REPORT TV zbuloi pak ditë më parë draftin e miratuar nga Ministria e Drejtësisë ku parashikohet se rreth 600 të dënuar sipas kategorive të parashikuara në ligj, do të përfitojnë nga amnistia për shkak të mbipopullimit dhe festave të fundvitit. Por për t’u miratuar drafti kërkohen 84 vota, ndërkohë që shumica nuk i ka, pasi i duhen edhe 8 vota për të bërë 2/3. Në kushtet që opozita vijon bojkotin, nëse PD dhe LSI nuk do të rikthehen në Kuvend ose nëse nuk do të ketë rrjedhje atëherë nisma dështon. Ish-ministri i Drejtësisë nga LSI në qeverinë ‘Rama 1’, Ylli Manjani  reagon përmes një postimi në Facebook duke e cilësuar si lojë të pisët të qeverisë për të joshur opozitën që të thyejë bojkotin.

"Qeveria ka përgatitur një amnisti për disa të dënuar. Por nuk i ka 84 vota në Kuvend për ta kaluar. Në këto kushte amnistia e propozuar nuk motivohet nga humanizmi, por thjesht nga loja politike. Qeveria kërkon të joshë opozitën të braktisë bojkotin parlamentar. Të fshijë nga axhenda politike e saj kërkesat për dekriminalizim të politikës; garantimin e zgjedhjeve të ndershme dhe drejtësinë e çliruar nga qeveria.

Kushtetuta për aminstinë

Në rastin më të mirë për qeverinë, një përçarje e mundshme e opozitës do ishte rezultati më i preferuar. Pra një pjesë e deputetëve të paraqiten për të votuar amnistinë, në emër të humanizmit, është qëllimi i preferuar i qeverisë. A do ndodhë kjo gjë? Të shohim! Por shenjat nuk më duken të mira... Për një gjë jam i bindur: kush i jep oksigjen politik këtij modeli që sundon sot është anti-humanist e anti-demokraci” shkruan ai.

Drafti i është dërguar për mendim Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme. Më pas do të jetë qeveria ajo që do të vendosë, përpara se projektligji të kalojë për miratim në Kuvend i cili në seancën e fundit të dhjetorit duhet të votojë ligjin, por nëse opozita nuk do të jetë në sallë nisma dështon (lexo këtu).