kur populli rreshtohet në tifozeritë e zotave që luajnë teater institucionesh demokratike si fëmijët që luajnë shtëpiash.

Debati mbi emigrantët afgan nga njerëzit e thjeshtë që janë shpesh edhe vetë emigrantë, është një shëmti. Por, po aq shëmti është dhe mburrja e politikanëve që marrin pozën e faktorit të rëndësishëm për aleatët. Të dyja palët, njerëzit e thjeshtë dhe politikanët, harrojnë se ne kemi dramën tonë afgane. Ne jemi Afganistan për vete.
Në 30 vjet ne kemi të njëjtat dështime me institucionet. Në 30 vjet shqiptarët vazhdojnë të rendin drejt aeroporteve dhe kufijve, njësoj si afganët. Në 30 vjet, shqiptarët rreshtohen si tifozë pas lidershipit, pas zotave të partive tona. Zgjedhjet e korruptuara, institucionet e korruptuara, drejtësia e korruptuar ndodh nga korruptimi politik. Prej monopolizinit të pushtetit politik, fillimisht në partitë politike dhe mandej në qeveri. Politika e korruptuar prej kohësh i shërben vetëm vetes.

Por, njesoj si në Afganistan, drama jonë ndodh edhe nga raporti oportunist i qytetarit me zotat e lojës politike që i përkëdhelim duke i quajtur “lider”. Jemi ne, brenda apo jashtë partive politike që ua dorëzojmë lehtësisht dhe me gëzim vullnetin tonë politik “liderëve” partiak. Jemi në që votojmë kriminelë. Jemi ne që votojmë dhe rivotojmë politikanë të korruptuar. Jemi ne që përdorim dy standarte. Tjetër për vete dhe tjetër për kundërshtarin. Jemi po ne që, edhe kur jetojmë jashtë prej dekadash, vazhdojmë të grindemi në rrjete sociale për zotat tanë politik. Mekanizmi, fjalori i grindjes dhe përjashtimit në demokraci është i njëjte me atë të komunizmit. Jemi ne, politikanë dhe njerëz të thjeshtë, që e kemi pasi kemi dorëzuar vullnetin politik tek kryetarët zota të partive, e mbajmë pastaj shpresën tek të huajt. Zotat politik presin raportet dhe deklaratat e ndërkombëtarëve si karburant politik. Njerëzit e thjeshtë, për të justifikuar oportunizmin vrasës, presin drejtësinë të na e bëjnë amerikanët. Ekonominë të na e rregullojnë europianët. Qeveria nxiton të pompojë në media si “urbi et orbi”, ndërkombëtarët cdo gjysëm fraze që justifikon veprimet e saj. Opozita ankohet për amerikanët që mbajnë në pushtet Ramen.
Afganistani është prova tragjike që nuk të mbajnë dhe as të sjellin në pushtet dot amerikanët. Lirinë, demokracinë dhe drejtësinë nuk na e mbrojnë dot amerikanët. Është prova që institucionet demokratike janë reale vetëm kur përfshihet njeriu i thjeshtë. Ato funksionojnë kur ne besojmë tek liria jonë individuale. Kur qytetari, biznesi, media, shoqëria civile nuk rreshtohet tek tifozët dhe fanatikët. Kur mendimi nuk arratiset prej korrupsionit këtu për të gjetur konkurencën gjetkë.

Afganistani është mësimi që duhet të nxjerrim për vete. Qytetarë të thjeshtë apo individë të angazhuar, t’i japim fund mbështetjes për “lider” të korruptuar. Të mos e zbusim këtë gjykim nga që mund të jetë “lideri” jonë. Të mos presim nga të huajt, qofshin dhe amerikanët, për të kundërshtuar zgjedhjet e blera, edhe kur kanë sjellë në pushtet “liderin”, kandidatin tonë. Të mbrojmë demokracinë brenda partive tona. Të mos shkojmë symbyllur nga një palë zgjedhje në tjetrën. Të mos presim nga të tjerët. Ndihma nuk mjafton. Amerika nuk mjafton.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rëzimi i avionit, Azerbajxhani shpall 26 dhjetorin ditë zie kombëtare

Rëzimi i avionit, Azerbajxhani shpall 26 dhjetorin ditë zie kombëtare