Anemia, shkaqet e simptomat, rëndësia e diagnozës laboratorike

Anemia, shkaqet e simptomat, rëndësia e diagnozës laboratorike

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Adela Kryeziu, mjeke laboratori biokimik klinik, pranë QSUT-së. Doktoreshë Adela ka folur për aneminë dhe rëndësinë e diagnozës laboratorike. Ajo ka sqaruar se çfarë është anemia dhe cilat janë shkaqet dhe simptomat e kësaj sëmundje. Mjekja Adela Kryeziu është ndalur më pas në një aspekt të rëndësishëm duke shpjeguar se cilat janë testet diagnostikuese dhe rëndësia e laboratorit. Më pas ajo sqaroi edhe se cilat janë llojet më të shpeshta të anemisë dhe se kush rrezikohet më shumë nga kjo sëmundje. Në fund ekspertja jonë u është përgjigjur live pyetjeve të qytetarëve në Report TV.

Çfarë është anemia?

Anemia është një sindromë e zakonshme në praktikën e përditshme klinike. Mund të jetë e veçuar ose bashkëshoqëruese e sëmundjeve të tjera. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 25% e popullatës botërore vuan nga anemia.

Le të ndalemi pak te përkufizimi i anemisë.

Anemia është një gjendje shëndetësore, e cila karakterizohet nga rënia e përqendrimit të hemoglobinës nën vlerat referente, me ose pa ulje të numrit të eritrociteve, që janë rruazat e kuqe të gjakut. Hemoglobina vetë është një proteinë e pasur me hekur, që ndodhet brenda këtyre rruazave të kuqe dhe që bën transportin e oksigjenit nga mushkëria drejt indeve. Kjo është arsyeja që personat me anemi kanë një mungesë oksigjeni, e cila bën që të shfaqen edhe simptomat.

Cilat janë shkaqet e këtyre simptomave të anemisë dhe kur duhet kuptuar që kemi të bëjmë me anemi? A duhet që të trembemi nga anemia?

Është serioze. Mjeku në momentin që ka në dorë një analizë ku shfaqet anemia, duhet që të bëjë kujdes. Po ashtu pacienti nga ana e tij, duhet që të jetë shumë i kujdesshëm. Shkaqet e anemisë ndahen në shkaqe sasiore dhe në shkaqe cilësore. Sasiore mund të jetë për shkak të humbjes në sasi të pakët, por të shtrirë në kohë të gjakut për shkak të sëmundjeve të ndryshme, të çrregullimeve intestinale apo të çrregullimeve menstruale. Ndërkohë kemi edhe humbje sasiore akute, siç është rasti i hemorragjisë nga aksidentet, nga traumat etj. Ndërsa në shkaqet cilësore, e cila është edhe forma më e shpeshtë e anemisë, mund të përmendim atë për shkak të mungesës së hekurit. Shkak tjetër cilësor është edhe mungesa e vitaminës B12 dhe e acidit folik. Gjithashtu edhe për shkak të sintezës gjenetike të hemoglobinës etj.

Cilat janë testet diagnostikuese dhe rëndësia e laboratorit?

Testi i parë diagnostikues, madje edhe në mungesë të simptomave, sepse shpeshherë pacienti kur ka humbje të gjakut në sasi të pakët dhe të shtirë në kohë, siç edhe thashë pak më lart, zakonisht mund t’i anashkalojë ose mund të mos ketë fare simptoma, por paraqitet në laborator për një analizë rutinë të gjakut dhe aty informohet që ka anemi. Pra testi i parë i anemisë është analiza e gjakut komplet, e cila tregon një rënie të përqendrimit të hemoglobinës, të hematokritit apo ndoshta edhe të numrit të eritrociteve. Kjo pastaj, pasohet me një sërë testesh të tjera diagnostikuese, për të zbuluar më tej shkaqet, siç është analiza e metabolizmit të hekurit në organizëm, elektroforeza e hemoglobinës po ashtu ka një rëndësi të veçantë, niveli i vitaminës B12 dhe deri në ekzaminime të tjera, siç është ekzaminimi gjenetik.

Çfarë mund të themi për gratë shtatzëna?

Theksoj sidomos që një grua shtatzënë duhet të jetë gjithnjë nën monitorimin e mjekut sepse gratë shtatzëna janë ajo kategori njerëzish, e cila është ndër më të rrezikuarat, prandaj edhe duhet monitoruar dhe mjekuar kur është e nevojshme, sepse komplikimet e shëndetit nga anemia janë të shumta, siç mund të jetë një lindje e parakohshme e fëmijës. Pra, e theksoj që një grua shtatzënë duhet të jetë nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekut dhe të ekzaminimeve laboratorike.

Cilat janë llojet më të shpeshta të anemisë?

Llojet më të shpeshta të anemisë në popullatën tonë janë anemitë që vijnë nga mungesa e hemoglobinës dhe eritrocitet, pra rruazat e kuqe, në këtë rast janë më të vogla sesa zakonisht. Simptoma të kësaj anemia janë lodhja, mungesa e energjisë, vështirësia në frymëmarrje etj. Pra, kjo është një simptomë e zakonshme që tregon se pacienti vuan nga anemia.

Fillimisht, kur kuptojmë se kemi probleme, duhet të drejtohemi te mjeku apo në laborator për të bërë analizat e gjakut?

Normalisht që, nëse një person ka simptoma, kontakti i parë duhet që të jetë me mjekun, të cilit duhet t’i tregojë se çfarë ndien. Pastaj është mjeku ai që e drejton pacientin në laborator për të bërë analizën e gjakut komplet dhe pastaj për t’u thelluar, nëse është e nevojshme, edhe në analiza të tjera. Testet laboratorike janë shumë të rëndësishme për përcaktimin e diagnozës dhe për përcaktimin e trajtimit të anemive, por edhe në ndjekje. Interpretimi i saktë i analizave laboratorike është shumë i rëndësishëm sepse një vonesë në diagnostikim apo një diagnostikim i gabuar, përkthehet në kosto për pacientin, e cila do të thotë vonesë në trajtimin e sëmundjes, por edhe kosto financiare nëse pacienti bënte teste njëra pas tjetrës dhe nuk merret rezultati i duhur, i kërkuar.

Jam nga Elbasani. Kam një nip 2 vjeç e gjysmë. Para një viti pati anemi të theksuar, kurse këto ditë ishte i shtruar në spital me ftohje ddhe ka dalë përsëri me anemi. Momentin e parë kur iu shfaq anemia, mjekët në Tiranë na thanë që e kishte prej daljes së dhëmbëve. A është e nevojshme që ta sjellim përsëri në Tiranë?

Fëmijët janë kategoria më e rrezikuar, përveç grave shtatzëna, për t’u prekur nga anemia. Anemia, përveçse e veçuar, mund të jetë edhe shoqëruese e sëmundjeve të tjera. Por, me kurimin e sëmundjes parësore, normalisht që mund të kurohet edhe anemia. Normalisht që duhen bërë analizat laboratorike, si gjaku komplet dhe metabolizmi i hekurit. E theksoj se duhen përsëritur analizat e fëmijës sepse shfaqja e anemisë mund të ketë edhe shkaqe të tjera. Nuk është patjetër e nevojshme që fëmijën ta sjellin në Tiranë, por në qytetin ku ata banojnë mund t’i kryejnë këto ekzaminime laboratorike, si edhe konsultat me mjekët specialistë.

Flas nga Tirana. Jam 61 vjeçe. Tani në stinën e nxehtë ndihem shumë e këputur, më bllokohet frymëmarrja dhe më bëhet një si lëmsh në stomak. Kam rreth 20 vite që ndihem kështu kur bën vapë. Gjithnjë kam qenë anemike. E kam bërë edhe analizën e elektroforezës dhe mjekët më thonë vetëm që jam anemike. Mjekim kam marrë në periudhën e menopauzës. Gjithnjë kur bëj analizat e gjakut, vlera e hemoglobinës më del më e ulët sesa vlera normale dhe shkaku, sipas mjekut, është mungesa e hekurit.

Simptomat ndoshta theksohen edhe më shumë për shkak të vapës, Por zonja, siç tha, është një rast anemik i njohur. Zonja duhet patjetër që, pas ekzaminimit laboratorik, të konsultohet me mjekun për të marrë një mjekim për të shtuar nivelin e hekurit. Unë nuk e di sesa kohë dhe sesi është trajtuar zonja me hekur, sepse ndoshta nuk ka marrë mjaftueshëm, por veprimi i duhur është që ajo duhet patjetër të bëjë analizat e gjakut dhe ndoshta të marrë përsëri trajtimin me hekur. Trajtimet me hekur duan një kujces të veçantë edhe për sa i përket dietës ushqimore dhe zgjasin 2-3 muaj ose edhe më shumë. Simptomat që shfaq zonja, mund të vijnë edhe për shkak të anemisë, por nuk janë specifike të saj. Ato përkeqësohen edhe nga moti i nxehtë, i cili gjithnjë rëndon te fëmijët, te personat e sëmurë dhe te të moshuarit.

Jam 51 vjeçe. Para 5 vitesh jam operuar prej stomakut. Tani jam diagnostikur me mungesë të vitaminës B12. Kam marrë hekur. Dua të di se kur bëhet vitamina B12 si injeksion?

Siç e thashë edhe më parë, një nga format e anemisë është edhe mungesa e vitaminës B12. Kjo është një formë më e rrallë sesa forma e anemisë nga mungesa e hekurit. Mendoj që kjo mund të ketë ardhur edhe si pasojë e operacionit që zonja ka kryer, pra është një anemi sekondare. Në fillim të mjekimit, vitamina B12 bëhet çdo ditë javën e parë, më pas një herë në javë dhe pastaj një herë në muaj. Gjithsesi, zonja duhet që të konsultohet patjetër edhe me mjekun specialist hematolog, i cili ka përcaktuar diagnozën sipas analizave laboratorike të gjakut dhe që gjithashtu, ka përcaktuar edhe trajtimin e saj me vitaminën B12.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur