TIRANË - Presidenti Bujar Nishani me rastin e 5 vjetorit të anëtarësimit në NATO të Shqipërisë, i ka dërguar në letër falenderimi Presidentit të SHBA-së, Barack Obama, si dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
 
Presidenti, njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në letrën e dërguar për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama shprehet:
 
“I dashur zoti President,
 
Me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën më të fuqishme politike dhe ushtarake të botës, dëshiroj që edhe në emër të popullit shqiptar t’Ju shpreh mirënjohjen e pakufishme për mbështetjen e palëkundur dhe besimin e madh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë dhe vazhdojnë të tregojnë ndaj vendit tim.
 
Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara jo vetëm gëzojnë një partneritet të pathyeshëm e të veçantë bazuar mbi marrëdhëniet historike të shkëlqyera dypalëshe, por ndajnë interesa të përbashkëta përsa i përket mbrojtjes dhe konsolidimit të parimeve të demokracisë, lirisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut nëpërmjet operacioneve të përbashkëta anembanë rruzullit.
 
Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura e kanë provuar tashmë veten se janë partnere krenare, aleate besnike e të besueshme të NATO-s. Në këtë përvjetor të anëtarësimit tonë, në cilësinë e Kryetarit të Shtetit shqiptar si dhe të Komandantit të Përgjithshëm dëshiroj t’ju siguroj mbi vazhdimësinë e përkushtimit të plotë të Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë globale si dhe mbi rolin vendimtar të Shqipërisë për ruajtjen e qëndrueshmërisë në rajonin dikur aq të trazuar të Ballkanit.
 
Ju lutem pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë së bashku me urimet më të mira për ju dhe për popullin mik amerikan!
 
Miqësisht, Bujar NISHANI”
 
NISHANI LETËR EDHE RASMUSSEN
Po sot Presidenti Nishani i ka dërguar edhe një letër falenderimi Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen në të cilën theksohet mirënjohja e vendit tonë, anëtares më të re të Aleancës, për mbështetjen e palëkundur dhe besimin e madh që Aleanca u ka dhanë Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)