Në përfundim të seancës maratonë prej 14 orësh, Kuvendi miratoi me 79 vota pro ndryshimet në projektligjin ‘Për rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian’”, i cili gjatë diskutimeve solli përplasje të forta mes opozitës dhe mazhorancës.
Në ligj parashikohet bashkëdrejtimi i Këshillit Kombëtar të Integrimit mes PD-së dhe PS-së, ndërkohë që demokratët kërkojnë vazhdimin e udhëheqjes ekskluzive të tij.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se është hera e parë që një ndryshim i tillë vjen në Kuvend pa u konsultuar me opozitën.
“Ju e nisët këtë legjislaturë duke shkrirë Komisionin e Integrimit, vetëm për t’i hequr opozitës rolin thelbësor që ka në procesin e integrimit. Po na e shisni këtë projektligj sikur po i jepni opozitës një rol si bashkëdrejtuese në Këshillin e Integrimit, kur në fakt opozita historikisht ka patur drejtimin,” u shpreh Bardhi.
Bardhi akuzoi kreun e grupit të PS, Taulant Balla, se po propozon ndryshime në kushte të hapura konflikti interesi dhe se sipas tij mazhoranca po tenton tí heqë rolin opozitës nga procesi i integrimit. Kreu i grupit parlamentar të PD-së bëri me dije se PD do ta bojkotojë Këshillin e Integrimit.
“Nëse ka një ligj që propozohet në konflikt interesi, është ky. Taulant Balla propozon të bëjë veten bashkëkryetar të Këshillit të Integrimit. Në emër të grupit të PD, po e deklaroj këtu: Ky është Këshilli juaj. Ne nuk marrim më pjesë në Këshillin e Integrimit", theksoi Bardhi.
Bardhi përmbylli fjalën e tij duke njoftuar votën kundër të grupit demokrat.
“Vota jonë do të jetë kundër këtij projektligji.”

Projektligji “Për denoncimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe fondacionit Hanns-Seidel të Republikës Federale të Gjermanisë, ratifikuar me ligjin nr. 9781, datë 19.7.2007”. / 79 vota PRO, 21 vota ABSTENIM, miratohet
Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Marrakeshit për lehtësimin e aksesit në veprat e botuara për personat e verbër, me vështirësi në shikim ose me aftësi të kufizuara në leximin e teksteve të shtypura, bërë në Marrakesh, më 27.6.2013”. / 100 vota PRO, miratohet
Projektligji “Për pranimin e ndryshimeve të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, për krimin e agresionit, ratifikuar me ligjin nr. 8984, datë 23.12.2002”./ 102 vota PRO, miratohet
Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për kontrollin shtetëror portual në Rajonin e Mesdheut, bërë në Maltë, më 11 korrik 1997”./ 100 vota PRO, miratohet
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I – Shqipëri””./ 79 vota PRO, 21 KUNDËR, miratohet
Projektligj “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I – Shqipëri”./ 79 vota PRO, miratohet
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Korridori hekurudhor VIII, faza I – seksioni Durrës – Rrogozhinë””./ 79 vota PRO, miratohet
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, sh.a., (KESH, sh.a.) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin fotovoltaik (FV) solar nga 2 KESH-i”./ 79 vota PRO, 22 vota KUNDËR, miratohet
Projektligji “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje”./ 79 vota PRO, 22 vota KUNDËR, miratohet
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”./ 78 vota PRO, 23 vota KUNDËR, miratohet
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 95/2015, “Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”, të ndryshuar”./ 79 vota PRO, 24 vota KUNDËR, miratohet
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 15, datë 5.3.2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian” i ndryshuar”./ 79 vota PRO, 23 vota KUNDËR, miratohet
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8454, datë 4.2.1999 “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar”./ 101 vota PRO, miratohet
Projektvendimi “Për emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit”./ 78 vota pro, 22 KUNDËR, Adela Xhemali zgjidhet Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare
Projektvendimi “Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil”./ 79 vota PRO, 1 votë ABSTENIM, 4 vota KUNDËR, Lefterie Lleshi Luzi zgjidhet Komisionere për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil
Projektvendimi “Për ngritjen e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat”/ 100 vota PRO, miratohet

Në Kuvend u diskutua edhe për ndryshimet në ligjin për Avokatin e Popullit. Deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se përtej arnimeve të ligjit, duhet një rishkim total i ligjit integral për Avokatin e Popullit.
“Kërkesa ime në komision për këtë projektligj ka qenë që të shikohej ligji i plotë integral i Avokatit të Popullit. Ne duhet t’i japim Parlamentit draftin e plotë të ligjit të ri të Avokatit të Popullit. Ne kemi diskutuar përsa i përket hetimeve administrative që merr Avokati i Popullit. Minimumi jetik është një detyrim ligjor që Avokati i Popullit ka prezantuar, po nuk është miratuar, çfarë fuqie kanë hetimet e Avokatit të Popullit”,- tha Tabaku ndër të tjera.
Ajo foli edhe për procesin e përzgjedhjes së Avokatit të ri të Popullit, proces që ka mbetur prej 3 vitesh peng, ndërsa PS dhe PD ende nuk e kanë gjetur formulën e dakordësuar për përzgjedhjen. Tabaku tha se emri që propozohet i takon opozitës dhe bëri thirrje që të mos cenohet pavarësia e procesit.
“Kemi kërkuar një proces të rregullt, për një Avokat Populli të baraslarguar nga partitë politike, por që të vendoset nga opozita. Kryetari I Komisionit të Ligjeve ka vendosur një standard, 1 deputet mund të firmosë vetëm për një propozim për Avokatin e Popullit. Komisioni I Ligjeve i ka rrëzuar të gjitha kandidaturat, duhet patjetër që ata që kanë bërë dëgjesë, të përcaktohet procedurën e përzgjedhjes dhe ti japim mundësinë këtij institucioni, për të zgjedhur avokatin e popullit që prej 3 vitesh është në tentativë për tu zgjedhur. Nuk mund të ndryshojmë ligjin, e pastaj të cenojmë pavarësinë e procesit, mos të kemi proces transparent dhe që ofron kandidatin më të mirë”, tha Tabaku.
“ E kërkova fjalën për një qartësim, ne nuk e kemi mbledhur ende Komisionin e Ligjeve për Avokatin e Popullit, do e mbledhim në fillim të javës që vjen, do shohim kush ka mbledhur 28 firma e do procedojmë”, iu përgjigj Ulsi Manja.
Në seancën plenare në Kuvend u diskutua projektligji për Avokatin e Popullit. Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla tha se ndryshimet synojnë rritjen e transparencës dhe forcimin e pavarësisë së institucionit.
Balla u shpreh se neni ekzistues 28 i ligjit cenon pavarësinë e Avokatit të Popullit, për shkak të një kushtëzimi të panevojshëm mbi publikimin e raporteve.
Sipas draftit të ri, raportet vjetore dhe ato të veçanta do të miratohen nga vetë Avokati i Popullit dhe më pas do të dërgohen në Kuvend, i cili duhet t'i shqyrtojë brenda 3 muajve.
'Keni para një projektligj me dy nene për avokatin e popullit. Avokati i popullit duhet që të publikojë raportin vjetor para se ta paraqesë atë në Kuvendin e Shqipërisë. Ne sapo e kemi pasur pak javë më parë seancën e raportimit të avokatit dhe se di pse ka qenë e lidhur pjesa e publikimi i raportit me mbajtjen e seancën në kuvend. Le të shërbejë si një leksion kur të bëjmë renditjen e institucioneve që raportojnë është me vend që ta fillojnë tek institucioni i avokatit të popullit. Neni 28 ekzistues i ligjit e cenon pavarësinë e avokatit të popullit në lidhje me raportimin vjetor për shkak të një kushtëzimi të pavend që i ishte bërë publikimit të këtyre raporteve. Ndërkohë duhet ti vihen në dizpozicion publikut dhe më pas të kalojnë në kuvend.
Projektligji ka dy nene janë dy ndërhyrje me vend në nenin 28 sipas këtij neni raporti vjetor dhe raporte të veçanta miratohet nga vet avokati i popullit dhe paraqiten në kuvend për shqyrtim. Të shqyrtohet brenda 3 muajve nga depozitimi dhe i mirëpritur duhet të jetë gjithmonë që sa më shumë raporte.
Neni i dytë parashikon hyrjen në fuqi të ligjit sipas procedurë të përcaktuar nga 84 pika 3 e kushtetutës, prandaj në kushtet që edhe opozita ka deklaruar votën pro këtij projektligji gjejë me vend të shprehë mirënjohjen dhe ta miratojmë sa më parë', tha ai.
Në fund, Balla tha se zgjedhja e një avokati të ri populli ka mbetur prej 3 vitesh peng, duke shtuar se uron që të zgjidhet në ditët në vijim.
"Urojmë që ditët në vijim t’i japim Avokatin e Popullit qytetarëve, në kushtet kur mbahet prej 3 vitesh", tha Balla.

Kuvendi po vijon punimet që prej orës 10:00 të mëngjesit. Pas orëve të gjata diskutime, deputetët janë larguar nga salla, e cila ka mbetur pothuajse bosh.

Opozita nuk do të marrë pjesë në Këshillin Kombëtar të Integrimit. Deputeti Tritan Shehu tha se pr.ligji për rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit Europian dëmton procesin e integrimit. Ai tha se ky pr.ligj është dorëzuar në mënyrë të njëanshme, ndërsa akuzoi mazhorancën se po eliminon opozitën nga ky proces.
“Kjo mazhorancë kërkon të kontrollojë edhe këshillin e integrimit, ky ligj ul rolin e Kuvendit në procesi e integrimit, ashtu sikurse dëmton procesin e integrimit. Procesi i integrimit bazohet në balancat mazhorancë opozitë, ligji ekzistues që kemi i ka këto balanca, duke pasur një konsensus, mazhorancë-opozitë. Ky ligj sillet në mënyrë të njëanshme, duke prish konsensusin që kishte ligji i parë. Duke e bërë në këtë mënyrë, ngre dy probleme, njëanshmërinë e tij dhe dëmton rëndë procesin e pjesëmarrjes së opozitës në procesin e integrimit. Në vende të tilla si Shqipëria të gjitha rekomandimet e be janë që të ruajmë balancat, duke i dhënë rolin drejtues në këshill opozitës. Ju keni lëvizur në mënyrë tinëzare për të dëmtuar dhe shkatërruar rolin e opozitës në procesin e integrimit. Ju eliminoni komisionin e integrimit, që drejtohej nga opozita, e bashkuat me komisionin e politikës së jashtme, tani doni t’ia hiqni edhe rolin këtij komisioni. Me çfarë logjike mund të kemi të tilla vendime arbitrare në një moment delikat për procesin e integrimit, që shkon kundër direktivave të be që kërkon pjesëmarrjen e opozitës. PD ka vendosur të mos marrë pjesë në këshillin e integrimit, do ketë kosto të rëndë politike,. Ne aspirojmë integrimin, por bazohet në disa parime, principe. U bëj thirrje kolegë të mazhorancës të mos e votojmë këtë ligj, ta ripunojmë sërish me konsensus dhe ta sjellim të plotë”, tha Shehu.
Seanca e sotme plenare është shoqëruar me akuza dhe ironi mes deputetëve Flamur Noka, Ardit Bido, Taulant Balla dhe Klevis Balliu.
Përplasja nisi kur deputeti Flamur Noka iu drejtua Ardit Bidos, duke i thënë se “Gjipeja do të jetë varri yt politik”, teksa pretendonte se deputeti socialist ka falsifikuar dokumente me qëllim vjedhjen e pronave në këtë zonë.
"Gjipeja do të bëhet makthi yt. Sepse ti ke urdhëruar dhe je hartues i një falsifikimi, ideatori i vjedhjes së pronës së himariotëve",- tha Noka.
Bido u kundërpërgjigj Nokës duke e ironizuar për gafën e tij më 28 nëntor të këtij viti, kur tha se flamuri i pavarësisë në Vlorë në vitin 1912 u ngrit nga Skënderbeu.
“Është i vetmi Flamur që nuk e di kush e ka ngritur flamurin. Kërkoj të mos na fyejë ‘flamuri i vogël’ dhe doktori i vogël. Ka lidhje me mua sepse gjithë familjarët e tij janë sarandiotë – i ka shpërndarë banesa në Sarandë që i takonin njerëzve në nevojë, familjarëve të vet",- tha Bideo.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i kërkoi me ironi Nokës të sqaronte deklaratën më 28 nëntor, duke përmenduar edhe krizën që po përjeton Partia Demokratike nga Foltorja e Ervin Salianjit, i cili dje zhvilloi një takim me struktura të PD-së së Durrësit, në kundërshtim me urdhrin e Berishës.
“Shyqyr që ju kemi. Akuzuat edhe Ani Dyrmishin si organizator të foltores së Durrësit",- tha Balla.
Duke ndërhyrë në debat, deputeti opozitar Klevis Balliu kërkoi të “sqaronte” gafën e Nokës, por gaboi vetë.
“Sqarojeni Ballën që Skënderbeu e ngriti flamurin në 1444”, – tha Balliu, i cili më pas u korrigjua nga Bido duke thënë se historia zyrtare e daton ngjarjen në vitin 1443.
“Mos flisni për historinë, se e bëni pis",- tha Bido.
Në vijim të fjalës së tij, Bido i drejtoi Nokës edhe një akuzë personale.
“Sa kushton kostumi yt sot, është e gjithë pasuria ime. I bie që unë, në moshën 14-vjeçare, të kem shkuar në arkiv për të falsifikuar një dokument që të flasësh ti sot në Kuvend e të bësh patriotizëm",- tha Bido.
Në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se “me një urdhër të ministres së Shëndetësisë, disa inspektorë të paautorizuar po ushtrojnë kontroll në këtë godinë, përfshirë edhe në vendet e punës së deputetëve”. Ai theksoi se në zyrat e deputetëve “nuk mund të hyjë askush për kontroll pa leje, as prokurori e as policia”, duke e cilësuar veprimin si shkelje të rëndë të imunitetit parlamentar.
Pas një ndërprerje të seancës prej 5 minutash, kryeparlamentari Niko Peleshi tha se inspektimet po kryhen në përputhje me kuadrin ligjor për ndalimin e duhanpirjes në ambientet e mbyllura.
“Sipas ligjit, nuk po veprohet në kundërshtim me asnjë procedurë. Bëhet fjalë për kontrolle lidhur me duhanin në ambientet e brendshme. Inspektorët do të jenë të pranishëm edhe në një moment tjetër, pasi ta kemi shqyrtuar çështjen sipas rregullores,” u shpreh Peleshi.
Korridori i VIII është një nga projektet strategjike të qeverisë shqiptare, i cili do ta lidhë vendin tonë me Italinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe tregun e përbashkët evropian. Teksa Kuvendi pritet të miratojë këtë marrëveshje të rëndësishme, që i hap rrugën ndërtimit të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, deputetja e Elbasanit Sara Mila, në cilësinë e anëtares së Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme dhe si relatore e projektligjit, theksoi se pas miratimit të segmentit Durrës- Rrogozhinë, radhën e ka zhvillimi i fazës së dytë që përfshin edhe Elbasanin.
"Sa herë flasim për Korridorin VIII, në mënyrë të natyrshme flasim edhe për Elbasanin tim. Për qytetin që historikisht ka qenë nyja më e rëndësishme industriale e këtij vendi. Për njerëzit e mi që kanë pritur prej dekadash që Shqipëria të ketë një vizion të qartë zhvillimi, të lidhur, të qëndrueshëm, europian. Segmenti që miratojmë sot , Durrës–Rrogozhinë është hapi i parë, parakushti që nesër të flasim për fazën tjetër: Durrës – Rrogozhinë – Elbasan – Pogradec, pra gjithë boshtin që e fut Shqipërinë, realisht e jo me fjalë, në rrjetin e përbashkët të BE-së", tha ajo.
Më tej Mila theksoi se mbështeja për këto projekte, është garancia se BE beson tek Shqipëria dhe tek integrimi i saj.
"Ne nuk po ndërtojmë thjesht një linjë treni. Ne po ndërtojmë një korridor ekonomik, një korridor pune dhe mundësish, që do të ndikojë te biznesi, turizmi, eksportet, te qytetarët që udhëtojnë çdo ditë për punë. Për këtë arsye, sidomos si deputete e zonës së Elbasanit, më lejoni të them: Ky projekt është një urë që po çon Shqipërinë në Europë dhe rikonfirmon Elbasanin si nyje tashmë të Europës. Dhe sa më afër të jemi me Europën, aq më shumë mundësi do të ketë rinia jonë, ekonomia jonë dhe komunitetet tona rurale e urbane", tha ajo.
Sipas Milës ky është integrimi i vërtetë o vendit në BE, që vjen përmes projekteve të tilla transformuese.
Hekurudha Durrës-Rrogozhinë do të rikonstruktohet dhe elektrizifikohet si pjesë e Korridorit VIII, me një projekt që pritet të përfundojë në vitin 2028. Kjo linjë pritet që të mundësojë udhëtime me shpejtësi deri në 120 km/h120 km/h. Projekti përfshin zgjerimin e trasesë, ndërtimin e urave të reja, rindërtimin e tunelit të Rrogozhinës dhe ndërtimin e stacioneve të reja.
Deputeti i PS, Erion Braçe, ka folur në parlament për minatorët e Spaçit. Braçe theksoi se të gjithë punonjësit në sektorin minerar meritojnë mbrojtje juridike.
“Gjëja të them dëgjova pak më herët ministrin që foli dhe i atribuoi këtij ligji edhe rritjen e sigurisë juridike për investitorët. E keni bërë mirë këtë gjë, por mos kemi një çekuilibër, po për sigurinë juridike të punëtorëve.Në këtë sektor kush do të flasë. Ngjarja që kemi në minierën e SPAÇ-it është një element për çekuilibrin që kemi në këtë aspekt. Midis një investitori natyrisht me kontratë me Republikën e Shqipërisë, natyrisht shtetas ve shqiptarë dhe të huaj që punojnë në sektorin minerar edhe këta meritojnë mbrojtje juridike. Të vetes së tyre dhe mbi të gjitha të të ardhurave të tyre.”, tha Braçe.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ngriti shqetësimin në Kuvend për trajtimin e ish-presidentit Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim prej më shumë se një viti.
Sipas Blushit, raporti i fundit i Avokatit të Popullit dokumenton një trajtim të papranueshëm, duke e përshkruar arrestimin dhe mbajtjen e Metës si një “rrëmbim kriminal”.
Ai theksoi se ish-presidenti është izoluar pa kryer asnjë krim dhe pa i shkaktuar dëm shtetit.
Blushi vuri në dukje se Metës i janë mohuar të drejtat themelore, përfshirë lirinë e shprehjes, takimet me familjarët dhe kontaktet me drejtuesit e Partisë së Lirisë.
Deputeti e konsideroi këtë një shkelje flagrante të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe i bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë të ndërhyjë menjëherë për të ndalur këtë sjellje.
Ai gjithashtu paralajmëroi se beteja për të drejtën e Metës nuk është thjesht çështje personale, por lidhet me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të çdo qytetari shqiptar. “Beteja për Metën është beteja për lirinë e çdo shqiptari që sot fizikisht nuk ndodhet në burgjet e regjimit të Edi Ramës”, tha Blushi, duke theksuar ndikimin e prapaskenave politike mbi sistemin e drejtësisë.
Raporti i Avokatit të Popullit, sipas Blushit, nxjerr në pah trajtimin jo të drejtë të Metës dhe të paraburgosurve të tjerë, të cilët shpesh përballen me masa represive për arsye të padrejta, si pamundësia për të paguar faturat apo varfëria.
Deputeti i Partisë së Lirisë kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga Ministria e Drejtësisë për të garantuar respektimin e ligjit dhe të drejtave të Metës, duke e cilësuar sjelljen aktuale si kriminale dhe të papranueshme.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku thotë se shteti shqiptar ndodhet në një krizë institucionale në prokurorimet publike, me 1 miliardë euro nën hetim nga drejtësia, të dhëna në tenderë të ndryshëm.
Nga foltorja e Kuvendit, Tabaku i bëri thirrje qeverisë për më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri.
"Sot kemi tre marrëveshje që janë verifikime granti mes Shqipërisë dhe BE-së. PD ka mbështetur të gjitha projektet që lindin nga agjendat e gjelbra dhe çdo sektortjetër. Por shteti ndodhet në vështirësi sa i përket prokurorive publike dhe institucioneve; ka një rrezik të madh fiskal. Shteti shqiptar e ka zhdukur procesin e garës në tenderat publikë; ato caktohen me mesazhe. Nuk ka partneritete publike-private të hapura siç kërkon gara e hapur. Sot ka një ekonomi të centralizuar që jep favore. Janë mbi 1 miliard euro që janë duke u hetuar. Kjo është këmbanë alarm për të ardhmen e financave publike. Kjo nuk është një garë mes kolegësh, kush ofendon më shumë apo kush flet më shumë. Është një garë për të vërtetën dhe transparencën që e kanë humbur me kohë",- tha ndër të tjera Tabaku.
Komente











