Ana Lalaj: Konferenca e Bujanit, një
aksident për Partinë Komuniste Jugosllave

Ana Lalaj: Konferenca e Bujanit, një<br />aksident për Partinë Komuniste Jugosllave
Rivlerësim për Konferencën e Bujani në bazë të dokumenteve të panjohura më parë nga arkivat shqiptare dhe jugosllave…Çfarë u diskutua dhe çfarë vendimesh u morën në këtë Konferencë? Ku bashkoheshin dhe ku ndaheshin komunistët shqiptarë të Kosovës  me komunistët serbë malazez etj…
 

  
KONFERENCA E BUJANIT, 31 DHJETOR 1943-2 JANAR 1944.

Konferenca e Bujanit sapo mbushi 70 vjet e megjithatë diskutimet rreth saj nuk kanë sosur. Studiues dhe pjesëmarrës të asaj konference, publicistë, amatorë etj., me prirje politike dhe me përkatësi etnike të ndryshme, sipas rastit, pohojnë, mohojnë, sulmojnë apo mbrojnë vlerat e Bujanit . Për fat të mirë, prurjet e tyre përmbajnë kujtime, dokumente të papublikuara që na mundësojnë komentet dhe interpretimet. Si një rivlerësim për Konferencën e Bujanit në bazë të dokumenteve të panjohura më parë nga arkivat shqiptare dhe jugosllave vjen për lexuesit tanë kjo intervistë me prof.Dr. Ana Lalaj (foto).
 
Prof. Dr. LALAJ, a mund të na thoni dy fjalë se çfarë përfaqësonte Konferenca e Bujanit?

Konferenca e Bujanit, e quajtur ndryshe dhe Konferenca e Parë e Këshillit Nacional Çlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, u mblodh në fshatin Bujan (Bunjaj) të Malësisë së Gjakovës (territor i Shqipërisë së 1913-ës, pothuajse 10 km larg nga kufiri i vjetër me Jugosllavinë),  në kullën e bajraktarit patrioti Sali Mani, më 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944. Në Konferencë ishin të pranishëm 49 pjesëmarrës, prej të cilëve 43 shqiptarë, 3 serbë dhe 3 malazezë. Ndërkohë, 12 të ftuar të tjerë nuk erdhën për arsye të ndryshme. Një Kryesi, me kryetar prof. Zekeria Rexha, drejtonte punimet e Konferencës.
Në natën e parë, pas fjalimeve përshëndetëse, iu dërguan telegrame forumeve më të larta të Lëvizjeve Nacional Çlirimtare në Jugosllavi, në Shqipëri dhe në Kosovë.
Ditën e dytë, u mbajtën dy referate, diskutimet dhe u miratua dokumenti kryesor, Rezolucioni, i cili u lexua në gjuhën shqipe dhe serbishte, dhe u firmos nga të gjithë të pranishmit.
Konferenca zgjodhi Këshillin Nacional Çlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, të përbërë nga 42 anëtarë, dhe Kryesinë e Këshillit Krahinor të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, të përbërë nga Kryetari-Mehmet Hoxha, ish 2 nënkryetarë – Rifat Berisha, ish oficer i ushtrisë shqiptare, Pavle Joviçeviç, punëtor nga Peja, si dhe 6 anëtarë - Zekeria Rexha, ish shef në Ministrinë e Arsimit, nga Gjakova, Xhevdet Doda, drejtor shkolle, nga Prizreni, Fadil Hoxha, mësues, nga Gjakova, Hajdar Dushi, nëpunës banke, nga Prishtina, Në mungesë u zgjodhën edhe 2 anëtarë të tjerë, Milan Zeçar, bujk nga Rotkoceri (Ferizaj) e Ali Shukria, student mjekësie nga Mitrovica.
Këshilli Krahinor miratoi Thirrjen, një dokument i rëndësishëm, që u drejtohej popujve të Kosovës-shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve, për t’u mobilizuar në luftë kundër okupatorëve gjermano-bullgarë dhe gjithë atyre që  u shërbejnë.
Konferenca miratoi dhe një Rezolucion, sipas të cilit, Këshilli Nacional Çlirimtar i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit do të ishte “organ i përbashkët ku marrin pjesë të gjitha rrymat politike… pa dallim kombësije, feje, tendence politike e pozite shoqërore”. Gjithashtu, Rezolucioni shprehej dhe për zgjidhjen e çështjes kombëtare të Kosovës në bazë të parimit të vetëvendosjes dhe përcaktonte rrugën që duhej ndjekur: “Kosova e Rrafshi i Dukagjinit, asht një krahinë e banueme me shumicë nga populli shqiptar, i cili si gjithmon, ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipnin. Prandaj e ndjejmë për detyrë me i tregue rrugën e drejtë që duhet të ndjekë populli shqiptar për me realizue aspiratat e veta. Rruga e vetme pra që populli shqiptar i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit të bashkohet me Shqipnin ashtë lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist gjaksor e rrogtarëve të tij, sepse kjo ashtë e vetmja rrugë për me fitue lirinë në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar do të kenë mundësi me vetvendosë mbi fatin e tij me të drejtën e vetvendosjes deri në shkëputje. Garancija për këtë ashtë Ushtrija Nacional Çlirimtare e Jugosllavisë dhe Ushtrija Nacional Çlirimtare e Shqipnisë, me të cilën ngushtësisht asht e lidhun. Përveç këtyne për këtë garantojnë Aleatët tanë të Mëdhenj Bashkimi Sovjetik, Anglija, Amerika (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit) ”.
 
A ishin vendimet e Konferencës së Bujanit në përputhje me vendimet e mëparshme të Partisë Komuniste Jugosllave?

Konferenca e Bujanit me vendimet e saj dëshmoi se megjithëse komunistët shqiptarë të Kosovës kishin pranuar udhëheqjen e PKJ, ata nuk ishin bashkudhëtarë të harmonizuar. Në luftën kundër pushtuesve nazifashistë rruga e tyre ishte e përbashkët, ndërsa për çështjen nacionale rrugët e tyre ndaheshin. Udhëheqja e PKJ synonte ruajtjen e Jugosllavisë kurse komunistët shqiptarë të Kosovës, synonin shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia. Në Konferencën e Bujanit, delegatët shqiptarë e shfrytëzuan momentin. Për herë të parë ata u ndodhën shumicë në një forum drejtues krahinor dhe morën vendime në pajtim me aspiratat e tyre dhe të popullsisë shqiptare të Kosovës. Kësisoj, Konferenca e Bujanit me vendimet e saj i shkau nga duart udhëheqjes së PKJ duke u kthyer në një aksident për të. Po përdor termin aksident, sepse vendimet e Bujanit nuk ishin në përputhje me vendimet e marra në Konferencën e Dytë të AVNOJ-t (Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i Jugosllavisë), mbajtur një muaj më parë, më 29 nëntor 1943, në Jajcë të Bosnjës. Siç dihet, në Konferencën e Dytë të AVNOJ-t ishin marrë vendime për ruajtjen e kufijve të Jugosllavisë së para Luftës, madje zmadhimin e hapësirave të saj territoriale dhe krijimin e një bashkimi federativ të kombeve jugosllavë. Në këto vendime Kosova nuk përmendej, gjë që do të thoshte se ajo mbetej brenda Jugosllavisë federative, ashtu si para Luftës. Për më tepër këto vendime hynin menjëherë në fuqi. Gjithashtu fakti që, vendimet e Konferencës së Bujanit nuk u morën as nga nacionalistët shqiptarë siç mund të pritej dhe as nga Komanda gjermane e Luftës për demagogji, por nga komunistët shqiptarë, e bënte ngjarjen edhe më të papëlqyer për PKJ.
 
Pra, mënjanë kemi AVNOJ-in e fundit të nëntorit 1943 dhe në anën tjetër Konferencën e Bujanit të pas një muaji. Por a ishin në dijeni organizatorët komunistë të Konferencës së Bujanit për vendimet e Konferencës së Dytë të AVNOJ-t?

Në literaturën historike shqiptare ekziston mendimi se pjesëmarrësit e Konferencës së Bujanit ishin plotësisht të informuar për vendimet e Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-t. Personalisht e kam të vështirë ta pranoj këtë tezë, dhe po aq të vlerësoj me saktësi se në ç’shkallë ishin të informuar për vendimet e AVNOJ-t drejtuesit krahinorë të Kosovës dhe vetë pjesëmarrësit e Konferencës. Megjithatë do përpiqem të ndjek zhvillimin e ngjarjeve nëpërmjet disa dokumenteve të kohës:
Së pari, në Konferencën e Dytë të AVNOJ-t nuk morën pjesë përfaqësues nga Kosova. Në raportin e Todor Vujasinoviçit, i paraqitur në emër të Këshillit verifikues, flitet për praninë në mbledhje të delegatëve nga Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Vojvodina, Serbia, Mali i Zi e Boka, si dhe nga Sllovenia. Sqarohet po ashtu se nuk kishin mundur të mbërrinin delegacioni nga Maqedonia dhe Sanxhaku, ndërsa për përfaqësuesit e Kosovës nuk u tha asnjë fjalë. Ekziston edhe një variant tjetër se “përfaqësuesit nga Kosova nuk e ndoqën Konferencën e Dytë të AVNOJ, për shkak se nuk kishin komunikim të rregullt me Komitetin Qendror dhe Komandën e Shtabit NÇ të Jugosllavisë. Sipas një interviste të Mita Milkovic, atëherë Komisar politik i Brigadës shqiptare-maqedonase, emrat e delegatëve nga Maqedonia dhe Kosovë Metohija do të duhej të jepeshin me anën e radios së Shtabit të Përgjithshëm për Maqedoninë. Por radio u prish gjatë transmetimit dhe vetëm 3 emra u transmetuan (Dimitar Vlahov, Vlado Poptomov, Mihajlo Apostolski)”. Lidhur me praninë e delegatëve nga Kosova në AVNOJ, nga hulumtimet në Arkivin Nacional të Beogradit më rezulton se Tempo i ka propozuar Titos që përfaqësues nga Kosova të vendosen si anëtarë të Presidiumit të AVNOJ-t, por edhe si anëtarë të Većes (Këshillit) së AVNOJ. Në listë ishin vënë emrat e Fadil Hoxhës, Qamil Brovinës, Milan Zeçarit, Predrag Ajticit, Milutin Miljkovicit etj. Përgjigja pëlqyese e Titos ka ardhur më 17 dhjetor 1943, nëpërmjet një telegrami dërguar Shtabit të Korpusit II të UNÇJ, gjë që do të thotë se procedura e përzgjedhjes së forumeve drejtuese ka vazhduar edhe pas mbledhjes së AVNOJ-t.
Së dyti, radiostacioni “Jugosllavia e Lirë”, me qendër në Moskë, në dhjetor 1943 e kishte dhënë lajmin për Konferencën e Dytë të AVNOJ-t, por vendimet për krijimin e Federatës Jugosllave dhe të Qeverisë jugosllave të Frontit Nacionalçlirimtar u censuruan me porosi të Stalinit. Në zemërim e sipër, Stalini i kishte konsideruar ato vendime “një thikë në shpinë të BS dhe vendimeve të Teheranit”, ku tre të Mëdhenjtë ishin shprehur në një zë kundër bashkimeve federative gjatë viteve të LIIB. Ndërsa vetë Tito, vendimet për përfshirjen brenda Jugosllavisë federative të bregdetit slloven, të Sllovenisë beneshke, të Istries dhe të ishujve kroatë të Adriatikut, nuk ia bëri të njohur Stalinit, pasi ato vendime mbaheshin sekret si ndaj tij ashtu dhe ndaj Aleatëve të tjerë të Mëdhenj. “Vendimet e sakta që duhej të merrte AVNOJ, i fshihnim nga rusët, i fshihnim nga Bota”, është shprehur vite më vonë Vladimir Bakariç, një nga drejtuesit kryesorë të Luftës në Kroaci. Për përmbajtjen e plotë të vendimeve të mbledhjes Dytë të AVNOJ-t u mësua vetëm nga mesi i pranverës të vitit 1944. Edhe referati i plotë i J.B.Titos i mbajtur në këtë mbledhje u bë publik vetëm në vitin 1953.
Po kështu, në prag të Konferencës së Bujanit, vendimet e Konferencës së Dytë të AVNOJ-t nuk u ishin dërguar as Komitetit Krahinor dhe as Shtabit Ushtarak të Kosovës. Nga dokumentet del se, asnjë nga drejtuesit krahinorë nuk ishte informuar plotësisht mbi Konferencën e Dytë të AVNOJ-t, madje as Pavle Joviçeviçi, i cili ishte i vetmi që mbante lidhjet e Komitetit Krahinor me KQ të PKJ. Kështu, në një letër drejtuar KQ të PKJ në fund të janarit 1944, Pavle Joviçeviçi shkruan: “Nuk i kishim materialet dhe nuk dinim për konferencat në Sanxhak, Bosnje Hercegovinë dhe Mal të Zi. Po ashtu nuk kishim as materialet ndihmëse ose materiale të tjera të ngjashme. Morëm parasysh marrëveshjen -kuadër të Këshillit Nacional Çlirimtar të Jugosllavisë, sepse çështjen e Këshillit, KU e SI u formua nuk e dinim”. Është kjo arsyeja që në diskutimet e delegatëve të Konferencës së Bujanit, në Rezolutën e miratuar prej saj dhe në Thirrjen drejtuar popullit të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, kur përmendet Konferenca e Dytë e AVNOJ-t nuk jepen detaje për vendimet e saj.
Dihet se Rezolutën e Konferencës Themeluese të Këshillit Nacional Çlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit e firmosën të gjithë pjesëmarrësit, që në mbledhje ishin kthyer në anëtarë të Këshillit të ri. Pra, me vullnet të lirë, të gjithë i pranuan të gjitha vendimet. Në një letër që Pavle Joviçeviç ia dërgon Tempos më 12 janar 1944, shkruan: “Pas përgatitjeve dhe një pune të gjatë arritëm të organizojmë dhe të mbajmë me sukses Konferencën [e Bujanit]. Punimet e Konferencës, vendimet dhe diskutimet ishin të mira, madje më të mira se ne i prisnim. Në Konferencë është marrë vendim që të dërgojmë dy delegatë në Komitetin Nacional të Këshillit Antifashist [të Jugosllavisë], si dhe një delegat në Këshillin Nacional-Çlirimtar të Shqipërisë. Këto vendime i morëm për efekt politik. Duhet përpjekur që në Shqipëri të shkruhet sa më shumë për konferencën tonë”.
Por, pikërisht në janar diçka ndryshoi te Pavle Joviçeviçi. Ai sapo ka marrë dy letra të Tempos, të shkruara më herët, njëra më 2 tetor dhe tjetra më 25 nëntor 1943. Nuk duhet të harrojmë se në vitet e Luftës, komunikimi ishte shumë i vështirë dhe merrte shumë kohë. Në to, Tempo kritikon drejtuesit e Komitetit Krahinor të Kosovës se ata “kanë rënë nën ndikimin e klikës shqiptaromadhe lidhur me kufijtë e ardhshëm ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë” dhe se “duket qartë se ju në Kosmet i trajtoni gjërat në linjën shqiptaromadhe”. Nisur nga fakti se në hierarkinë komuniste disiplina në zbatimin e urdhrave është shumë e rreptë dhe qëndrimi ndryshe penalizohet rëndë, madje në kohën e luftës edhe më shumë, ka arsye të mendojmë se këto kritika të Tempos kanë ndikuar te Pavle Joviçeviç për të rivlerësuar vendimet e Bujanit. Më 31 janar 1944, ai i shkruan një letër KQ PKJ, ku pasi informon për situatën politike, ushtarake dhe organizative në Kosovë, lajmëron për krijimin e Këshillit Nacional Çlirimtar të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit, organizimin dhe vendimet e tij. Pavle Joviçeviç pohon se “morëm kornizën e Këshillit Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë, sepse për çështjen e Komitetit (qeverisë që doli nga Konferenca e Dytë e Jajcës), si dhe ku u formua nuk e dinim… Na kanë kaluar disa lëshime dhe të meta, por në situatën në të cilën ishim nuk mund të bëhej ndryshe”. Prandaj P. Joviçeviç e quan të nevojshme që “Këshilli Antifashist NÇ i Jugosllavisë ose Komiteti Kombëtar i Jugosllavisë t’i shkruajë Këshillit tonë e t’i tregojë të gjitha gabimet, mungesat dhe dobësitë”. Pra kthesa kundër Bujanit filloi pa u tharë ende boja mbi letrën ku kishin nënshkruar me plot vullnet edhe ata që iu kundërvunë vendimeve të tij.
 
Dhe çfarë ndodhi pas kësaj letre të Pavle Joviçeviçit?

Pas Konferencës së Dytë të AVNOJ-t, ku u vendosën kufijtë e Jugosllavisë dhe Kosova mbetej në kuadër të federatës jugosllave, Tito dhe udhëheqësit e tjerë jugosllavë nuk ishin më të shqetësuar përse shqiptarët e Kosovës ishin të ftohtë dhe hezitues për të marrë pjesë masivisht në luftë. Kjo alternativë tanimë ishte tejkaluar. Madje, Tito në këto momente mund të ishte i interesuar që të mos kishte kurrfarë rezistence kundër pushtuesit në Kosovë, me qëllim që shqiptarëve t’u mbyllej goja në fund të Luftës. Shqetësimi i tij më kryesor ishte si të viheshin në zbatim vendimet e AVNOJ-t, të cilat kënaqnin nacionalistët e komunistët jugosllavë, duke dhunuar parimin e vetëvendosjes që ai vetë kishte deklaruar që në vitin 1942. Kartën e Atlantikut Tito e shfrytëzoi për aq sa pati nevojë. Në fillim të Luftës ai bëri premtime për vetëvendosjen edhe të shqiptarëve, kurse në nëntor 1943, në mbledhjen e Jajcës, kur fitorja mbi Boshtin dukej e sigurt, Tito ngriti pushtetin revolucionar komunist, i ndaloi Mbretit Pavle Karagjorgjeviç kthimin në Jugosllavi dhe shpalli federatën, veprime këto që ishin në kundërshtim me vendimet e të Mëdhenjve të Aleancës Antifashiste në vitet e Luftës. Tito e parashikonte rebelimin e shqiptarëve të Kosovës kur ata do të ndodheshin përpara faktit të kryer, por për të, më mirë të kishte kundër Prishtinën se Beogradin. Dhe për këtë ai bëri presion jo vetëm te komunistët e Kosovës, por edhe tek ata të Shqipërisë.
 

Dhe në ç’mënyrë u ushtrua ky presion?
Nuk është e rastit që nga shtabi i Titos, në të njëjtën kohë u dërguan dy letra: njëra në Shqipëri, më 26 mars dhe tjetra në Kosovë, më 28 mars 1944. Letra e parë, e 26 marsit 1944, iu dërgua Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH nga Peko Dapçeviç, komandant dhe Mitar Bakiç, komisar i Korpusit II të Ushtrisë jugosllave. Që në krye letra bën me dije se kufijtë e Jugosllavisë nuk do të ndryshojnë pas luftës: “Ju e dini se ne mbetemi në qëndrimin se asnjë pëllëmbë e tokës sonë, për lirinë e së cilës luftojmë qysh tre vjet dhe japim bijtë më të mirë të vendit tonë nuk do t’ia lamë kurkujt, e aq më shumë atyne që kanë mujtë me grabitë krahinat tona në mbështetje të grupeve të okupatorit”. Më tej, duke vënë theksin te “reaksioni shqiptar në Veri të Shqipërisë”, ku njësive të Korpusit të Dytë UNÇJ i është dashur “gjysëm viti të mbajnë front kundrejt kufirit të ri [të krijuar nga bashkimi i Kosovës me Shqipërisë e para Luftës]”, letërshkruesit kërkojnë që formacionet e UNÇSH të kalojnë në Shqipërinë e Veriut dhe të bashkëpunojnë me forcat jugosllave në frontin e Kosovës. Sipas tyre, “kjo do të kishte rezultate politike si në luftë kundra okupatorit ashtu edhe kundra reaksionit, si sot ashtu edhe në të ardhmen”. Këtë detyrë u ftuan ta përballonin njësitet e ushtrisë shqiptare dhe pas tyre do të vinin formacionet jugosllave. Duket se jugosllavët ndjeheshin mjaft të sigurt për ta përdorur udhëheqjen shqiptare të luftës aty ku ata kishin nevojë, pra për ta vënë përballë edhe kundër atij që ata e quanin “reaksion shqiptar”. Marrëveshja ishte bërë: jugosllavët ishin të vetmit që kishin marrë përsipër sjelljen e komunistëve shqiptarë në pushtet.
Kurse letra e dytë, ajo e 28 marsit 1944, i dërgohet Komitetit Krahinor të Kosovës nga KQ i PKJ, ku goditet Rezoluta e Konferencës së Bujanit në pikën e saj më nevralgjike, aspiratën kombëtare të popullsisë shqiptare të Kosovës për bashkim me Shqipërinë, të shprehur hapur dhe qartë si kurrë më parë në një dokument politik të PKJ në Kosovë.
shte pikërisht kjo atmosferë politike, kur më 24 mars 1944, Enver Hoxha i dërgonte letër Fadil Hoxhës, me të cilën e uronte për krijimin e Këshillit NÇ të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit me këto fjalë: “Formimi i Këshillit NÇ për Kosovë e Dukagjin është një hap i madh drejt vëllazërimit të popujve të Kosovës dhe zmadhimit të Luftës Nacionalçlirimtare”. Asnjë fjalë për vetëvendosjen dhe aspiratën kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës! Dhe nuk mund të bëhej ndryshe kur vetë Hoxha gjashtë muaj më parë, në Labinot kishte hedhur poshtë Konferencën e Mukjes ku lufta për krijimin e Shqipërisë etnike, ishte një nga vendimet e saj. Pra, porosia e Titos në letrën e 6 dhjetorit 1943 se “nuk ka nevojë me proklamue që midis nesh dhe Shqipërisë demokratike antimperialiste çështja e Kosovës mund të jetë problem”, ishte plotësuar. Tito kishte arritur që në Kosovë të heshtej për Bujanin, kurse në Shqipëri të heshtej për Kosovën.
 
Po cila është vlera dhe trashëgimia e Konferencës së Bujanit?

Heshtja ndaj Konferencës së Bujanit ishte sinjali i parë i tronditjeve që do të përjetonte Kosova pas Luftës. Në vitet që vijuan, pjesëmarrësit e Konferencës së Bujanit u akuzuan se “nuk ishin mandatuar nga populli i Kosovës, por ishin caktuar nga Komiteti Krahinor i PKJ për Kosovë Metohinë, ata nuk ishin zgjedhur, nuk përfaqësonin zona të caktuara, por ishin të përzgjedhur”, se në të “nuk u përfaqësuan të gjitha shtresat dhe grupimet politike të Kosovës, por vetëm ithtarët e të ashtuquajturës Lëvizje Nacional Çlirimtare, gjegjësisht komuniste” etj. Është e vërtetë që vendimi për formimin e Këshillit Krahinor NÇ të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit u mor nga një forum komunist, Komiteti Krahinor i PKJ për Kosovën. Ky hap hynte në strategjinë e PKJ për krijimin e Frontiteve Nacionalçlirimtarë Antifashistë. Ata që u ftuan për të ardhur në konferencë ishin luftëtarë në vijën e parë të zjarrit, veprimtarë të vendosur dhe simpatizantë të linjës së Luftës Antifashiste. Konferenca nuk ishte pluraliste në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por shtresëzimi shoqëror dhe politik i pjesëmarrësve të saj ishte i shumëllojshëm: partizanë, komunistë, mësues, punëtorë, fshatarë, prefektë etj.
E përbashkëta ishte se, të gjithë ata kundërshtonin pushtimin e Kosovës nga Gjermania naziste. Kjo ishte themelore. Pra, Këshilli NÇ i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit ishte një front antifashist. Si i tillë, ai do të përfaqësonte një potencial të fuqishëm në luftë. A mund të veprohej ndryshe në Kosovën e pushtuar dhe ku nuk kishte territore të lira? Akoma më tej, a ka ndonjë organizatë, lidhje, besëlidhje, qoftë edhe ato të shpallura nacionaliste, të krijuara gjatë viteve të pushtimit nazifashist në Shqipëri, ku anëtarët e tyre të kenë marrë mandatin përfaqësues me anë të zgjedhjeve të lira? Pa folur pastaj për qeveritë apo “asambletë kombëtare” të krijuara në këta vite. Sigurisht, komunistët i përdorën frontet nacionalçlirimtare edhe për të kapur pushtetin, por në vitet e rezistencës antifashiste asnjë parti apo grup politik nuk mund të mbijetonte, nëse nuk merrte pjesë aktive në këtë rezistencë, e aq më pak nëse bashkëpunonte me pushtuesin. Përndryshe, ata do të shuheshin së bashku me pushtuesin, ashtu siç edhe ndodhi në fakt.
Koha tregoi se Konferenca e Bujanit dhe statusi i Kosovës do të kishin një lidhje organike me njëri tjetrin: Sa herë evoluonte statusi i Kosovës, Konferenca e Bujanit do të merrej si referenca kryesore e mëvetësisë së saj, e sa herë minimizohej statusi i Kosovës, do të goditej dhe Konferenca e Bujanit. Në Konferencën e Bujanit, vetëvendosja u shpreh në formën e aspiratës dhe të së drejtës natyrore për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nëpërmjet luftës së armatosur kundër pushtuesit, por nuk u realizua. Konferenca e Bujanit dhe vendimet e saj nuk janë as vepër e Titos e as e Enver Hoxhës, siç aludohet jo rrallë. Konferenca e Bujanit është vepër e komunistëve të Kosovës dhe mbështetësve të tyre, të cilët siç shkruan prof. Arshi Pipa e “kishin shumë të hollë membranën ideologjike nën të cilën ndodhej një lëvozhgë e fortë nacionaliste. Pavarësisht se ç’ndodhi më pas, shqiptarët vazhduan të besojnë te vetëvendosja dhe nuk i ndërprenë përpjekjet për ta bërë atë realitet në një kohë tjetër. Kësisoj, e parë në dy kohë, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në Rendin e Ri Botëror të vendosur pas Luftës së Ftohtë, Konferenca e Bujanit mbetet referencë e pashmangshme, madje me impakt progresiv, në përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje.
 

DOKUMENTI I PLOTE


Letra e Titos Drejtuar Komitetit Qëndror të PKSH
:
"Çështja e bashkimit  të Kosovës me Shqipërinë çon ujë në mullirin e reaksionarëve"
 
 
Josip Broz Tito,
Sabrana Djela
Tom Osamnaest
Beograd: Izdavački Centar “Komunist”, 1984
 F 5.
 KQ të PK të SH.
 

Të dashur shokë,
 Lidhur me letrën e shokut Millo (Milladin Popoviqi) të datës 29 VII 1943, si dhe nga bisedimet e delegatëve tuaj me shokun Millutin ( Ivan Millutinoviqi), konsideroj të nevojshme që të përgjigjem në pyetjet e shtruara nga ju për pozitën e Kosovës dhe Metohisë dhe lidhur me këtë të theksoj  disa fakte, të cilët kanë rëndësi të madhe për zhvillimin e Luftës NÇ si në Kosovë dhe Metohi gjithashtu dhe te ju.
 
Kur kemi të bëjmë me çështjen nacionale, duhet të kihen parasysh dy fakte:
Së pari, çdo komb ka të drejt për vetëvendosje, duke fut këtu dhe shkëputjen-ndarjen.
E dyta, ne nuk përkrahim të gjitha lëvizjet nacionale, por vetëm ato që në vepër janë vërtetë kundër imperializmit në përgjithësi, d.m.th. të cilët janë për një zhvillim të vërtetë demokratik nacional.
 
            Kjo do të thotë që shqiptarët në Kosovë e Metohi kanë të drejt që të përcaktohen kah të duan dhe si të duan. Por ne sot, në pajtim të plotë me qëndrimin tonë teorik, këtë çështje e shikojmë kështu: Shqiptarët në Kosovë dhe Metohi kanë përbërje shumë shtresore, të cilat nuk kanë të njëjtat synime dhe interesa, prandaj, nuk mund të shkojnë në të njëjtën rrugë. Pjesëtarë të ndryshëm të kolonës së pestë që prej ish Jugosllavisë dhe (pasues) të qeverisë kuislinge në Tiranë dhe reaksionarë të ndryshëm të cilët presin ndihmën nga jashtë, kurse në të vërtetë bashkëpunojnë me armikun, shtrojnë çështjen e Shqipërisë së Madhe, çështjen e bashkimit të Kosovës dhe të Metohisë, Shqipërisë së këtillë ose Shqipërisë e cila-sipas tyre- nuk do të ishte një krijesë e vërtetë demokratike- por lodër në duar të imperialistëve.
 
Këta elementë në çdo mënyrë e  pamundësojnë luftën e armatosur të popullit kundër okupatorit, krijimin e lëvizjes nacionalçlirimtare ndër shqiptarët në Kosovë dhe Metohi në vëllazëri me banorët e nacionaliteteve tjera në atë anë. Është rast krejt tjetër me popullin shqiptar , me masat popullore në Kosovë e Metohi. Interesave të tyre, ardhmërisë së tyre në Kosovë e Metohi dhe ardhmërisë të vet Shqipërisë i përshtatet (nevojitet) krijimi i një lëvizje të fort të armatosur nacionalçlirimtare kundër pushtuesve gjerman, e cila është e vetmja garanci edhe për ardhmërinë fatlume të popullit shqiptar.
 
Të shtrohet sot çështja e bashkimit, kjo në të vërtetë do të thotë të çosh ujë në mullirin e reaksionarëve të ndryshëm, dhe vet okupatorit, të cilët duan të pengojnë luftën e armatosur të popullit duke nxitur një çështje që për ta është e parrezikshme dhe jo aktuale. Sepse si mund të krijohet në të vërtetë një lëvizje nacional demokratike e shqiptarëve në Kosovë dhe Metohi, po dhe në Shqipëri, nëse jo në luftën e armatosur kundër okupatorit gjerman dhe shërbëtorëve të tij.
 
            Shoku Millo nuk ka të drejt kur thotë se partia jonë (dhe shqiptare) do të duhej të ndryshonin qëndrimin e tyre ndaj çështjes se Kosovës dhe Metohisë dhe kur Kosovën dhe Metohinë e krahason me Istrën e ngjashëm. Partia jona ka pasur dhe ka qëndrim të drejt dhe mbështet dhe do të mbështet çdo lëvizje demokratike nacionale e cila dobëson imperializmin, në këtë rast fashizmin gjerman dhe të gjithë ndihmësve të tij, të cilët paraqiten në forma të ndryshme në vend dhe jashtë. Lëvizja demokratike duhet të shikohet në zhvillimin e saj, dhe të gjitha faktet flasin se jo vetëm që sot kjo është më e fuqishmja në Jugosllavi, por do të japë rezultate më të mira në të ardhmen.
 
Që tani ajo është fuqia kryesore në Ballkan. Dhe kundër saj veprojnë të gjitha klikat reaksionare ndërkombëtare. Prandaj është e kuptueshme që për çështjen e Istrës dhe krahinave tjera janë të interesuara të gjitha klikat reaksionare dhe ne nuk kemi guxuar ta lëmë anash pas rënies së Italisë, kur qeveria e Badolias mundohet të ruaj gjendjen e mëparshme (të vjetër). Është krejt çështje tjetër rasti me Kosovën dhe Metohinë,  në lidhje me që gjë klika të ndryshme reaksionare mundohen të pengojnë kryengritjen e armatosur kundër okupatorit atje, dhe lëvizjen tonë ta paraqesin si serbomadhe. Vetëm lufta e armatosur kundër okupatorit  tregon qartë çka kush synon dhe të farkon demokracinë e vërtetë dhe vëllazërimin midis popujve, dhe as që ka nevojë me proklamue që midis nesh dhe Shqipërisë demokratike antiimperialiste çështja e Kosovës mund të jetë problem.
 
            Sot, tek populli shqiptar në Kosovë e Metohi duhet të zhvillohet dashuri vëllazërore ndaj popujve heroik të Jugosllavisë dhe luftës së përbashkët kundër pushtuesve gjerman. Vetëm në një luftë të tillë populli shqiptar mund ta bindet se lëvizja NÇ në Jugosllavi nuk është dhe nuk mund të jetë armiku i tij, por mik dhe bashkëluftëtar në luftën për ardhmëri më të bukur për të gjithë të dytë. Jugosllavia e re në lindje do të jetë vendi i popujve të lirë, prandaj, në të nuk do të ketë vend për shtypje nacionale të pakicës shqiptare. Por që kjo të vjen në pah dhe të arrihet, që të arrihet vet Shqipëria e lirë, duhet, përsëris, që para së gjithash të luftohet kundër pushtuesit gjerman dhe shërbëtorëve të tyre. Kjo është detyra numër një dhe më e rëndësishmja për ju dhe për ne.
 
2 dhjetor 1943
Jajce
Përshëndetje shoqërore Tito 
 

Anëtarët e Këshillit Nacional Çlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit:
 

Ismail Gjinali  dv.                            Mehmet Dermani dv.
Tefik Çanga   dv.                             Qamil Brovina dv.
Qamil Luzha   dv.                            Gani S. Çavdarbasha dv.
 Xheladin Hana dv.                          Sul B. Aliaj dv.
Halil Haxhija dv.                              Shaban Kajtazi dv.
Ismet Shaqiri dv.                              Ferid Perolli dv.
Adem Miftari dv.                              Haxhi Morin adv.
Ismail Isufi dv.                                  Xhavid Sh. Nimani dv.
Sabrije Vokshi dv.                            Reshat Is adv.
Velisha Miçkovic dv.                        M. Bajraktari dv.
Lubomir Caniq  dv.                         Veli Niman Doçi dv.
A. Kerim Ibrahimi dv.                     Rasim Cokli dv.
Spira Velkovic dv.                            Sadik Bekteshi dv.
Xhevat Tahiri dv.                             Jaho Bajraktari dv.
Ymer Pula dv.                                   Alush Gashi dv.
Et’hem Zurnaxhiu dv.                     Alush Gashi dv.
Ingj. N. Basha dv.                             Beqir Ndou dv.
Ajdin Bajraktari  dv.                        Xhafer Vokshi dv.
Bejto Shahmanovic dv.                     Sima H. Vasilevic dv.
Milan A. Miçkovic dv.                      Enver Dajçi dv.
Zymer Halili dv.                                Maxhun Nimani dv.

Shkrimi u publikua më 17.01.2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)