Analiza/ SHBA kërkoi përjashtimin e Berishës nga lista e kandidatëve të PD për deputet, Basha s’guxoi

Analiza/ SHBA kërkoi përjashtimin e Berishës nga lista e kandidatëve të PD për deputet, Basha s’guxoi

Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Yuri Kim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qënë korrektë dhe konkretë me Lulzim Bashën në lidhje me largimin e Sali Berisha nga politika aktive në përbërje të Partisë Demokratike.

Nuk e filluan “ofensivën” diplomatike pas zgjedhjeve të 25 prillit, teksa ish kryeministri demokrat u shpall person “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit nën akuzën  e korrupsionit të lartë, minimit të demokracisë dhe presionit ndaj drejtësisë për të mbuluar zullumet e shumta të familjes së tij dhe të bashkëpunëtorëve me paratë e shtetit.

Qeveria amerikane nuk merr vendime të çastit, në nervozizëm e sipër për një të paudhë në “cep të perandorisë”, që normalisht duhej të kishte shijuar pensionin politik dhe jetësor që në vitin 2013 dhe të ishte tashmë ose duke luajtur me nipër e mbesa ose duke shkruar kujtimet e tij.

Qeveria amerikane i mendon mirë vendimet që merr, ndryshe nuk quhet kot vendi i demokracisë në botë dhe i institucioneve të konsoliduara që bëjnë punën e tyre vijimësisht pavarësisht se kush është në pushtet.

Sali Berisha tenton ta paraqesë vendimin e DASH e të sekretarit Blinken si një inat të kahershëm të qeverive demokrate në Amerikë kundër tij dhe familjes së tij, duke këmbëngulur se me presidentët republikanë kishte marrëdhënie të shkëlqyera.

Kësaj “melodie” i bie Sali Berisha sa herë del në publik, duke shtuar më pas dhe “statusin” e tij prej patrioti të madh që kishte mbrojtur tërësinë territoriale të Kosovës.

Në krye të herës “letrat” kundër Sali Berishës ka të paktën mbi dy vjet që kanë qënë në DASH, Thesar dhe në të gjitha institucionet e tjera ligjzbatuese amerikane, nën një verifikim të rreptë të ekspertëve më të mirë të SHBA, njëlloj me ‘letrat’ e të paudhëve të tjerë në të katër anët e globit.

Pra janë “kopsitur” si të thuash nga Presidenca republikane, gjë të cilën Berisha e anashkalon pa asnjë klas, duke mos e përmendur presidencën e republikanit Donald Trump, dhe duke e devijuar tek “armiku” Xhorxh Soros, e kuptohet dhe tek kryeministri shqiptar Edi Rama.

Jemi të detyruar të pohojmë sërish se Shqipëria dhe asnjë vend i Ballkanit, por dhe më tej nuk ka vendosur kurrë për kufinjtë e vet. Të paktën që prej 2000 vitesh e këtej, kur fuqitë e mëdha ia kanë përcaktuar kufijtë, herë duke e përfshirë në perandorinë e vet pas pushtimit, e herë duke e copëtuar dhe katandisur në 50 përqind të territorit që ka sot shteti shqiptar.

Kanë qënë burra ata që luftuan me armë por që s’arritën dot të mbajnë brenda kufirit Kosovën, Çamërinë, hapësirën shqiptare deri në Shkup apo pjesën tjetër me qendër Ulqinin në Malin e Zi.

Dhe sikur shqiptarët të ishin aq të fortë për të mbrojtur kufijtë, Berisha nuk bën pjesë në listën e këtyre burrave që luftuan për mbrojtjen e territorit të Shqipërisë së mbetur, përkundrazi.

Sali Berisha sa ishte në pushtet, furnizoi me naftë makinën ushtarake represive të Milosheviçit që vrau, zhduku dhe dëboi pa dallim, kroatë, boshnjakë dhe mbi të gjitha shqiptarë.

E ka pranuar vetë Berisha se e ka furnizuar me naftë shtetin e Milosheviçit, ka pranuar prej zorit pasi mëkëmbësi i kasapit serb të Ballkanit, Bullatoviç bëri një libër ku fliste për thyerjen e ambargosë së OKB nga Shqipëria dhe se Serbia u mbajt në këmbë me naftë shqiptare.

Pasojat dihen, mijëra të vrarë dhe të zhdukur në Kosovë, gati një milion shqiptarë të Kosovës të deportuar në Shqipëri dhe Maqedoni, kështu quhej në atë kohë, përmes operacionit “patkoi”.

Pra nuk mbrojti copat periferike të kufirit të Kosovës, por dha një ndihmë të paçmuar që Milosheviçi të mbante me zjarr e me hekur tërë Kosovën, përmes interlokutimit për furnizime me liderin e “Tigrave” Arkanin dhe Gazideden, pas takimit famëkeq Berisha-Milosheviç të Shën Naumit, viktimë e të cilës ishte zhdukja e Remzi Hoxhës në Kune Vain Lezhë nga SHIK-u.

Ne qeverisjen e dytë Sali Berisha i fali Greqisë disa kilometra det, pjesë e terësisë territoriale të Shqipërisë, marrëveshja që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese si tradhëti kombëtare dhe në një vend normal me drejtësi normale, përgjegjësit duhej të ishin para gjyqit.

E bëmë këtë parantezë për të thënë se amerikanët e kanë kërkuar largimin e Sali Berishës tërësisht nga politika përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të këtij viti, pasi “letrat” i kishte në organet ligjzbatuese amerikane në verifikuara dhe gati vetëm për firmën e sekretarit të DASH që para dy vitesh. Pra përpara se të shpallej person “non grata” familjarisht në mënyrë zyrtare.

Dhe këtë ia kanë kërkuar Lulzim Bashës, në mënyrë të qartë e me këmbëngulje, duke i shpjeguar dhe arsyet e kësaj kërkese, kuptohet pa hyrë shumë në detaje. Janë amerikanë ata dhe kanë në dorë fatet e veta, por dhe gati të të gjithë globit për mbarëvajtjen e demokracisë.

Dhe Sali Berisha e dinte këtë fakt, e dinte se do të shpallej “non grata” jo se e deklaroi Edi Rama në mes të sallës së Parlamentit, duke i thënë se nuk e kalon dot oqeanin, por sepse si ish president dhe ish kryeministër kishte burimet e veta të informacionit dhe se “biri” i tij politik Lulzim Basha ia kishte thënë më se njëherë se çfarë i kanë kërkuar amerikanët.

Por Lulzim Basha nuk e kishte takatin ta dëbonte Sali Berishën përpara zgjedhjeve duke mos e futur në listën e kandidatëve për deputetë, siç bëri 4 vite më parë me numrin dy të PD Jozefina Topalli, ish sekretarin e përgjithshëm Astrit Patozi, Majlinda Bregun, Arben Imamin, Genc Rulin, Ritvan Boden dhe figura të tjera.

Jo vetëm që nuk e la Berishën jashtë listave të kanditatëve për deputetë por e lejoi “babain” e tij politik që dhe ta “testonte”, përmes deklaratave të tilla se “do të kandidoj kur të dua dhe ku të dua vetë për deputet në zgjedhjet e 25 prillit”. Pra pa e pytur fare Lulzim Bashën.

Ndërsa Basha kishte rënë në heshtje dhe nuk fliste, madje konsultohej non stop me Berishën për gjithçka duke marrë prej tij elementin më negativ, dhunën parazgjedhore përmes “grupeve të ruajtjes së votës”, një polici ekstraligjore dhe partiake që dhunonte çdo kundështar politik me pikën më të lartë të aktivitetit, vrasjen në Elbasan të një mjeku.

Kreu i PD asnjëherë nuk e mori mundimin që duke shfrytëzuar të njejtën klauzolë që shfrytëzoi para dy javësh kur e përjashtoi nga grupi parlamentar, të mos e përfshinte në listat e kandidatëve për deputetë. Le të dilte i pavarur Berisha, të fitonte pastaj, ishte punë e tij.

Me gjithë insistimin amerikan, Lulzim Basha dërgoi në KQZ listat e kandidatëve për deputetë për secilin qark, duke e renditur Berishën të gjashtin në listën e kandidatëve të qarkut të Tiranës. Pra në “fashën” fituese të listës së PD.

Me sa duket Basha mendoi më shumë për postin e tij si kryetar i PD, i bindur se humbja përballë Edi Ramës ishte e sigurtë dhe një “dorë” ndihme nga Berisha do t’i bënte punë sikurse i bëri, për t’u rizgjedhur për të tretën herë kryetar. Pavarësisht humbjeve.

Ndërkohë që pas zgjedhjeve me shpalljen “non grata” të Berishës, presioni amerikan ndaj Lulzim Bashës për largimin e Berishës, sëpaku nga grupi parlamentar për të shpëtuar PD ishte akoma më i madh.

Dhe këtu Basha rezistoi deri në fund, duke “lëshuar” vetëm në fund kur u përball me disa të vërteta aspak të këndshme për vetë atë, pjesërisht ia përmendur dhe Berisha në daljet e tij publike pas përjashtimit nga grupi parlamentar, mori vendimin personal për ta larguar nga grupi i PD.

A është ndarë në mënyrë definitive Basha dhe PD nga Berisha, do të pyesë ndokush. Vihet re se janë të “adhnuar” me njëri tjetrin, por Basha po vepron pikë për pikë sipas strategjisë së Berishës, acarim të gjuhës në Parlament, grisjen e fletëve të votimit gjatë votimit për kryetaren e Parlamentit, “grricja” jashtë logjikës me të urtën Lindita Nikolle kryetare Parlamenti, fyerjet ndaj saj dhe në fund braktisjen e seancës së Parlamentit.

Dikush shkruajti se Berisha ishte poshtëruar atë ditë në seancë dhe doli kokëulur menjëherë pas daljes së Bashës nga selia e Kuvendit të Shqipërisë.

E vërteta është se Berisha ishte i kënaqur, sepse Basha veproi sikurse donte ai, u soll si opozitar radikal, dhe në vend që ta ndjente veten të poshtëruar dhe të ecte pas Bashës, në të vërtetë e vuri përpara Bashën dhe grupin parlamentar teksa u “kujdes” që askush të mos ishte në sallën e Kuvendit gjatë numërimit të votave për Lindita Nikollën kryeparlamentare.

Për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se Berisha nuk ka ikur nga PD, sikurse ka qënë kërkesa amerikane që në krye të herës, por po shohim një Berishë të acaruar që po vendos për çdo lëvizje politike në PD. Po shohim një Bashë që vepron pikë për pikë sipas udhëzimeve të Berishës, pa asnjë fuqi ta kundërshtojë, por vetëm ka mbyllur gojën dhe nuk e përshëndet në publik, as nuk e lejon të jetë në radhët e para në sallën e Parlamentit. Madje bën dhe si “nevrik”.

Berisha ndjehet më komod në fund të sallës pasi kontrollon çdo lëvizje të Bashës dhe të grupit Parlamentar, “nuhat” dhe lëvizjen e rrymave të ajrit, ndërsa Basha do jetë i detyruar të lëvizë politikisht nën syrin vigjëlent të Berishës. Duke tentuar të veprojë si ai, tashmë që zyrtarisht i ka kaluar dhe barra e përgjegjësisë për çdo vendim që merr, i dhënë “paketë” i gatshëm nga Berisha, apo indirekt me një status në facebook.

Ish kryeministri nuk harron t’ia kujtojë Bashës se është pjesë e grupit parlamentar dhe se askush nuk guxon ta ndalë hyrjen në seli, në mbledhje grupi apo ku t’i dojë kokrra e qejfit.

Ndaj themi që në vend të Berishës jashtë politikës për të shpëtuar shqiptarët e lodhur për 30 vite nga hija e tij e zezë, që ka lënë pas korrupsion, viktima dhe tradhëti kombëtare, po shohin një “Berishë në katror”, për shkak të “trimërimit” të Lulzim Bashës dhe radikalizimit të tij.

Do ketë dhe përplasje të tjera podiumesh, takime paralele me bazën, por thjeshtë dhe vetëm për të çuar gjërat në PD aty ku ishin, pasi as Basha s’ka fuqi të zbojë Berishën nga PD dhe as Berisha që e ka mundësinë e dëbimit të Bashës nga karrigia e kryetarit, nuk ka alternativë të hajrit për ta zëvendësuar. Kështu do vazhdojë deri në fund “hidh e prit” mes tyre.

Tashmë alternativa e vërtetë për të mbijetuar PD si forcë politike në këtë dualizëm pushteti mes Berishës dhe Bashës ka mbetur në largimin e dy liderëve nga kjo parti, ose shkrirja dhe bërja nga e para e një partie me të vërtetë të djathtë, që të konkurrojë për pushtet me PS e Edi Ramës, i cili ndjehet i sigurtë në fitoret e radhës në ballafaqimet elektorale.

Demokratët kanë të drejtën e zgjedhjes, ndërsa mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë nuk mungon në këtë proces ciklik për një parti politike, simotrat e të cilës që shembën komunizmin në Europën Lindore, janë shkrirë me kohë e vakt dhee emri i tyre tashmë është harruar!

J.GJ./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar