Anëtarja e Komisionit të Rithemelimit, Mimoza Hajdarmataj ka hedhur akuza ndaj kreut të PD, Lulzim Basha se ai kishte rekrutuar persona me precedent penal nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut për protestën e 8 janarit. Ishin pikërisht këta persona që sipas Hajdarmataj ushtruan dhunë ndaj demokratëve, të cilët kërkonin të merrnin shtëpinë e tyre. Në një intervistë për emisionin "5 pyetjet nga Babaramo" në Report TV, anëtarja e Komisionit të Rithemelimit të ngritur nga Berisha, tha se kur hapën derën kryesore të PD u hasën me një bunkerizim të brendshëm të selisë dhe dhunën e personave me maska që ishte planifikuar me regji të Gazmend Bardhit.

"Kanë ardhura persona nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut me precedent penal që janë rekrutuar nga Basha për protestën. Më 8 janar u vërtetua dhe bashkëpunimi i tij me Ramën, i cili erdhi në ndihmë me policinë. Unë kam hyrë në katin e parë të selisë pasi nga lart binin gur, karrige e gaz. Dera u hap lehtësisht. por kishte bukerizim të brendshëm, protestuesit u gjendën para një sulmi nga brenda me regji të Bardhit. Nga kati i dytë dolën njerëz të maskuar që kanë qenë më precedent penal dhe ishin të armatosur kundër demokratëve", tha Hajdarmataj.

Hajdarmataj tha se protestat do të vijojnë në oborrin e selisë blu se paqësore si ajo e 8 janarit do të vijojnë deri në marrjen e saj.

"Aksioni për godinën është simbolikë dhe nuk do reshtem drejt kësaj simbolike se dhe demokratët e kërkojnë. Do të ketë një protestë tjetër, përsëri paqësore, përsëri në oborrin e selisë tonë", tha ajo.

Më 8 janar në selinë blu u zhvillua një protestë e dhunshme ku protestuesit e Berishës thyen xhama e shqyen dyer, ndërkohë që përgjigja nga demokratë e Bashës nga brenda selisë iu përgjigjën me gaz lotsjellës. U desh ndërhyrja e policisë, që situata të vihej nën kontroll në pak minuta, pasi PD tha se po rrezikohej seriozisht jeta e deputetëve që ndodheshin brenda selisë si dhe kreut të PD-së Lulzim Bashës.