Sali Berisha u frikësua politikisht nga nisma e Ervin Salianjit dhe u përpoq t’i priste hovin asaj duke e cilësuar demokratin si të vetë përjashtuar nga Partia Demokratike. Arsyeja? Sepse çdo figurë që rritet jashtë kontrollit të Berishës shihet si kërcënim. Kështu mendon pedagogu dhe analisti politik Klementin Mile i cili gjatë një interviste në emisionin Sot Live në Shqipëri në Report TV, Mile analizoi ‘maratonën politike’ që Salianji kishte nisur por që PD nuk e lejoi të zhvillohej.

“Ajo që ndodhi në PD, reagimet nga Berisha, Noka, e të tjerë, ishte se ja bënë garën shumë të shkurtër dhe nuk e lanë të bëjë një garë të gjatë, duke u takuar me demokratët qetësisht dhe për të dhënë mesazhin për ta bërë fituese PD-në, por ky mesazh kishte nevojë për një lloj qetësie. A u tremb politikisht PD-ja? Çdo dalje nga rrjeshti apo devijim nga linja e lidershipit është e rrezikshme për PD dhe ruajtjen e kontrollit nga Berisha. Ata nuk lejuan rritjen e Salianjit dhe lëvizjes së tij por dhanë mesazhin që ai është vetëpërjashtuar” tha ai.

Duke komentuar mungesën e protestave masive pavarësisht skandaleve të shumta qeveritare, Mile tha se problemi kryesor i opozitës nuk janë denoncimet, por mungesa e besueshmërisë tek qytetarët.Sipas tij, çfarëdo që të thotë opozita nuk e dëmton realisht mazhorancën, e cila vazhdon të qeverisë falë legjitimitetit institucional, edhe pse ka humbur atë moral.

“Populli nuk do vetëm denoncime. Ata flasin kundër oligarkëve, kundër keqqeverisjes, kundër vjedhjes së parave publike, dhe ende nuk kanë një projekt shprese. Çfarë do bësh ti më mirë? Kjo kërkon besueshmëri, kërkon karakter dhe integritet. Nëse ke shkuar nga fryn era, apo nëse ke qenë në pushtet dhe nuk e ke bërë, atëherë si mundet të të besojnë njerëzit? Besueshmëria është e para. Nëse opozita nuk ka besueshmëri, ky është problemi kryesor që duhet zgjidhur. Çfarë do që të dalë nga goja e atyre që kryesojnë opozitën nuk do ti bëjë dëm mazhorancës. Kjo e fundit ka legjitimitet institucional, ka numrat që të kalojë reformat. Opozita nuk e ndalon dot, por legjitimiteti moral i qeverisë ka rënë. Mazhoranca është si puna e shtëpisë së vjetër që është kalbur dhe nuk rrëzohet sepse nuk fryn erë ta rrëzojë” u shpreh ai.

Mile hodhi poshtë tezën se përçarja e opozitës është arsyeja kryesore e dobësisë së saj dhe argumentoi se  PD ka nevojë për modernizim, ndryshim lidershipi dhe rritje të besueshmërisë. Përndryshe, edhe nëse partitë opozitare do të bashkoheshin, sipas tij, ato nuk do të kishin forcë reale për të rrëzuar Edi Ramën.

“Unë mendoj që edhe sikur partitë opozitare të bëheshin bashkë, nuk kanë forcë të mjaftueshëm për të rrëzuar Ramën dhe qeverinë. Pra problemi nuk është sasior por cilësor. Diçka duhet të ndryshojë cilësisht në mënyrën se si i qasen bërjes së politikës, elektoratit, të ardhmes, të shkuarës këo parti, mbi të gjitha PD. PD duhet modernizohet. Mbase duhet ndryshuar lidershipi përtej Berishës, programi, mënyra e bërjes fushatë, por mbi të gjitha duhet ndryshuar produkti politik që ofron PD elektoratit, sepse është produkt denoncues dhe nuk ngjall shpresën në popull se me PD do të jenë më mirë" tha Mile

Gjatë intervistës, Mile komentoi edhe çështjen Balluku, duke pretenduar se Gjykata Kushtetuese po sillet në mënyrë të dyshimtë duke e zvarritur vendimin. Sipas tij, për qytetarët nuk kanë rëndësi justifikimet proceduriale, por vetëm një pyetje e thjeshtë dhe politike: a ka vjedhur apo jo Belinda Balluku.

“Dyshimet se mos po luan një lojë që nuk ka lidhje me drejtësinë, janë të arsyeshme. Mos është duke e zvarritur vendimmarrjen në kohë se nuk do të shprehet, kjo do të ishte problematike për ne. A ka kosto çështja Balluku për mazhorncën? Pa diskutim! Njerëzit nuk duan tia dinë shumë për argumenta proceduriale .Ata duan të dinë a ka gjë në këto akuza që  i bëhen Ballukut? A ka vjedhur apo jo? Kjo është cështja që u intereson njerëzve” tha ai.

Sa i përket përplasjes mes kryeministrit Rama dhe gjyqtarëve për pagat. Mile tha se ky është një konflikt i hapur dhe serioz, sepse sipas tij, kryeministri po shkel vijat e kuqe që vetë kishte vendosur pas reformës në drejtësi, duke u përfshirë drejtpërdrejt dhe duke e trajtuar drejtësinë si palë politike.