Analiza e 'zgjedhjeve' ka një emër, Lulzim Bashën

Analiza e 'zgjedhjeve' ka një emër, Lulzim Bashën

Kreu i PD-së Lulzim Basha

Kryesia e Partisë Demokratike miratoi javën e shkuar, propozimin e sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, për “metodikën e analizës së rezultatit të 25 prillit”. Sipas dokumentit, procesi i analizës do të ndahet në dy faza. Faza e parë është kur drejtuesi politik i qarkut do të ngrejë “grupin e punës” me drejtuesit lokalë të partisë.

Pra, drejtuesi politik i Qarkut, ngarkon dhe bashkëpunon me degët e partisë që brenda datës 1 korrik 2021, të paraqesin “analizën e rezultatit të zgjedhjeve për çdo seksion dhe grup-seksion”, duke analizuar parametrat e performancës në raport me objektivat e synuara, si dhe shkaqet, rrethanat, faktorët dhe të dhënat historike elektorale për secilin prej tyre. Brenda datës 1 Shtator 2021, sekretariati organizativ, i paraqet kryesisë një informacion të plotë për gjendjen dhe veprimtarinë e strukturave vendore të partisë, si dhe i propozon, sipas rastit, ushtrimin e të drejtës së ndërhyrjes sipas nenit 45 të Statutit dhe nevojën objektive për zgjedhje të reja në strukturat vendore të partisë.I gjithë procesi i analizës, dhe i ristrukturimit të organeve të partisë, përfundon brenda datës 30 shtator 2021. Pra, Lulzim Basha po kërkon që zyrtarisht ta transferojë shkakun dhe pasojën e humbjes së zgjedhjeve nga vetë ai, tek strukturat e PD, dhe posaçërisht tek Këshilli Kombëtar dhe degët e rretheve.

Ai po përpiqet dhe ka vendosur tashmë, të flakë nga partia jo vetëm kryetarët degësh, por edhe Bujar Nishanin si kryetar i Këshillit Kombëtar. Duke bërë gjoja “analizën” e zgjedhjeve të 25 Prillit,dhe duke “harruar” analizën më kryesore atë të zgjedhjeve të manipuluara në PD, Lulzim Basha kërkon të transferojë dhunshëm gabimet dhe fajet e tij si autori kryesor i humbjes së pestë rradhazi përballë Edi Ramës. Ai nuk mund të pajtohet me faktin se “humbja është vepër e tij”, ashtu siç nuk mund ta zërë Shtatori me “armiqtë” rreth e rrotull partisë, të cilët do ti kufizonin atij fushën e veprimit. Sali Berisha, mbetet një tjetër problem i madh i Lulzimit, dhe një tjetër betejë që ai duhet ta fitojë (për tu dukur si proamerikan) duke ngritur brënda partisë opinionin se “ish-kryetari mbetet e keqja më e madhe e fitoreve tona”. Lulzim Basha ka vendosur të dalë hapur kundër Sali Berishës në Shtator, dhe kjo pas “analizës”, largimeve dhe zëvëndësimeve që ai do të bëjë “me shumicë votash” duke nisur nga Këshilli Kombëtar dhe ndryshimet e papritura statutore.

Fshirja e  qindra e mijëra emrave të anëtarësisë nga zgjedhjet e fundit në PD me frikën e humbjes së pashmangshme, solli rizgjedhjen e tij si kryetar partie. Baza e PD-së, ndjehet sot më shumë se kurrë e trysnuar, e çoroditur, dhe e ofenduar nga ajo maskaradë që ndodhi me zgjedhjet e 13 Qershorit. Rikonfirmimi me vota të blera i Lulzim Bashës si kryetar PD-je, nuk ka shanse ta zbehë akuzën dhe autorësinë që atij i bëhet, lidhur me humbjen e 25 Prillit. “Analiza” që ai kërkon ti bëjë zgjedhjeve të 25 Prillit, dilemat dhe skenarët që  ai po përdor për të venitur frymën e ndezur të kundërshtarëve brënda partisë, (kur dihet autori i humbjes) paralajmërimet se “në Shtator nisim betejën me Edi Ramën” janë keqpërdorimi më i keq, që po i bën ai fitores së vjedhur si kryetar partie. E vetmja “arritje” e tij në këto 8 vite, dhe 4 vitet e ardhshme si kryetar PD-je, është spastrimi i partisë. Kurse largimi i Berishës, pritet të jetë sfida më e madhe që ai edhe mund ta fitojë, duke përdorur si deri sot, dredhinë dhe pabesinë që e karakterizon.

J.GJ./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë