Anatomia e gruas në vargje,
superfuqia e Erosit në librin Vrima

Anatomia e gruas në vargje,<br />superfuqia e Erosit në librin Vrima
Vepra Vrima, ndërkohë është vepra më e popullarizuar, shkaku  i rrëfimit transparent të  feminilitetit, si dhe  i pjekurisë  artistike të saj. Duke lexuar këtë poezi,  mendoja, si do të ishte libri anolog, i shkruar nga një poet. A do të arrinte të ruante poetiken mbi humanen e universit  të intimitetit, hyjnoren dhe brishtësinë e çasteve .

Erosi deri vonë ishte i mundur nga letërsia shqipe e sidomos nga letërsia e gruas, ndërsa tani, vjen me tërë impulsivitetin e tij, me papërmbajshmërinë e Afërditës antike, me lakuriqësinë ekstreme të emocionit  dhe me forcën goditëse të instinktit, në përmasën njerëzore si ndjenjë, deri tani e  viktimizuar nga ideologji, norma  e komplekse.

Rita, me poezinë e saj transformon barrën e mëkatit- në liri, në fluturimin dhe prekjen e dimensioneve të reja të erotikës. Autorja është intime me veten, ndaj edhe me lexuesin. Rita korrigjon pikat e jetës. Ajo vë qendra të reja brenda qenies njerëzore si pak krijues, realizon lirinë krijuese  pasi ka ndërtuar  lirinë në vete dhe dashuria për të  është vetëm inercion i ndjesisë, duke mos llogaritur  rrethin, duke shkelur tabutë,  sepse jeton në infinit, është sirenë e dashuruar me princin e detit, ndaj është një zambak, mrekullisht i çelur...duke u çmenduruar nga dashuria.

Poetja posedon një hapësirë të gjerë, me një këmbë në shkëmb/e një këmbë në det se universi, yjet e lulet kanë lindur si autorja, përmes ngjizjes së dashurisë. Gjeneza është aty, kjo është eureka letrare e autores, kjo është parajsa reale e saj. Ky inercion autoren e nis udhës së demitizimeve  -  në emër të primatit të brendisë së saj.
 
Feminiliteti i saj kap edhe segmentin psikosocial të shoqërisë, është kurajues dinjiteti i saj në vargjet- të mishëroj/se je një burrë/i frustruar nga babai/i qullashur  nga nëna /i tredhur nga gruaja /i tallur nga dashnorja/i poshtëruar nga bosi /i harruar nga zoti...

duke shpërfaqur superegon e  rrejshme të burrave  përmes filozofisë së brishtësisë së amësisë.
Kontrast i bukur dhe përmbytës i koncepteve të vjetra. Amësia është pjesë e  identitetit femëror dhe nëna është Zoti derisa shterpësia  është një shkretëtirë në trupin e gruas-poezia Dështimi- gjaku do të pushojë së rrjedhuri/e dalëngadalë do të mpikset në trup/ e trupi do të thahet/si druri në thatësirë.... 

Ndërtimi i erotikës në këtë poezi, bëhet përmes rrëfimit të drejtpërdrejtë, e shpesh edhe në formë dialogu -po e zëmë poezia  Publicitet ka një ndërtim prozaik, e rrënon gjuhën e poezisë,  duke mbetur  në nivelin provokativ për të dëshmuar  lirinë si nevoje krijuese dhe veten pronë personale, sakaq shfaqet ironizimi i atmosferës intime dhe e bën poezinë -poezi. Është  ndjenja  e pafajësisë, që poezinë e bën  çlirim dhe lumturi.  Shumica e poezive anojnë nga proza, heroina flet në mënyrën urdhërore, duke ofruar anatominë e saj-në planetin e  mishtë, ajo luan  me pakohësinë e ndjenjës duke e ndjerë gjakun që plasarit pllakat qelizore.
 
Gruaja te kjo autore shpërbëhet  në takimin e mishtë dhe ribëhet, ndërsa gjaku humb kuptimin tradicional në letërsinë tonë, ai nuk derdhet për tokën në luftë, tani merr kuptimin e parë, shfryn valvulat e zemrës për pushtimin e lart ë- poshtë vetes.  Erosi tek Rita është superfuqi, si te autori i shek. VI p.Krishtit, Theognisi në poezinë mbi Erosin që mund gjithçka
 Ti Trojen e shkatrrove /Theseun e thërmove/Ean e gjorë, e copëtove/Kudo ku vure dorë/Fundin u nxore/I mbarove
por kjo mini poezi ka nota elegjiake e kjo e Ritës më shumë është  festë.
 
Subjekti lirik i Ritës nuk ia lë pasionin vetëm racios, ia lë energjisë, ngase ky libër nuk ndërtohet mbi aktin intim, por mbi dashurinë. Autorja nuk ka pranga në shqisat e saj, në mendjen e trupin e saj, nuk ka kufij,  ajo është e harlisur nga bukuria dhe kënaqësia e universit nga lajmërohet, nga universi i Erosit, atje ku mund ta xhelozonte Afërdita e Hera.  

Pasioni në këtë libër është qielli dhe toka e autores  dhe asgjë që bie nga qielli e që mbin nga toka, ajo nuk e refuzon, përkundrazi këtë qiell e merr si një truall ku ajo mund  të mbjellë gjithë sortet e erosit të saj, dhe tokën si një bazë të aterimit të saj emocional. Këtu nis ndjenja hyjnore që i vesh autorja energjisë që bashkon, duke  përdorur edhe gjuhën e natyrës- prishen lulet....uj* i burimit zhgërryhet me dhera....

Duket sikur autorja nuk ka mbaruar asnjë shkollë jete të shoqërisë sonë, ajo nuk u adaptohet as edhe për një çast e për një varg mentalitetit apo diskursit jetësor të shoqërisë, këtu ajo është trimëreshë mbi trimat, bën jetën e saj për ta jetuar dhuratën e natyrës-dashurinë.
 
Autorja triumfon artistikisht me veprën e saj falë lirisë së egos që ka,  jeton diku ku nuk ka smirë, egoizëm, vrasje, kriza, ajo bën jetën nën mbretërinë e pakushte të pasionit, diku në thellësinë e  natyrës njerëzore,  ku s’ka ideologji as diktaturë, kah nuk ka qarkulluar bibël as kuran-ajo s’fidon edhe klerin, ideja e zotit tek autorja është robëri shpirti, gjë që ajo nuk e përfill, duke sajuar harmoninë e artit përmes farës së lirisë shpirtërore.

Në librat e saj erosi evulon nga vargu në varg, merr forcë nga faqja në faqe dhe krijon imazhe vizuale pa kompleks,  pamjet që i sjellë leksiku-shpesh anatomik dhe i drejtpërdrejtë.  Përkundër një vije frymëzimi, autorja  nuk rrëshqet në banalitet, në irritim dhe nuk bën shkarje motivimi, nuk heshtë as kur do të heshtnin të gjithë, erosi i saj  sulmon pahiri dhe spontanisht. Artistikja e saj është e madhe sa pangopshmëria  me dashuri.

Ajo është erosi vet. Libri nis me Daljen nga muret e mishta për të udhëtuar vazhdimisht kah dorëzimi i trupit dhe i shpirtit nëpër Zonën e ndaluar  ku rri fshehur liria, për të vazhduar në honin e pafundësisë ku gjendet Fara e rilindjes. 
 
Rita ka shkruar libra që përfaqësojnë diçka në letërsinë shqipe-lirinë krijuese, feminilitetin si triumf  bashkë me  elokuencën e krijimit dashuror, jo si afeksion por si qëllim. 
Rita Petro

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Elbasan/ Përplasi me kamioçinë një makinë dhe plagosi 4 persona, në pranga 41-vjeçari

Elbasan/ Përplasi me kamioçinë një makinë dhe plagosi 4 persona, në pranga 41-vjeçari