Presidenti amerikan Donald Trump tha se FBI-ja po heton lidhjen e drejtuesit të Nvidia-s, Jensen Huang, me një grua të dyshuar se ka spiunuar për Kinën. Trump tha se kishte folur me Huang të hënën, pas raportimeve se autoritetet amerikane besonin se drejtuesi i kompanisë ishte vënë në shënjestër të një operacioni spiunazhi nga Pekini.

“E pyeta: ‘A kishe ndonjë ide se ajo ishte spiune?’ Ai më tha: ‘Nuk e kisha idenë se ishte spiune’ dhe unë vërtet e besoj”, u tha Trump gazetarëve.

Pekini ka hedhur poshtë pretendimet se Huang ishte vënë në shënjestër. Ministria e Jashtme kineze i cilësoi akuzat “krejtësisht të pabaza, spekulative dhe që synojnë të njollosin imazhin e Kinës”.

Më vonë, gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se ishte në dijeni që FBI-ja po shqyrtonte çështjen. Ai nuk dha hollësi mbi hetimin dhe as nuk konfirmoi se kur kishte nisur.

Trump shtoi se e konsideronte Huang “një njeri të ndershëm” dhe se besonte se ai do të dilte mirë nga hetimet.

FBI-ja nuk pranoi të komentonte kur u kontaktua nga BBC-ja.

Nvidia ka porositur një hetim të pavarur për lidhjen me Alice Huang, e cila dyshohet se ka spiunuar për Kinën. Kompania tha se nuk kishte arsye të besonte se ishin cenuar sekretet e saj apo siguria kombëtare.

Nvidia është kompania e dytë më e vlefshme në botë pas Apple. Ajo projekton çipa kompjuterikë që janë bërë thelbësorë për zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Pas publikimit të këtyre informacioneve, aksionet e Nvidia-s ranë të hënën me më shumë se 4%, duke i ulur vlerën e tregut kompanisë me rreth 250 miliardë dollarë, ose 190 miliardë paund.

Sipas një raportimi të The New York Times, zyrtarët e inteligjencës amerikane besojnë se Alice Huang, e njohur edhe si Huang Le, ka spiunuar për Pekinin. Ajo nuk ka lidhje familjare me Jensen Huang.

Sipas gazetës, në pranverën e këtij viti, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u dërgoi një memorandum zyrtarëve të lartë në Uashington, ku i paralajmëronte se drejtuesi i Nvidia-s kishte një lidhje të afërt me një spiune kineze.

Alice Huang ishte drejtoreshë menaxhuese e kompanisë Megaspeed, me seli në Singapor, e cila ka pasur marrëdhënie biznesi me Nvidia-n.

Deklaratat e Trump janë treguesi i parë publik nëse drejtuesi i Nvidia-s kishte dijeni për lidhjet e dyshuara të gruas me shërbimet e inteligjencës kineze.

Të martën, zyra e Megaspeed në lagjen qendrore të biznesit në Singapor dukej se funksiononte normalisht dhe se punonjësit ishin në punë.

BBC-së nuk iu lejua hyrja në katin ku ndodhen zyrat e kompanisë. Një punonjës, i kontaktuar me telefon, tha se nuk kishte koment dhe i drejtoi të gjitha pyetjet te ekipi i marrëdhënieve me publikun.

BBC-ja i ka dërguar disa email-e Megaspeed për t’i kërkuar koment.

Nvidia, e bashkëthemeluar nga Jensen Huang, zë një vend qendror në garën mes SHBA-së dhe Kinës për inteligjencën artificiale. Uashingtoni i trajton eksportet e kompanisë drejt Kinës si çështje të sigurisë kombëtare. Kjo është një nga arsyet kryesore pse lidhja e Huang ka ngritur shqetësime.

Po të hënën, ndaj Huang dhe Nvidia-s u ngrit në Kaliforni një padi për të cilën kërkohet statusi i padisë kolektive. Sipas padisë, drejtuesi dhe kompania mashtruan aksionarët duke fshehur lidhjen e tij me gruan e dyshuar për spiunazh.

Në padi pretendohet gjithashtu se kompania i dha medias informacione të rreme për lidhjen e Jensen Huang me Alice Huang, “e cila dyshohet se ka kërkuar të ndihmonte në futjen kontrabandë të produkteve të Nvidia-s në Kinë”.

BBC-ja ka kontaktuar Nvidia-n për koment lidhur me padinë.

Trump e cilëson Huang “një njeri të ndershëm”

Në Shtëpinë e Bardhë, Trump u pyet disa herë se kur kishte marrë dijeni për lidhjen. Ai tha se ishte informuar gradualisht, pa dhënë një afat të saktë.

“Shpresoj të mos ketë ndonjë problem. Besoj se ai po vuan shumë”, shtoi presidenti.

Trump tha se e kishte telefonuar Huang të hënën “thjesht për të parë nëse ishte mirë, për ta pyetur si po ia kalonte”. Ai shtoi se e kishte pyetur edhe për çështjen dhe se Huang i kishte thënë se “nuk e kishte absolutisht idenë se personi në fjalë ishte spiune”.

Trump ka shprehur shqetësimin se, nëse Kina merr epërsinë në inteligjencën artificiale, Pekini do të forcojë ndjeshëm kapacitetet e tij ushtarake dhe të mbikëqyrjes.

Presidenti shtoi se ishte “i sigurt” që udhëheqësi kinez Xi Jinping do ta pyeste për këtë çështje herën tjetër që do të takoheshin.

Huang ka pranuar se e kishte tradhtuar bashkëshorten dhe i ka kërkuar falje asaj dhe fëmijëve për dhimbjen që u kishte shkaktuar.

Të hënën, ai tha se ishte “i përkushtuar për të mbrojtur Nvidia-n dhe për të mbështetur sigurinë kombëtare të SHBA-së” dhe se do të bashkëpunonte me hetimin e nisur nga kompania.

Huang është thirrur gjithashtu të paraqitet javën e ardhshme në një seancë të përbashkët me dyer të mbyllura para disa komisioneve të Kongresit amerikan. Ende nuk dihet nëse ai do të marrë pjesë.

Në letrën drejtuar Huang thuhej se seanca do të trajtonte “protokollet e sigurisë së Nvidia-s kundër spiunazhit nga shtete kundërshtare, si dhe kontaktet tuaja me drejtuesen e Megaspeed, Alice Huang, e cila është identifikuar në raportimet publike si burim i inteligjencës së Republikës Popullore të Kinës”.

Nvidia nuk pranoi të komentonte, ndërsa BBC-ja ka kontaktuar edhe komisionet e Kongresit.

Disa punonjës me të cilët BBC-ja foli të hënën në selinë e Nvidia-s në Santa Clara thanë se puna vijonte normalisht, pavarësisht vëmendjes së madhe që kishte marrë kompania.

Çipat e Nvidia-s në qendër të garës mes SHBA-së dhe Kinës

Jensen Huang e themeloi Nvidia-n në vitin 1993 së bashku me dy inxhinierë të tjerë. Kompania vepron prej dekadash, por vetëm vitet e fundit është kthyer në një nga kompanitë më të vlefshme dhe më të fuqishme në botë.

Fillimisht, Nvidia projektonte çipa kompjuterikë për videolojëra. Vendimi për t’u përqendruar te zhvillimi i inteligjencës artificiale e shndërroi në një prej kompanive kryesore të sektorit.

Çipat e saj janë bërë aq të rëndësishëm për zhvillimin e inteligjencës artificiale, sa Shtëpia e Bardhë kishte vendosur kufizime për tregjet ku mund të shiteshin produktet e saj më të avancuara.

Shitja e H200, çipit të dytë më të avancuar të Nvidia-s, ishte kufizuar më parë nga shqetësimi se mund t’i jepte industrisë teknologjike kineze epërsi ndaj asaj amerikane.

Huang prej kohësh i ka kundërshtuar kufizimet e shitjeve drejt Kinës, duke argumentuar se do të ishte më mirë që përhapja e inteligjencës artificiale në botë të mbështetej te teknologjia amerikane.

Në janar, administrata Trump njoftoi se do ta lejonte Nvidia-n t’u shiste çipat H200 klientëve kinezë, me disa kushte.

Shitja në tregun kinez e çipave më të avancuar të Nvidia-s për inteligjencën artificiale, përfshirë superçipin GB200 Blackwell, mbetet e ndaluar.