Analiza e DW, kritikohet Mitsotakis: La në hije zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor, protagonist u bë Zelensky

Analiza e DW, kritikohet Mitsotakis: La në hije zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor, protagonist u bë Zelensky

Takimi Mitsotakis - Zelensky në Athinë, 21 gusht 2023

Në një analizë kritike të publikuar sot nga DW me autor, Kaki Bali, thuhet se ndërsa pritej që Samiti duhej të trajtonte progresin në procesin e anëtarësimit në BE personi kryesor ishte presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dhe pozicioni i Ballkanit krah Ukrainës.

DW:Mitsotakis pozicionon Ballkanin përkrah Ukrainës 

Fillimisht kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis deshi t'i jepte një shtysë të re procesit të zgjerimit të BE. Ai ftoi të hënën (20.08.2023) për një darkë në Athinë krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit për të shënuar 20 vjetorin e të ashtuquajturit "Premtimi i Selanikut".

Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova presin prej 20 vitesh në dhomën e pritjes së BE. Në qershor 2003 BE konfirmoi, se e mbështet pa rezerva orientimin evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor."E ardhmja e shteteve të Ballkanit është në Bashkimin Europian”, u tha atëherë në deklaratën përfundimtare të samitit europian pranë qytetit grek të Selanikut, nga i cili deklarata mori edhe emrin. Në gusht 2023 gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor presin ende në korridor dhe vende si Greqia përpiqen të hapin për ta derën e BE, por me sukses shumë të limituar.

Darka në Athinë duhej t`i jepte një shtysë dhe një lëvizje të re situatës së ngrirë. Por protagonisti i takimit në kryeqytetin grek nuk ishte asnjë shef ballkanik – por Volodimir Zelenski.

Presidenti i Ukrainës udhëtoi për në Athinë në fshehtësitë e zakonshme, deri në minutën e fundit ishte e paqartë nëse do të vinte dhe përse. Në fund prania e tij e la në hije atë të të ftuarve të tjerë, ndër ta edhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel.

Trajnim grek për pilotët ukrainas të avionëve F-16

Që nga qershori 2022 edhe Ukraina dhe republika e saj fqinje Moldavia janë zyrtarisht kandidatë për anëtarësim në BE. Edhe për to anëtarësimi në të ardhmen e afërt duket i pamundur. Por për Zelenskin duket se gjatë vizitës së tij në Athinë fokusi nuk ishte vëllazërimi me kandidatët e tjerë, por tema të tjera më akute.

Pas takimit Zelenski njoftoi se Mitsotakis i kishte ofruar të trajnonte pilotët ukrainas për avionët luftarakë F-16. Të dielën (19.08.2023) Danimarka dhe Holanda qenë zotuar t`i japin Ukrainës dhjetëra avionë luftarakë F-16 kundër invazionit rus. Avionët F-16 konsiderohen të ndërlikuar për t'u përdorur dhe trajnimi i pilotëve është i vështirë.

Forca ajrore greke përdor vetë kryesisht avionë F-16. Stërvitja e pilotëve ukrainas do të bëhet tani në Kalamata, në një kamp trajnimi me teknologji shumë moderne, që Greqia operon në bashkëpunim me Izraelin. Zelenski falënderoi Athinën për ofertën, të cilën e pranoi me kënaqësi.

Kundër "revizionizmit johistorik"

Më parë kryeministri grek Mitsotakis i garantoi atij para kamerave, se Athina qëndron me Ukrainën "pavarësisht se për çfarë ka nevojë", duke shtuar se "ukrainasit janë një frymëzim për të gjithë qytetarët demokratë të Evropës".

Mitsotakis u shpreh edhe kundër "revizionizmit johistorik" - ndoshta duke pasur parasysh jo vetëm Rusinë, por edhe Turqinë, me të cilën Greqia ka shpesh mosmarrëveshje për shkak të pretendimeve territoriale - duke argumentuar se Rusia "duhet të dënohet për krimet e saj nga drejtësia ndërkombëtare". Ai vuri në pah edhe mbështetjen e deritanishme të Greqisë dhe theksoi se më shumë se gjysma e grurit të Ukrainës eksportohet me anije greke. Megjithatë për transportin e naftës ruse me cisterna greke Mitsotakis nuk tha asgjë.

„Vëllezërit" grekë në Mariupol

Ndihma ushtarake për Ukrainën nuk është shumë e mirëpritur në opinionin grek. Në fakt sipas sondazheve një shumicë e qartë është në favor të sanksioneve kundër Rusisë dhe tre të katërtat e të gjithë grekëve janë po ashtu për mbështetje financiare për Ukrainën. Megjithatë dërgesat e armëve i refuzojnë dy të tretat e të anketuarve.

Nga ana tjetër në Greqi ndihma për "vëllezërit tanë" në Odesa dhe Mariupol mbështetet nga një pjesë e madhe e popullsisë. Sipas qeverisë greke në Mariupol dhe zonën përreth para sulmit rus në Ukrainë jetonin 100.000 njerëz me origjinë greke. Qeveria e Athinës ndjen përgjegjësi për ta.

Prandaj ish-ministri i Jashtëm Nikos Dendias ofroi të shoqëronte një kolonë ndihmash për në Mariupol që në fillim të luftës në mars 2022 dhe shkoi më në fund vetë një muaj më vonë në këtë qytet.

Kur Mariupoli u bë simbol i vuajtjeve të civilëve ukrainas, Dendias kërkoi që Greqia, për shkak të "interesit të saj të veçantë për Mariupolin", të përfshihej në një proces të ardhshëm gjyqësor për krimet ruse të luftës.

Premtim për rindërtimin e Odesës

Për shkak të pakicës në Ukrainë një pjesë e madhe e popullsisë greke mbështet edhe premtimin e Mitsotakis, se Greqia do të ndihmojë për rindërtimin e Ukrainës dhe veçanërisht të Odesës.

Fëmijët në Greqi mësojnë në shkollën fillore, se në qytetin port ukrainas u themelua organizata sekrete greke "Filiki Eteria", e cila në 1821 nxiti kryengritjen kundër sundimit osman në Greqi – duke dhënë sinjalin fillestar për pavarësinë e shtetit në Egje.

"Deklarata e Athinës" për Ukrainën

Pas darkës liderët e vendeve të Ballkanit theksuan mbështetjen e tyre të palëkundur "për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, bazuar në vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës kundër agresionit rus”. Përveç vendeve aspirante të BE, të pranishëm ishin edhe vendet anëtare të BE në Ballkan. Vetëm kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk ishte i ftuar për shkak të tensioneve aktuale mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Krerët e qeverive të Serbisë, Republikës së Moldavisë, Malit të Zi, Greqisë, Rumanisë, Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Kroacisë dhe Ukrainës nënshkruan të ashtuquajturën "Deklarata e Athinës", sipas së cilës "krimet e luftës dhe krimet e tjera nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar”. Të gjithë ata që janë përgjegjës për krime si sulme ndaj civilëve, por edhe për shkatërrimin e infrastrukturës, duhet të japin llogari, kërkojnë nënshkruesit në deklaratë.

"Deklarata e Athinës” përmbante edhe disa rreshta për arsyen e hershme të takimit: se është urgjentisht e nevojshme të përshpejtohet rruga e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE. Megjithatë për një "zhvillim të ri në këtë çështje" nuk kishte asnjë shenjë.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet zyrtari i Kadastrës dhe kryeplaku i Saukut akuzohen për korrupsion në zgjedhjet e 2019! SPAK: Leje legalizimi ose punësim në këmbim të votës

Arrestohet zyrtari i Kadastrës dhe kryeplaku i Saukut akuzohen për korrupsion në zgjedhjet e 2019! SPAK: Leje legalizimi ose punësim në këmbim të votës