TIRANË - Ngjarje të rënda kriminale që kanë tronditur vendin ndër vite mund të zbardhen vetëm përmes një bashkëpunimi më të mirë mes policisë dhe Prokurorisë. Në analizën vjetore të Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kryeprokurori Adriatik Llalla, ngritën njëzëri nevojën për hetimin në mënyrë të shpejtë të tyre.
 
...
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Përgjithshme nuk i ndalën dot përplasjet gjatë analizës vjetore të Policisë së Shtetit, pavarësisht vlerësimeve pozitive për punën e secilës. Ministri Saimir Tahiri evidentoi faktin se pandëshkueshmëria duhet të marrë fund dhe bashkëpunimi duhet të nisë për ngjarje të pazbardhura si ajo e 21 janarit, vrasja e deputetit Fatmir Xhindi, apo edhe ndëshkimin e punonjësve të policisë dhe të SHISH-it, të përfshirë në aktivitete kriminale. 

"Ka raste kuptimplotë se si duhet të bashkëpunojmë, më i fundit arrestimi i punonjësit të SHISH, ka ngjarje që kanë ndodhur tani afër, ka ngjarje që kanë ndodhur pak më larg. Por duke filluar nga 21 janari dhe vrasja e 4 protestuesve në bulevard, tek vrasja e deputetit, e tek shumë ngjarje të tjera, deri tek korrupsioni duhet të ketë veprim aktiv të prokurorisë dhe policisë për ti cuar përpara këto hetime, përndryshe qytetarët nuk kanë asnjë motiv të besojnë se këtu ka ndëshkueshmëri", u shpreh Tahiri.
 
Ish-agjenti i SHISH Florian Bushi që Tahiri i referohet në deklaron e tij, akuzohet për dhënien e informacionit personave të dyshuar për vrasjen e Denis Kasës në Fier javën e shkuar.

Nga ana e tij prokurori i përgjithshëm Adriatik Lalla, kërkoi më tepër angazhim nga punonjësit e policisë në hetimin e rasteve të zyrtarëve të lartë. 
 
" Gjatë vitit 2015, nga hetimet e Prokurorisë, në disa raste edhe me bashkëpunimin e Policisë, janë arrestuar disa gjyqtarë dhe prokurorë.  Por, nga ana tjetër, rezulton se nuk ka referime nga institucionet ligjzbatuese për zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë. Unë e kam ndarë këtë shqetësim edhe me Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, me Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe titullarë të tjerë. Në këto diskutime kemi vlerësuar se duhet një impenjim shumë më i madh i strukturave përkatëse. Antikorrupsioni është sfida jonë më e madhe për integrimin në Bashkimin Europian dhe duhet ta përballojmë të gjithë bashkë", theksoi ai.