Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbrojtur sulmet e Ukrainës ndaj Urës së Krimesë, një pikë strategjike që lidh Rusinë me gadishullin e pushtuar, duke i cilësuar ato si një përgjigje të drejtë ndaj sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës ukrainase.

Në një intervistë për BBC-në, Zelensky deklaroi se Rusia kishte kryer 109 sulme të veçanta ndaj urave në Ukrainë, ndërsa theksoi se ura e Krimesë nuk përdorej vetëm për qëllime civile, por edhe për transportin e pajisjeve dhe furnizimeve ushtarake ruse.

"Ka fakte, jo vetëm fjalët e Putinit. Mund ta shohim", tha ai. 

Sipas presidentit ukrainas, pamjet e publikuara në internet tregojnë tanke dhe mjete të tjera ushtarake ruse që kalojnë përmes kësaj ure, duke e përdorur atë si një korridor të rëndësishëm logjistik për operacionet ushtarake në Krime.

 "Nëse Putini do ta përdorte internetin, ai mund ta shihte këtë.",- shtoi Zelensky.

Sulmet ukrainase me raketa dhe dronë kanë dëmtuar rëndë pjesën qendrore të urës, duke shembur një segment të saj dhe duke e bërë të papërdorshme për trafikun rrugor.

Zelensky akuzoi gjithashtu presidentin rus Vladimir Putin se po kërkon arsye për të përshkallëzuar më tej luftën, duke iu referuar sulmeve të intensifikuara ruse ndaj qyteteve ukrainase.

Ndërkohë, sulmet ruse kanë shkaktuar viktima të reja në Ukrainë. Në qytetin Kryvyi Rih, një fëmijë 7-vjeçar dhe një mjeke 20-vjeçare humbën jetën, ndërsa dhjetëra persona të tjerë mbetën të plagosur.

Në të njëjtën kohë, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet evropiane kanë rikonfirmuar mbështetjen për Kievin, ndërsa vijojnë përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës.

Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Wes Streeting, deklaroi se Rusia mbetet agresore në këtë konflikt dhe se mbështetja për Ukrainën duhet të vazhdojë.


Lajmi kryesor:

Lufta/ 2 viktima dhe 73 të plagosur nga sulmet e Moskës në Ukrainë, droni rus shkel hapësirën ajrore të Moldavisë