Si fillim, kam një detyrim qytetar, por edhe profesional, të them publikisht atë që kam thënë disa herë privatisht.

Në debatin publik mbi drejtësinë, Ylli Manjanit duhet t’i njihet një meritë e pakundërshtueshme.

Në një kohë kur rreth sistemit të drejtësisë mbizotëronte një heshtje varri; kur institucionet heshtnin, juristët shmangeshin dhe kur edhe unë vetë, për shkak të detyrës dhe angazhimit tim politik, flisja institucionalisht, por jo publikisht, Ylli Manjani ishte thuajse i vetmi zë profesional që thoshte disa të vërteta, mbi gjendjen e drejtësisë shqiptare.

Herë me teprime, herë me zemërim dhe ndonjëherë me një gjuhë të fortë, por pothuajse gjithmonë duke artikuluar të vërteta të thjeshta. Të vërteta që vinin në siklet besoj, çdo jurist që i lexonte, i njihte si të tilla, por nuk gjente kurajën ose mundësinë për t’i thënë publikisht.

Sot situata është ndryshe. Drejtësia diskutohet më hapur, abuzimet e saj nuk kalojnë lehtësisht në heshtje dhe gjithnjë e më shumë juristë, gazetarë e qytetarë po kuptojnë se mbrojtja e reformës nuk mund të nënkuptojë heshtje përballë deformimeve të sistemit. Besoj se në këtë ndryshim ka rol qëndrueshmëria e Ylli Manjanit si zë publik, së bashku me kurajën dhe integritetin profesional të disa gazetarëve.

Pikërisht se ia njoh këtë meritë, mendoj se qëndrimit të fundit të Manjanit për rastin “Dado” i duhet një “mendim paralel”. Jo sepse argumenti i tij është i gabuar. Përkundrazi, ai qëndron plotësisht kur diskutojmë se çfarë e bën një magjistrat të mire.

Në analizën e tij, Ylli Manjani ngre disa çështje me të cilat është e vështirë të mos biesh dakord. Një diplomë, në vetvete, nuk e bën askënd prokuror të mirë. Prokurorin e mirë e bëjnë integriteti, profesionalizmi, paanshmëria, etika dhe mënyra se si ai ushtron pushtetin që i ka dhënë ligji.

Por ky arsyetim, i drejtë në planin etik dhe profesional për çdo magjistrat, kalon tangent problemit themelor që ngre rasti “Dado”. Pyetja në këtë rast nuk është nëse Ols Dado është sjellë mirë, me integritet dhe ashtu siç duhet të sillet çdo prokuror në Republikën e Shqipërisë — çka, sigurisht, në këndvështrimin e mbrojtjes së Erion Veliajt, nuk ka ndodhur. Pyetja është: A është apo jo prokuror Ols Dado?

Diploma e Shkollës së Magjistraturës mund të mos jetë kusht absolut për fitimin e statusit të prokurorit, sepse ligji mund të parashikojë mënyra dhe kritere të posaçme për hyrjen në sistem.

Prandaj, fakti që edhe prokurorë të tjerë të SPAK-ut nuk kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës nuk jep, në vetvete, asnjë përgjigje për ligjshmërinë e emërimit të Ols Dados. Secili prej tyre mund të ketë hyrë në sistem duke plotësuar kriteret e tjera që parashikonte ligji në fuqi në momentin e emërimit.

Këtu qëndron thelbi i thjeshtë i çështjes “Dado”: A i plotësonte Ols Dado, në momentin e emërimit, kriteret ligjore të detyrueshme për kandidatin që nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës?

Nëse po, këtë duhet ta thoshte dhe ta argumentonte Gjykata Administrative, e cila iu shmang shqyrtimit të kësaj pyetjeje. Nëse jo, atëherë nuk kemi përpara një prokuror të njëanshëm apo me integritet të diskutueshëm, por nuk kemi para një prokuror fare. Dhe kjo e çon problemin përtej çështjes së integritetit individual.

Madje, në këtë pikë, problemi kryesore nuk është më Ols Dado. Ai aplikoi, u propozua, u emërua dhe arriti të kalonte filtrat e sistemit.

Problemi i vërtetë është sistemi që e lejoi emërimin: Prokurori i Përgjithshëm që e propozoi; Presidenti i Republikës që e emëroi; eprorët që janë vënë në dijeni; organet e qeverisjes dhe të inspektimit të drejtësisë që e njohin çështjen; si dhe Kuvendi i Shqipërisë, i cili është tashmë i informuar.

Forcën e një shteti të së drejtës e provon aftësia për të zbuluar, pranuar dhe korrigjuar gabimin e tij, duke rivendosur ligjshmërinë.

Sot, sistemi jo vetëm që nuk po tregon aftësi vetërregullimi, vetëkorrigjimi dhe vetëshërimi, por, përkundrazi, duket sikur ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e tij për të mbrojtur paligjshmërinë: përmes shmangies së shqyrtimit në themel dhe sofizmave juridike që nuk do t’i rezistonin as kritikës së një studenti të vitit të dytë të drejtësisë.

Prandaj rasti “Dado”, nuk mund të reduktohet te karakteri, sjellja apo integriteti personal i një magjistrati. Ky rast tashmë po ekspozon integritetin e të gjithë sistemit. Sepse një sistem që vihet në mbrojtje të paligjshmërisë ushqen dhe institucionalizon mungesën e integritetit.

Kështu që përpara se të pyesim se çfarë prokurori kemi, duhet të marrim përgjigje a kemi apo jo prokuror.

E nëse institucionet nuk janë në gjendje t’i përgjigjen hapur kësaj pyetjeje dhe përpiqen ta shmangin atë, duke mbrojtur me çdo kusht rezultatin e një procedure krejtësisht të paligjshme, atëherë pyetja që mbetet për tu bërë është:

Çfarë shteti po ndërtojmë?

*Shkruar nga Plarent Ndreca, avokati mbrojtës i kryebashkiakut Erion Veliaj