Angela Merkel, e implikuar
me regjimin e RDGJ?

GJERMANI - Libri “Jeta e parë e Angela M." sapo është botuar në Gjermani dhe pritet të bëjë bujë. Por vëzhguesit dyshojnë për vlerën e zbulimeve të reklamuara nga libri. Megjithatë ai pa dyshim do të tërheqë vëmendjen në këtë vit zgjedhor.

Zbulime befasuese, apo gjëra të njohura? Mes këtyre ekstremeve luhaten përshtypjet mbi librin e ri për Angela Merkelin. Dy autorët Georg Reuth dhe Günther Lachmann në biografinë "Jeta e parë e Angela M." hedhin një vështrim në një periudhë të ndjeshme të karrierës së politikanes gjermane. Bëhet fjalë për kohën e saj në ish-Republikën Demokratike Gjermane, ku ajo mendohet të ketë bërë "agjitacion dhe propagandë" për FDJ, organizatën e rinisë komuniste. Asgjë e jashtëzakonshme për një biografi nga RDGJ, por që mbi kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë hedh një hije irrituese.

Libri 336 faqesh, që botohet katër muaj para zgjedhjeve parlamentare, synon të mbushë boshllëqet informative, që kanë lënë të hapura biografitë e mëparshme të Angela Merkelit, thotë Lachmann në një intervistë me radion Deutsche Ëelle. Dhe këtu bën pjesë edhe pyetja, nëse Merkel ka qenë sekretare e FDJ për propagandën apo jo.

Qeveria gjermane, megjithatë, nuk sheh në të ndonjë zbulesë spektakolare. Merkel që në vitin 2005, në një libër-intervistë me titullin "Rruga ime", është shprehur në mënyrë të detajuar dhe shumë personale lidhur me këtë çështje. "Ua rekomandoj ta lexoni", tha zëvendësi i zëdhënësit të qeverisë Georg Streiter.
Autori Lachman ka tjetër mendim.

Në "Rruga ime" Merkel pohon vetëm se nuk mban mend, nëse ka bërë agjitacion dhe propagandë. Por ai thotë se ka prova. "Ka dy dëshmitarë", thotë Lachman. Fjala është për miq, me të cilët Merkel atëherë bashkëpunonte ngushtë dhe me të cilët ka kaluar shumë kohë së bashku.

Të dy kanë qenë sekretarë të FDJ-së në Akademinë e Shkencave. Edhe një tjetër pozitë e kancelares së sotme paraqitet në librin e ri: Ajo ka bërë pjesë edhe në kryesinë e sindikatës, duke qenë e ngarkuara për punën me rininë.

Anëtarësia në FDJ në vetvete nuk do të thotë gjë. Por ata që kanë qenë sekretarë të FDJ për agjitacion dhe propagandë ngjajnë aktualisht si Goebbels-ë të vegjël, thotë studjuesi i RDGJ-së.

Në fakt anëtarët kishin detyrë të përhapnin tek studentët buletinin e FDJ-së dhe të organizonin aktivitete.

Vendimtare në vlerësimin e ideologjisë dhe angazhimit politik të Merkelit është më tepër fakti, që ajo nuk u bë anëtare e partisë komuniste, si dy milionë qytetarë të tjerë. "Nuk ka asnjë informacion, nëse Angela Merkel ka patur influencë ideologjike apo jo. Ne vetëm dimë se ajo ka qenë anëtare dhe se çfarë përgjegjësie ka patur", thotë Lachman.

FSHEHJA

Të dy autorët do të kishin dëshirë që t'i kishin marrë informacionet nga kancelarja personalisht. "Në këtë kontekst, nuk është aq e rëndësishme, nëse ajo ka qenë sekretare për agjitacion dhe propagandë", thotë Lachmann, "thelbësorja është se ajo i ka fshehur gjërat."

Në mbledhjen e të dhënave për librin, ka mbetur pa përgjigje së paku një listë më pyetje drejtuar zyrës së kancelares, thotë Lachmann. Biografja e mëparshme e Merkelit Jacqueline Boysen sheh këtu ndoshta një reagim prej përvojës negative të Merkelit: "Një herë ajo është përpjekur shumë hapur të tregojë një histori nga koha e RDGj-së para organizatës së rinisë së Unionit Kristian Demokrat, CDU.

Por u keqkuptua krejtësisht". Një arsye e mundshme kjo, për tërheqjen e saj. Zbulimet e librit të ri Boysen i sheh me sy kritik: "Më duket disi absurde që rikthehet gjithmonë kjo histori dhe është e dukshme, se nuk ka asgjë të re. Nuk ka asnjë arsye për irritim publik: Fjala ‘zbulime’ është shumë e ekzagjeruar”, sipas saj.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Temperatura të ulëta, reshje shiu dhe dëbore, Anira Gjoni në Report Tv: Qarqet më problematike Vlora dhe Gjirokastra

Temperatura të ulëta, reshje shiu dhe dëbore, Anira Gjoni në Report Tv: Qarqet më problematike Vlora dhe Gjirokastra