ATHINE- Amnisty International kritikon ashpër Greqinë për mosrespektimin e të drejtave të emigrantëve ekonomikë dhe azilkërkuesve.  Amnisty nënvizon me forcë se gjëndja në Greqi ka filluar të marrë “përmasat e një krize të thellë humane”!

Përfaqësuesit e Amnesty International në Greqi kanë konstatuar në kampet e mbajtjes e të grumbullimit të emigrantëve kushtet të barabarta me “një trajtim çnjerëzor dhe poshtërues”. Theksohet fakti i shtimit të sulmeve dhe agresioneve raciste, kundrejt emigrantëve që jetojnë në Greqi, por edhe për faktin se qeveria greke nuk ka marrë asnjë masë për të parandaluar këtë fenomen kaq të rrezikshëm dhe me pasoja të rënda jo vetëm politike, por edhe humane.

“Nën trysninë e madhe të emigracionit, krizën e thellë ekonomike dhe shtimin e ksenofobisë, Greqia vërtetohet se është e pazonja dhe me një mungesë dëshire, që t’u ofrojë kushtet më minimale të sigurisë, por edhe të strehimit, mijëra azilkërkuesve, por edhe emigrantëve, të cilët hyjnë në territorin e saj çdo vit.”- nënvizon Xhon Dalhuizen, drejtor i programit të Amnesty International për Europën dhe Azinë Qendrore.

Raporti për Greqinë ka titullin “Fundi i rrugës për refugjatët, azilkërkuesit dhe emigrantët” dhe regjistron pengesat me të cilat ndeshen emigrantët gjatë hyrjes por dhe qëndrimit në Greqi.

Njëra nga vështirësitë, sikundër theksohet edhe në raport është vonesa e madhe dhe e pajustifikuar në regjistrimin e kërkesave për strehim politik, nga shërbimi i Dretorisë së Emigracionit.

Në raport përshkruhen vështirësitë, por edhe kushtet cnjerëzore, me të cilat përballen emigrantët, azilkërkuesit në shërbimet publike greke, mënyra e trajtimit.
Këto kushte kanë bërë që një numër i madh emigrantësh dhe fëmijësh të mitur, që kanë hyrë në Greqi të pashoqëruar të ngelen të pastrehë.

E njëjta gjendje duket se mbizotëron edhe në Qendrat (aq të reklamuara nga qeveria greke) e grumbullimit dhe të mbajtjes së emigrantëve të paligjshëm, të cilët do të deportohen.
Redaksia online
(as/sg/shqiptarja.com)