Amerikanët i heqin 'vizën' Metës njëlloj si Berishës?! Reeker nuk e takoi

Amerikanët i heqin 'vizën' Metës njëlloj si Berishës?! Reeker nuk e takoi

Presidenti Ilir Meta dhe Sali Berisha

Ndihmës- Sekretari i Amerikan Shtetit për çështjet Europiane e euroaziatike, Philip Reeker ka zhvilluar një vizitë të shkurtër në Tiranë, një vizitë e paralajmëruar kjo ditë më parë. Reeker është takuar në fillim me kryeministrin Edi Rama, teksa ka qënë i shoqëruar nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Takimi mes Reeker dhe Ramës ka zgjatur pak më shumë se 1 orë, dhe nuk është bërë asnjë deklaratë për mediat, duke qëndruar në konturet e një takimi pune dhe pa qëndrim zyrtar.

Por mësohet se fokusi i bisedimeve ka qenë marrëdhënia e ndërsjellë SHBA-Shqipëri dhe bashkëpunimi i mëtejshëm i dy vendeve. Po ashtu, Rama dhe Reeker kanë folur edhe në lidhje me stërvitjen e përbashkët ushtarake “Defender21”. Pasi ka lënë kryeministrinë, përfaqësuesi i lartë i qeverisë amerikane ka shkuar në selinë blu ku ka është takuar edhe me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha. I cili ka “sakrifikuar” pushimet në shtëpinë e tij në Holandë, për të qënë në dizpozicion të një bisede me Reeker. Më pas Ndihmës sekretari amerikan i shtetit u takua edhe me ministren për Europën e Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Pas takimeve me zyrtarët shqiptarë, Reeker udhëton drejt Ohrit për t’u takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Reeker do të marrë pjesë në forumin e Ohrit ku do jenë prezente dhe kryeministri Rama e ministrja Xhaçka Pra, në këtë vizitë të shkurtër zyrtari i lartë i qeverisë amerikane ka takuar numrin një të qeverisë, shefen e diplomacisë shqiptare si dhe kreun e PD. Asnjë takim tjetër Reeker nuk ka përfshirë në axhendën e bërë publike shumë ditë më parë, ndonëse kishte versione të ndryshme se “gama” e takimeve mund të ishte më e zgjeruar. Por ajo që ka rënë në sy ka qënë fakti se Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit nuk ka harxhuar asnjë sekondë kohë për t’u takuar me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Deri kohë më parë të gjithë zyrtarët e lartë amerikanë që kanë ardhur në Shqipëri i kanë rezervuar minuta takimi dhe kreut të shtetit Ilir Meta. Ndërkohë që tani i shmangen të gjithë duke dhënë sinjale të qarta se qeveria amerikane nuk e sheh si partner apo faktor relevant për zhvillimet në Shqipëri në këtë situatë të rëndësishme integrimi në BE dhe rritjes së rolit të Shqipërisë në NATO dhe në arenën ndërkombëtare, tashmë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB. Me sa duket gjuha e ashpër e Ilir Metës ndaj partnerëve ndërkombëtarë veçanërisht SHBA-së, duke arritur deri atje sa të deklarojë se “amerikanët i kap për veshi”, apo se “SHBA mund ta qëllojë me raketa në Malin me Gropa, por raketa ka dhe Rusia”, ka ndikuar fort në qëndrimin amerikan se Ilir Meta nuk është një partner i besueshëm në Shqipëri.

Për më tepër që në media shqiptare është folur shumë se pas Sali Berishës që u shpall person “non grata” bashkë me familjen nga SHBA, radhën e ka Ilir Meta dhe familja e tij, shmangia e takimeve nga zyrtarët e lartë amerikanë me Presidentin u jep jetë këtyre zërave duke treguar qartë se është vetëm çështje kohe një vendim i tillë i DASH. Nuk dimë se si do ta përcjellë Presidenti i Republikës këtë injorim të zyrtarëve më të lartë amerikanë gjatë gjithë vizitave të tyre në Shqipëri, shmangia e sotme është flagrante, por e vërteta është se të gjitha deklaratat e Metës se me SHBA nuk ka asgjë dhe është një proamerikan i thekur por nuk honeps dot ambasadorët e njëpanjëshëm të SHBA në Tiranë, rezultojnë thjeshtë një përpjekje për të mbajtur veten me gajret në këtë situatë të vështirë për të.

Ndoshta partnerët tanë e shohin si një ish president, përderisa tashmë Kuvendi ka marrë vendim me 104 vota dhe e shkarkoi dhe faktet në Gjykatën Kushtetuese janë të atilla sa dhe nëse aktivizohet gjithë qëllimi i mirë i anëtarëve të saj nuk e shpëtojnë nga largimi nga posti! Injorimi i Metës nga ana e zyrtarëve më të lartë amerikane na kujton një kohë jo fort të largët, atë të vitit 1997, kur presidentin e asaj kohe Sali Berisha askush nuk e takonte, duke e parë si strumbullarin e gjithë krizës politike dhe rënies së shtetit në Shqipëri.

Me sa duket e njëjta situatë po i rezervohet dhe Ilir Metës, i cili ashtu sikurse Berisha bëri thirrje që populli të armatosej, me sfurqe dhe kosore për të sulmuar përfaqësuesit e mazhorancës në rastin hipotetik të manipulimit të votës. Thirrje që doli në heshtjen zgjedhore të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, dhe kur Meta deklaroi se nëse fiton Rama do të marrë drejtimin e opozitës për ta përmbysur qeverisjen e re. Berisha më 1997 kishte pushtetin dhe hapi depot e armatosi militantët e tij për t’i dërguar në Jug që të luftonin “rebelët”. Të gjithë e dinë rezultatin: vrasjen e mbi 3 mijë njerëzve e shkatërrimin e shtetit nga themelet.

Meta bëri thirrje, por përpos disa grupe të fortësh nën siglën e PD të cilët vranë një mjek në Elbasan, disa ditë para zgjedhjeve, asnjë nuk e dëgjoi për fatin e mirë të shqiptarëve. Ndërkohë që partnerët tanë ndërkombëtarë me sa duket kanë “folur” me shmangien e Metës. Të presim si do ta justifikojë Meta këtë injorim që iu bë nga Reeker, pasi është Presidenti i Republikës dhe zyrtarisht përfaqësuesi më i lartë i shqiptarëve dhe jo një individ e as kryetar i një partie të vogël.

Që tenton ta “zhurmojë” kjo u pa dhe në akuzën që “Aleanca për Teatrin” lëshoi sot teksa tha se ambasadori i BE Luigi Soreca në 16 qershor ka hyrë dhe ka dalë fshehurazi nga Gykata Kushtetuese. Përfaqësuesja e saj tha se ambasadori po lobon në Kushtetuese në favor të mazhorancës për çështjen e Teatrit Kombëtar, një “kalë betejë” ky për Ilir Metën, i cili e ka dërguar këtë çështje në institucionin më të lartë të gjyqësorit. Rreth takimit, Aleanca pretendon se si provë kishte informacionet e disa anëtarëve të saj që punonin në dyqanet pranë Kushtetuese dhe që e kishin parë Sorecan.

Ndërsa mbështetësit e LSI dhe të Metës kanë shpërthyer në akuza ndaj ambasadorit të BE, ku si për koncidencë në Kushtetuese është dhe shkarkimi i Metës, pas opinionit të Venecias! Gjërat janë të lidhura dhe Meta injorimin e SHBA me sa duket ka dashur ta “zhurmojë” me sulmin ndaj ambasadorit të BE se po ndikon mbi gjyqësorin!

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori