Andi Hila, paradoksi i qenies në 
 raport me progresin në pikturë

Andi Hila, paradoksi i qenies në <br /> raport me progresin në pikturë
TIRANË - Kur më propozuan për të shkruar një tekst kuratorial për një cikël pikturash të Andi Hilës, ndjesia e parë që pata ishte një kujtim i hershëm nga vitet e liceut në Shkodër, ku një nga piktorët që më tërhiqte asokohe ishte pikërisht edhe Andi Hila, që e kujtoj si një gurrë ngjyrash që më fuste në një lloj gjendjeje katarsisi (κάθαρσις), e cila ma bënte edhe më të dashur e intime marrëdhënien me ngjyrën.

Mendimi i parë që më erdhi teksa i shihja e përpiqesha të banoja në pikturat e fundit të Andi Hilës, ishte se subjekti merrte statusin e një objekti dhe vice versa. Më konkrete dhe më e rrokshme është tek ato tablo ku kemi një apo disa personazhe në një raport në kufijtë e teatrales me objekte industriale (lodra fëmijësh, maska, pamja e pjesshme e një uzine), ku pesha tradicionale që ka njeriu apo personazhi në një vepër arti i kalon objektit, dhe kështu njeriu reduktohet në një lloj instrumenti apo dekori (e shkuara e objekteve) që i shërben një subjekti të ri që po del në skenë.[2]

A nuk po ndodh pikërisht kjo sot: në vend që objektet e prodhuara të na shërbejnë ne, – sikundër pandehëm në kryeherë – po u shërbejmë ne atyre, çdo ditë e më shumë, duke i bërë përherë e më të sofistikuara, përherë e mësmart, përherë e më të çuditshme[3] dhe mbi të gjitha përherë e më të pranishme. Mos ndoshta kështu po bëhen gjithnjë e më shumë subjekte? Sa më të “zgjuara” të bëhen objektet, aq më shumë çnjerëzohet njeriu në tërheqje e sipër – një lidhje shkak-pasojë e cila nuk revokohet dot.

Larushia dhe dinamika polikromatike në pikturën e Hilës është pak a shumë po ajo që e ka karakterizuar vazhdimisht. Në rastin e punimeve të fundit, kjo larushi dhe kjo dinamikë tanimë mbështjell një tjetër ngarkesë semantike, ose edhe konceptuale: një përsiatje apo fenomenologji pamore mbi paradoksin e qenies në raport me të ashtuquajturin progres dhe me gjurmët e tij mbi kurmin e shpirtin njerëzor, si dhe pashmangshmërisht edhe në raport me kujtesën. Shprehia e disa personazheve të jep të kuptosh se kanë rënë pre e një lloj amnezie, e cila i ka shkëputur nga e shkuara (rrënjët) dhe i detyron të jetojnë një të tashme të vazhdueshme, e kyçur në një rreth vicioz.

Çdo gjë që ata kanë janë objektet e ngritura në subjekt, të veshura me qenësi, qenësi të cilën ua kanë marrë njerëzve, pa të cilën ata nuk janë gjë tjetër vetëm se forma pa përmbajtje.
 
Edhe dritaret e murosura, të zhveshura nga komunikimi, të cilave u ka mbetur vetëm korniza, janë veshur me një qenësi sui generis, dhe si të tilla kanë diçka për të komunikuar: praninë e papranishme të njeriut. Në disa piktura ka diçka që të kujton atmosferën e Hopper-it, ku subjekti njeri është pavetor, i pamundur dhe i parëndësishëm karshi kontekstit urban/industrial ku është vendosur.

Në këtë mënyrë, piktura e Andi Hilës nuk është thjesht një ribërje e personalizuar e disa paradokseve që ofron dinamika e mbytur e ndryshimeve në kontekstin shqiptar, por krijimi i një distopie me fragmente të caktuara të mbledhura andej-këndej, për të na dhënë kështu një tërësi e cila shënjon trajektoren e një modeli jetese të tëhuajësuar, ose pamundësinë tonë si shoqëri për të përbrendësuar një model të qenësishëm. Titulli që i përbashkon këto piktura/fragmente, La vita e bella, le të jetë emri i kësaj distopie, një ironi që na jep të kuptojmë se sa të pafuqishëm jemi përballë makinerisë gjigante të qytetërimit.

 Dikush e quajti artin “thirrje për të krijuar njeriun”. Edhe Hila këtë bën, por nëpërmjet pranisë së papranishme të njeriut, e cila evokon nevojën e këtij (ri)krijimi të vazhdueshëm, të cilin mund të na e ofrojë vetëm arti. Përndryshe njeriu nuk ekziston, ose ekziston si një tjetër qenie, i huaj edhe për vetveten.
 
------------------------------------------------------
[1] Kjo sepse “arti është vazhdimisht një lindje e re”. (Jean Cassou)
[2] Një rast tipik ku manifestohet ky fenomen është industria e modës, ku modelet nëpër pasarela janë vetëm forma mbi të cilat aplikohet subjekti veshje. Mjafton vetëm të shohësh fytyrat e tyre thellësisht anonime, pa asnjë emocion, për të kuptuar rënien në forma, në modele, ose metamorfozën në kuptimin kafkian. Ka shumë që i quajnë kukulla apo ikona, domethënë qenie të zbrazura nga jeta.
[3] Në librin Amerika, Baudrillard-i shkruan se një nga gjërat më misterioze të kësaj kohe është një televizor i ndezur në një dhomë, pa njeri, bosh. Ngjan sikur një tjetër planet po komunikon me ty.
 
Andi Hila vjen me një ekspozitë të veçantë në Tulla Center në Tiranë
Andi Hila, piktori nga Shkodra ka çelur një ekspozitë të veçantë që mban emrin “La Vita e Bella” në Tulla Center në Tiranë. Artisti vjen me një shprehje interesante të individualitetit piktorik. Duke parë pikturat e ndryshme të Andi Hilës nëpër vite shihet një përdorim i ngjyrave që janë gjithmonë të lidhura në një kompozicion të veçantë. Gjithashtu edhe simbolika e veprave është e pasur me probleme të përjetimit të realitetit psikologjik të njeriut të sotëm.

Andi Hila ka spikatur në mënyrë të veçantë me pjesëmarrjet e tij në Onufri në vitin 2003 e 2010, në Marubi në vitin 2002 e 2005. Gjithashtu ai ka marrë pjesë në Bienalen e Vizatimit në Shkup, Bienalen e Izmirit dhe në vitin 2009, në Bienalen në Florencë të Italisë, etj.  Cikli i ekspozitave në Tulla me artistin shkodran Andi Hila. "La Vita é Bella" eshte e kuruar nga Edison Çeraj. Eskpozita do të qëndrojë e hapur deri më 13 Prill.


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri