AMF organizon tryezë diskutimi për zhvillimin e tregjeve të kapitalit

AMF organizon tryezë diskutimi për zhvillimin e tregjeve të kapitalit

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi një tryezë diskutimi “Mbi zhvillimin e tregjeve të kapitalit”, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të Dokumentit të Politikave “Për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”. Të pranishëm në këtë tryezë ishin Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF, Ervin Mete, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Guvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, drejtues të bankave tregtare, fondeve të investimeve, Bursës, si edhe aktorë të tjerë të tregjeve të kapitalit.   

Në fjalën e mbajtur, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u ndal te rëndësia e zhvillimit të tregjeve të kapitalit si burim potencial ende i pashfrytëzuar për diversifikimin e alternativave të investimit, si edhe të mundësive të financimit. Mete u shpreh se Dokumenti i Politikave është një strategji për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, me objektiva konkretë, i cili kërkon ndërveprimin e të gjithë aktorëve me rol kyç, si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Banka e Shqipërisë, si edhe operatorët e tregut.

Objektivat kryesorë strategjikë të dokumentit janë: rritja e pjesëmarrjes së emetuesve, listimi i kompanive me kapital shtetëror, zgjerimi i bazës së investitorit dhe zgjerimi i gamës së instrumenteve financiare, siç janë instrumentet e gjelbra (green), eficienca dhe transparenca e tregut të kapitaleve, si edhe zhvillimi i tregut sekondar të Titujve. Dokumenti analizon situatën e tregut të kapitaleve në Shqipëri dhe infrastrukturën e tij, duke propozuar ndërmarrjen e planeve konkrete të veprimit për zhvillimin e tregut të kapitaleve përgjatë një periudhe 5-vjeçare.

Ligjet e reja për tregjet e kapitalit dhe sipërmarrjet e investimeve kolektive, të cilat harmonizojnë legjislacionin tonë me atë të Bashkimit Evropian, kanë përmirësuar ndjeshëm kuadrin e nevojshëm ligjor, plotësuar tashmë me të gjitha aktet e nevojshme nënligjore. Kuadri ligjor, në linjë me Direktivat Evropiane, si edhe plotësimi tërësor i infrastrukturës së tregtimit dhe pastregtimit, kanë krijuar të gjitha kushtet për zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve të kapitalit. Ligjet e reja kanë zgjeruar alternativat e investimit, mundësitë e ndërlidhjes me tregjet globale, si edhe ofrimin e një game të gjerë të instrumenteve financiare - theksoi Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv.

Miratimi i ofertës së parë publike është një moment shumë i rëndësishëm për tregun shqiptar të kapitalit, i cili duhet të shërbejë si një sinjal për zhvillimin e mëtejshëm të këtij tregu. Kjo është hera e parë që titujt e një shoqërie i ofrohen publikut të gjerë, duke shtuar kështu alternativat e investimit për investitorin shqiptar, si edhe mundësitë për sigurimin e aksesit në kapital për biznesin vendas – u shpreh Mete.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv foli për ecurinë e fondeve të investimit, të cilat pas rënies së vlerës së aseteve, si pasojë e efekteve të tregjeve ndërkombëtare dhe rritjes së normave të interesit në vitin 2022, i janë rikthyer rritjes në 3-mujorin e parë të vitit 2023. Ai theksoi se nga monitorimi i treguesve të likuiditetit, ashtu siç u theksua edhe në raportin e fundit të FMN, rezultoi se të gjitha fondet kanë qënë në përputhje më kërkesat rregullative, si edhe në asnjë rast nuk u cënua stabiliteti financiar.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët