Në përballjen me Kukësin të humbur me shifrat 0-2 Tirana kishte një tifoz special në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi”. Bëhet fjalë për ish-futbollistin bardheblu, Andi Lila, i cili edhe pse prej vitesh luan në Greqi, një pjesë të zemrës e ka gjithmonë te bardheblutë. Në një proncim për situatën ku ndodhet ekipi Lila thotë se Tirana në fund do ia dalë të shpëtojë sezonin.
“Nuk e mendoj që Tirana me këtë grup që ka, me këto kualitete, të jetë në këto pozita që është. Duhet të ishte pak më mirë, ose shumë më mirë se sa sot. Nuk mendoj se Tirana mund të rrezikojë rënien nga kategoria. Kjo pasi i ka kualitetet brenda, dinë të luajnë futboll dhe kanë treguar se kanë bërë shumë ndeshje të mira.”
Lila jep opinionin e tij edhe për trajnerin e ri të Kombëtares Edi Reja dhe shpreson që me të ekipi të përsërisë vitin e mrekullueshëm 2016 ku kuqezinjtë u kualifikuan në Europian.
“Çdo ndryshim është për të mirën e punës dhe mendoj se trajneri i ri që ka ardhur, me eksperiencën që ka do të bëjë shumë gjëra pozitive. Kam bindje absolute për këtë. Ai e ka treguar veten në disa skuadra ku ka qenë. Shpresoj të kthehemi aty ku ishim dhe ku duan të gjithë shqiptarët, të kthehet ai qejfi i madh që kishim në vitin 2016, 2015, në gjithë kualifikueset.”