Që në fillimi, kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë filluan dërgimin e ndihmave ushtarake në Ukrainë, Moska e ka akuzuar Perëndimin se Ukrainës për të zhvilluar një luftë jo të drejtpërdrejtë kundër Rusisë. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Maxim Adams, realiteti është shumë më i ndërlikuar.
Ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë, disa aleatë perëndimorë kanë shtuar mundësinë e përfshirjes më thellë në luftën me Rusinë.
Në fund të shkurtit, presidenti francez Emmanuel Macron refuzoi të përjashtonte dërgimin e trupave të NATO-s në Ukrainë.
Ish-oficeri i inteligjencës së mbrojtjes amerikane, Matt Shoemaker, thotë se kjo ishte një përpjekje e zotit Macron për t’iu kundërvënë Presidentit Putin.
“Ai (Presidenti Macron) me siguri donte t'u dërgonte një mesazh rusëve për t’i frikësuar se NATO vërtetë mund të përfshihej në konflikt. Por për fat të keq, duke qenë se presidenti Macron nuk njoftoi paraprakisht anëtarët e NATO-s për këtë mesazh, ata u kapën të papërgatitur dhe në reagimet e tyre e kundrshtuan këtë si mundësi”, thotë zoti Shoemaker.
Analisti tjetër, Sean Steinberg nga organizata jo qeveritare ‘Qendra Soufan’, thotë se NATO tanimë ka një prani në terren.
“Është e vërtetë pasi duket se vendet anëtare të NATO-s kanë këshilltarë pranë forcave speciale në terren në Ukrainë. Por megjithatë ekziston një vijë e madhe e kuqe që bën dallimin mes pranisë së këshilltarëve në terren dhe një pranie të trupave të SHBA-së dhe NATO-s që do të luftonin drejtpërdrejt kundër trupave ruse”, thotë analisti Sean Steinberg.
Zëvendësadmirali në pension Robert Murrett, tani zëvendësdrejtor i Institutit të Universitetit të Sirakuzës për Politikat e Sigurisë dhe Ligjin, thotë se trupat amerikane mund të gjenden në mbarë botën, por kjo nuk do të thotë se ata po luftojnë.
“Çdo ambasadë që Shtetet e Bashkuara kanë në mbarë botën ka një grup rojesh të sigurisë të marinës amerikane, për mbrojtjen tonë. Pra, në një numër të vogël ka personel ushtarak aktiv në Ukrainë”, thotë zoti Murret.
Ruslan Bortnik, drejtori i Institutit të Politikës së Ukrainës, thotë se përfshirja e NATO-s është e pashmangshme.
“Rusia është shumë më e madhe se Ukraina prandaj ose do të përballemi me rrezikun e humbjes së luftës nga Ukraina, ose do të duhet të dërgohen trupa të huaja në vend”, thotë zoti Bortnik.
Ai beson se NATO nuk ka gjasa të dërgojë trupa për të luftuar në Ukrainë. Por ai shton se shtete individuale si Franca, Polonia, Holanda, Suedia, Norvegjia, Danimarka ose një nga shtetet baltike mund të dërgojnë trupa në Ukrainë./Voa