Markus Frohnmaier është padyshim një njeri me fat këto ditë. Eksperti i Klubit të AfD për Politikë të Jashtme nderohet me Çmimin Allen-Welsh-Dulles nga Klubi i Republikanëve të Rinj të Nju Jorkut në SHBA.
Çmimi, i cili është pak i njohur në Gjermani, u jepet individëve, siç thuhet në ftesë, të cilët mishërojnë "frymën agresive anti-Marks" të Dulles, ish-drejtorit të CIA-s. Ai ka për qëllim të njohë "punën e guximshme" të Frohnmaier në një klimë politike veçanërisht represive dhe armiqësore në Gjermani".
Edhe ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut dhe mbështetësi i flaktë i Trump, Rudolph Giuliani, mori këtë çmim. Frohnmaier shkruan në Platformën X se "është krenar që puna e tij tani po njihet në SHBA".
Çmimi është arsyeja që bëri që një delegacion i madh i AfD-së të udhëtojë në SHBA - me 20 anëtarë të parlamentit, përfshirë anëtarët e Bundestagut Udo Hemmelgarn, Alexander Wolf, Diana Zimmer dhe Jan Wenzel Schmidt nga Komisioni i Punëve të Jashtme. Midis tyre edhe eksperti i politikave të mbrojtjes Jan Nolte, si dhe disa anëtarë të parlamentit të landit Sachsen-Anhalt, përfshirë Hans-Thomas Tillschneider. Të gjithë me synimin e krijimit dhe zgjerimit të kontakteve me administratën Trump.
Megjithatë, për shkak të faktit se kaq shumë përfaqësues të AfD-së u nisën drejt SHBA, kritikat u dëgjuan edhe brenda grupit të tyre parlamentar. Është krejtësisht në rregull nëse dy ose tre deputetë udhëtojnë në SHBA, shkruan Torben Braga, një bashkëpunëtor i ngushtë i Björn Höcke dhe anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme, në X: "Por nuk ka nevojë të ketë dy duzina prej tyre."
Qëllimi është mbështetja e administratës Trump
Politikanët e AfD-së shohin një shpirt të ngjashëm në karakterin dhe veprimet e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili, ashtu si ata, kundërshton migrimin masiv dhe Bashkimin Evropian. "Ne mendojmë njësoj për shumë çështje, kemi një vizion të qartë se si duhet të duket bota në të ardhmen", tha për studion ARD të Berlinit ekspertja financiare eAfD-së Kay Gottschalk, e cila aktualisht ndodhet në SHBA.
Strategjia e re e sigurisë e administratës Trump pretendon se Bashkimi Evropian minon lirinë dhe sovranitetin politik, censuron lirinë e fjalës dhe shtyp opozitën politike.
Në shikim të parë, duket sikur AfD ka marrë pjesë në hartimin e këtij dokumenti. Është e qartë se anëtarët e AfDshpresojnë edhe në mbështetjen e miqve të tyre të rinj në Amerikë në kontekstin e një ndalimi të mundshëm të punës së partisë në Gjermani.
Gjatë këtij viti, AfD ka bërë përpjekje të shumta për të vendosur kontakte me kampin Trump. Gottschalk, Frohnmaier dhe Beatrix von Storch ishin veçanërisht aktivë në këtë drejtim.
Zëvendëspresidentja e Grupit Parlamentar të AfD në Bundestag, von Storch, udhëtoi për në Uashington në shtator 2025 së bashku me Joachim Paul, të cilit iu ndalua të kandidonte për kryetar bashkie të Ludwigshafen - sepse komisioni zgjedhor vuri në dyshim besnikërinë e tij ndaj Kushtetutës. Ai e apeloi këtë vendim.
Markus Frohnmaier udhëtoi për në SHBA në tetor për të folur me kontaktet e tij në Departamentin e Shtetit dhe Republikanët e Rinj në Universitetin Georgetown. Kay Gottschalk thotë se ka qenë në kontakt në SHBA që nga viti 2022. Ai gjithashtu thotë se është takuar me përfaqësues të kampit Trump në Gjermani, por jo publikisht.
AfD në fakt ka qenë jashtëzakonisht skeptike ndaj SHBA-së në të kaluarën dhe ka qenë më e orientuar drejt Rusisë. Por kjo ka ndryshuar me ardhjen e administratës së re amerikane.
Një problem i madh për CDU-në?
Fillimisht, CDU në veçanti kishte kontakte të mira në SHBA dhe e konsideronte veten si parti transatlantike. Qeveria aktuale gjermane shpesh thekson se Trump personalisht përgjigjet në telefon kur e telefonon Kancelari Friedrich Merz.
Shkencëtarja politike dhe ekspertja e sigurisë Jana Puglierin beson se kontaktet e reja midis AfD-së dhe kampit të Trump mund të krijojnë një "problem të madh" për CDU-në. "Tani AfD mund të tregojë se është partia me kontaktet më të mira, qasjen më të mirë dhe se është ideologjikisht në të njëjtat valë." Nëse krijohet përshtypja se AfD është një partnere më e mirë, atëherë sigurisht që partia do të fitojë një avantazh, thotë Puglierin.
Megjithatë, skepticizmi ndaj Trump mbetet në një nivel të lartë midis votuesve tradicionalë të AfD-së, shton ajo. Prandaj, pyetja e madhe është se çfarë avantazhesh do të sjellë kjo afërsi.
Në Gjermani, aktivitetet e udhëtimit të AfD-së janë kritikuar. Alexander Hoffmann, kryetar i Grupit Parlamentar të CSU-së në Bundestag, i tha "Der Spiegel" se është më shumë se shqetësuese kur një grup parlamentar abuzon me mundësinë për të udhëtuar në një vend tjetër për të nxitur ndjenja anti-gjermane jashtë vendit. Edhe pse kjo "diplomaci anti-gjermane" vështirë se mund të ndalet ligjërisht, administrata e Bundestagut duhet të shqyrtojë të gjitha mundësitë në mënyrë që të "parandalojë abuzimin e udhëtimit jashtë vendit", shtoi anëtari i CSU-së.
Eksperti i politikës së jashtme të CDU-së, Knut Abraham, foli për një "bashkëpunim djallëzor midis AfD-së dhe njerëzve të MAGA-s të Trumpit". Ai tha se një ndarje e qartë e punës është e dukshme: AfD po lufton BE-në nga brenda, ndërsa MAGA po e bën këtë nga jashtë./DW
Komente








