Andi Hila, paradoksi i qenies
në raport me progresin në pikturë

Andi Hila, paradoksi i qenies<br />në raport me progresin në pikturë
Kur më propozuan për të shkruar një tekst kuratorial për një cikël pikturash të Andi Hilës, ndjesia e parë që pata ishte një kujtim i hershëm nga vitet e liceut në Shkodër, ku një nga piktorët që më tërhiqte asokohe ishte pikërisht edhe Andi Hila, që e kujtoj si një gurrë ngjyrash që më fuste në një lloj gjendjeje katarsisi (κάθαρσις), e cila ma bënte edhe më të dashur e intime marrëdhënien me ngjyrën.

Mendimi i parë që më erdhi teksa i shihja e përpiqesha të banoja në pikturat e fundit të Andi Hilës, ishte se subjekti merrte statusin e një objekti dhe vice versa. Më konkrete dhe më e rrokshme është tek ato tablo ku kemi një apo disa personazhe në një raport në kufijtë e teatrales me objekte industriale (lodra fëmijësh, maska, pamja e pjesshme e një uzine), ku pesha tradicionale që ka njeriu apo personazhi në një vepër arti i kalon objektit, dhe kështu njeriu reduktohet në një lloj instrumenti apo dekori (e shkuara e objekteve) që i shërben një subjekti të ri që po del në skenë.[2]

A nuk po ndodh pikërisht kjo sot: në vend që objektet e prodhuara të na shërbejnë ne, – sikundër pandehëm në kryeherë – po u shërbejmë ne atyre, çdo ditë e më shumë, duke i bërë përherë e më të sofistikuara, përherë e mësmart, përherë e më të çuditshme[3] dhe mbi të gjitha përherë e më të pranishme. Mos ndoshta kështu po bëhen gjithnjë e më shumë subjekte? Sa më të “zgjuara” të bëhen objektet, aq më shumë çnjerëzohet njeriu në tërheqje e sipër – një lidhje shkak-pasojë e cila nuk revokohet dot.
 
Larushia dhe dinamika polikromatike në pikturën e Hilës është pak a shumë po ajo që e ka karakterizuar vazhdimisht. Në rastin e punimeve të fundit, kjo larushi dhe kjo dinamikë tanimë mbështjell një tjetër ngarkesë semantike, ose edhe konceptuale: një përsiatje apo fenomenologji pamore mbi paradoksin e qenies në raport me të ashtuquajturin progres dhe me gjurmët e tij mbi kurmin e shpirtin njerëzor, si dhe pashmangshmërisht edhe në raport me kujtesën. Shprehia e disa personazheve të jep të kuptosh se kanë rënë pre e një lloj amnezie, e cila i ka shkëputur nga e shkuara (rrënjët) dhe i detyron të jetojnë një të tashme të vazhdueshme, e kyçur në një rreth vicioz.
Çdo gjë që ata kanë janë objektet e ngritura në subjekt, të veshura me qenësi, qenësi të cilën ua kanë marrë njerëzve, pa të cilën ata nuk janë gjë tjetër vetëm se forma pa përmbajtje.

Edhe dritaret e murosura, të zhveshura nga komunikimi, të cilave u ka mbetur vetëm korniza, janë veshur me një qenësi sui generis, dhe si të tilla kanë diçka për të komunikuar: praninë e papranishme të njeriut.
Në disa piktura ka diçka që të kujton atmosferën e Hopper-it, ku subjekti njeri është pavetor, i pamundur dhe i parëndësishëm karshi kontekstit urban/industrial ku është vendosur.
 
Në këtë mënyrë, piktura e Andi Hilës nuk është thjesht një ribërje e personalizuar e disa paradokseve që ofron dinamika e mbytur e ndryshimeve në kontekstin shqiptar, por krijimi i një distopie me fragmente të caktuara të mbledhura andej-këndej, për të na dhënë kështu një tërësi e cila shënjon trajektoren e një modeli jetese të tëhuajësuar, ose pamundësinë tonë si shoqëri për të përbrendësuar një model të qenësishëm.
Titulli që i përbashkon këto piktura/fragmente, La vita e bella, le të jetë emri i kësaj distopie, një ironi që na jep të kuptojmë se sa të pafuqishëm jemi përballë makinerisë gjigante të qytetërimit.
 
Dikush e quajti artin “thirrje për të krijuar njeriun”. Edhe Hila këtë bën, por nëpërmjet pranisë së papranishme të njeriut, e cila evokon nevojën e këtij (ri)krijimi të vazhdueshëm, të cilin mund të na e ofrojë vetëm arti. Përndryshe njeriu nuk ekziston, ose ekziston si një tjetër qenie, i huaj edhe për vetveten.

------------------------------------------------------
[1] Kjo sepse “arti është vazhdimisht një lindje e re”. (Jean Cassou)
[2] Një rast tipik ku manifestohet ky fenomen është industria e modës, ku modelet nëpër pasarela janë vetëm forma mbi të cilat aplikohet subjekti veshje. Mjafton vetëm të shohësh fytyrat e tyre thellësisht anonime, pa asnjë emocion, për të kuptuar rënien në forma, në modele, ose metamorfozën në kuptimin kafkian. Ka shumë që i quajnë kukulla apo ikona, domethënë qenie të zbrazura nga jeta.
[3] Në librin Amerika, Baudrillard-i shkruan se një nga gjërat më misterioze të kësaj kohe është një televizor i ndezur në një dhomë, pa njeri, bosh. Ngjan sikur një tjetër planet po komunikon me ty.

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon foto që nuk ndodhet fare në Shqipëri

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon foto që nuk ndodhet fare në Shqipëri