TIRANE- Ka nisur me një incident tryeza e thirrur nga OSBE për Forumin për Zhvillimin e Medias. Disa banore të Astirit, mes tyre edhe Enxhi Turtulli, anëtare e forumit të PD, me pankarta në duar kanë kërkuar largimin e ambasadorit të OSBE në Shqipëri Bernd Borchardt nga tryeza por dhe Shqipëria.

Ato kanë thirrur njëzëri 'Borchardt shame on you, Ik nga Shqipëria'. Ambasadori i OSBE ka zgjedhur të injorojë thirrjet e tyre duke vijuar me rendin e ditë.

"Do t'i injoroj", është shprehur ai teksa vijuar fjalën e tij për problematikat e medias në vend.

Turtulli është mjaft aktive në protestat dhe tubimet e organizuara nga opozita. Në profilin e saj në rrjetet sociale ajo shfaqet krah liderit demokrat Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Ajo ka qenë mjaft e angazhuar edhe në protestën e Unazës së Re, krah ish-deputetit demokrat Klevis Balliu.

Ambasadori i OSBE u përfshi në një incident me banorët e Astirit më 13 Tetor. Teksa po dilte nga hyrja e një pallati tek "Myslym Shyri" një prej banorëve të Unazës së Re që po protestonte para drejtorisë së Policisë duke kërkuar lirimin e banorëve të 'Astirit' i tha "Shame on you" ndërsa ambasadori reagoi duke i treguar gishtin e mesit. Pas incidentit Borchardt kërkoi ndjesë, por banorët vijojnë të kërkojnë largimin e ambasadorit, që është sulmuar edhe nga PD-ja.