Buxheti i ri i shtetit është në vlerën 10 miliardë euro ose më saktë 976 miliardë lekë. Një në tre lekë do të shkojë për mbrojtjen sociale, por në fokus do të jetë edhe infrastruktura dhe mbrojtja.
Zëvendësministri i Financave Endrit Yzeiraj në një intervistë në emisionin ‘Portofol’ në Report Tv përmbledh sektorët që do të marrin më shumë financim nga viti i ardhshëm.
“10 miliardë eurot shkojnë në një pjesë më të madhe në programet sociale të vendit që janë një sërë programesh të cilat janë prezantuar. Pra janë programe për sa i përket rritjes së bonus të pensioneve, rritjen e bonusit për bebet e porsalindura, por tashmë deri në moshën pesë vjeç. Rritjen e mbështetjes qoftë për individët me aftësi të kufizuara, qoftë për kujdestarët e tyre. Rrit mbështetjen për sektorin e arsimit, sidomos për bursat, për studentët në nevojë. Pra, të gjithë këto programe sociale janë përfituesit kryesorë të këtij buxheti të shtuar”, thotë Yzeiraj.
Zëvendësministri sqaron se edhe mbrojtja tashmë është kthyer në një shtyllë kryesore të buxhetit, sidomos pas luftës në Ukrainë. Ministria e Mbrojtjes do të ketë në dispozicion vitin e ardhshëm 76.6 miliardë lekë me fokus tek armatimet dhe investimet në kuadër të NATO-s.
“Mbrojtja tashmë është një fushë që nuk mund të lihet më buxhetin e limituar. Ne për shkak të angazhimit dhe pjesëmarrjes tonë në aleancën e NATO-s duhet tashmë të arrijmë ato nivele, të cilat po rriten me kalimin e kohës në aleancë dhe janë objektiva që në një farë mënyre i kërkon kjo kohë. Pra koha e paqtë e 35 viteve të fundit e post viteve 90’, i ka ardhur fundi dhe aleanca perëndimore duhet të jetë e përgatitur dhe e armatosur ë në rast të çdo lloj eventualiteti”, thotë zëvendësministri.
Në buxhetin e miratuar janë ndarë edhe 24 miliardë lekë për bonusin e pensioneve dhe indeksimin që pritet të ndodhë në prill. Por pse qeveria jep bonus dhe nuk rrit direkt pensionet?
“Problemi ynë është rënia e lindshmërisë, qoftë për shkak të faktit që tashmë kemi gjithmonë e më shumë në pension, por edhe një forcë pune e cila ka punuar gjatë viteve 90, viteve 2000, vite ku informaliteti ka qenë i lartë kontributi në skemë është i limituar dhe me aq kontribute sa janë mbledhur ose sa mblidhen nuk paguhen dot pensionet dinjitoze”, thotë Yzeiraj.
Por skema e pensioneve do të zgjasë deri në 2029-ën, më tej ende nuk ka një vendim se çfarë do të ndodhë me pensionistët. Zëvendësministri thotë se në kuadër edhe të reformës së re fokusi do të jetë tek kolonat e tjera të skemës që shkojnë drejt pensioneve private.
“Ne duam që të zhvillojmë gjithmonë më shumë kolonën e dytë dhe kolonën e tretë të pensioneve. Pra investimet në fondet private të pensioneve. Kjo është e vetmja zgjidhje afatgjatë që po bën jo vetëm Shqipëria, por të gjitha vendet e tjera evropiane pavarësisht stadit të tyre të zhvillimit”, thotë Yzeiraj.
Në 2027-ën bonuset e këtij viti do të dyfishohen. Pensionet urbane të plota me vlerë deri 40 mijë lekë do të marrin 3600 lekë në muaj. Pensionet urbane të pjesshme me vlerë deri 22 mijë lekë do të marrin 1600 lekë, pensionet rurale me vlerë deri 18 mijë lekë në muaj përfitojnë bonus 2000 lekë, gjithashtu dyfish do marrin edhe pensionet familjare (1400) dhe ato të invaliditetit (1200 lekë). kush kalon tavanet nuk përfiton, madje një qytetar që ka pensionin 36 mijë lekë nuk do ta marrë të plotë bonusin që të mos kalojë 40 mijë lekëshin.








Komente
Komento