Shqipëria ka përshpejtuar ndjeshëm negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian pas vitit 2022, ndërsa mbyllja e tyre në vitin 2027 konsiderohet një objektiv ambicioz, por i arritshëm.
Ky është një nga vlerësimet e një studimi të porositur nga Parlamenti Europian, të hartuar nga ekspertë të çështjeve europiane dhe ndërkombëtare dhe të publikuar më 11 nëntor në Komitetin e Punëve të Jashtme të PE-së.
Studimi e rendit Shqipërinë, së bashku me Malin e Zi, mes dy vendeve kryesore kandidate për anëtarësim. Sipas ekspertëve, përvoja e këtyre dy vendeve mund t'i shërbejë Bashkimit Europian edhe për zgjerimin me vendet e tjera kandidate.
Në rastin e Shqipërisë, dokumenti veçon ritmin e hapjes së negociatave. Deri në vitin 2022, procesi ka ecur ngadalë, jo vetëm për arsye teknike, por edhe për shkak të pengesave politike nga vende anëtare të BE-së.
Pas vitit 2022, Shqipëria ka shënuar përshpejtimin më të madh në hapjen e negociatave, ndërsa përfundimi i tyre brenda vitit 2027 vlerësohet si një synim që mund të realizohet. Një pjesë e vlerësimit pozitiv lidhet me drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit. Në studim përmendet veçanërisht puna e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Shqipëria vlerësohet gjithashtu për ritmin e shpejtë të përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, në kuadër të kërkesave që lidhen me shtetin ligjor. Edhe politika e jashtme konsiderohet një pikë e fortë. Sipas studimit, Shqipëria ka ruajtur një përputhje të qëndrueshme me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Megjithatë, krahas vlerësimeve pozitive, dokumenti evidenton edhe një sërë problemesh që vijojnë të mbeten në procesin e integrimit. Administrata publike konsiderohet një nga pikat kritike, sidomos sa u përket emërimeve.
Studimi përmend gjithashtu problemet me pavarësinë e institucioneve, polarizimin politik dhe lirinë e medias.
Në listën e çështjeve që kërkojnë vëmendje mbeten edhe zbatimi i reformës në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit. Ekspertët vërejnë se përafrimi i legjislacionit në Shqipëri me BE-në po ecën shumë më shpejt se zbatimi i reformave në fushat kyçe, si në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.
Pavarësisht këtyre problemeve, vlerësimi i përgjithshëm i studimit për ecurinë e Shqipërisë mbetet pozitiv.
Anëtarësimi në BE, shumica e ekspertëve parashikojnë vitet 2029-2030
Studimi ndalet edhe te afatet e mundshme të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi në Bashkimin Europian. Sipas shumicës së ekspertëve, Mali i Zi mund të anëtarësohet në vitin 2028, ndërsa për Shqipërinë parashikohen vitet 2029-2030.
Të dyja këto vite mbeten pjesë e parashikimeve për anëtarësimin e Shqipërisë, pas objektivit për mbylljen e negociatave në vitin 2027. Por studimi evidenton edhe një pengesë tjetër të mundshme për zgjerimin e BE-së, që lidhet me vetë vendet anëtare të Unionit.
Ekspertët vërejnë se, në fund të kësaj dekade, procesi i pranimit të anëtarëve të rinj mund të përballet me bllokime nga brenda Bashkimit Europian. Traktatet e anëtarësimit kërkojnë jo vetëm konsensus të gjerë në Bruksel, por edhe ratifikimin nga parlamentet e të gjitha vendeve anëtare.
Për këtë arsye, anëtarësimet e reja mund të shtyhen në varësi të zhvillimeve politike brenda BE-së, veçanërisht në vendet kryesore të Unionit. Një pjesë më e vogël e ekspertëve paraqet një parashikim tjetër, sipas të cilit pengesat politike mund ta shtyjnë anëtarësimin e Malit të Zi deri në vitin 2030 dhe atë të Shqipërisë deri në vitin 2035, por jo përtej këtij viti.
Strategjia e re e zgjerimit dhe afati i dhjetorit 2027
Në material përmendet edhe strategjia e re e zgjerimit të Bashkimit Europian, e propozuar nga Gjermania dhe Franca, e çuar përpara nga Komisioni Europian dhe e miratuar nga Këshilli i BE-së. Sipas materialit, kjo strategji parashikon heqjen e vetos së vendeve anëtare për anëtarësimet e reja, me synimin që Shqipëria, Mali i Zi dhe vendet e tjera kandidate të mos bllokohen në të ardhmen.
Pas kësaj strategjie, Komisioni Europian ka publikuar edhe një udhërrëfyes për katër vendet pretendente për anëtarësim. Për Shqipërinë, kalendari i paraqitur përcakton dhjetorin e vitit 2027 si afatin përfundimtar të synuar për mbylljen e negociatave.
Studimi i porositur nga Parlamenti Europian i sugjeron Komitetit të Punëve të Jashtme të marrë për bazë gjetjet për Shqipërinë dhe Malin e Zi dhe të vijojë përpjekjet për përfundimin e negociatave dhe anëtarësimin e tyre në Bashkimin Europian.
Dokumenti do t'u shërbejë eurodeputetëve si një pasqyrë e ecurisë së dy vendeve në procesin e integrimit, në një periudhë kur Shqipëria dhe Mali i Zi vlerësohen se ndodhen në fazën përfundimtare të rrugës drejt anëtarësimit.





Komente
Komento