A mund të ishte parandaluar pushtimi i Ukrainës? Flet ish-kancelarja gjermane: Nuk kam bërë asnjë gabim gjatë udhëheqjes sime

A mund të ishte parandaluar pushtimi i Ukrainës? Flet ish-kancelarja gjermane: Nuk kam bërë asnjë gabim gjatë udhëheqjes sime

Ish-Kancelarja gjermane Angela Merkel

A mund të ishte parandaluar pushtimi i Ukrainës nga Rusia? Angela Merkel thotë se ajo mendon shpesh për këtë çështje, por nuk sheh gabime në politikën e saj.

Pushime në shtëpinë e saj në Brandenburg, pushime në Itali, pesë javë "ajrim" në Detin Baltik. Në gjashtë muajt e fundit, Angela Merkel ka bërë pikërisht atë që i premtoi pasardhësit të saj Scholz përpara se t'ia dorëzonte kancelarinë - bëri një pushim dhe asnjë ftesë nuk pranoi. "Atëherë le të shohim se ku do të paraqitem," tha ajo në 2021.

Ish-kancelarja tani u rishfaq. Në sallën madhështore të teatrit neo-barok të Ansamblit të Berlinit me shumë ar dhe kadife të kuqe, para rreth 700 spektatorëve dhe shumë përfaqësuesve të medias, ajo u përgjigj pyetjeve të autorit dhe gazetarin Alexander Osang.

Lufta në Ukrainë

Në ftesë thuhej se Merkel do të pozicionohet ndaj "çështjeve më sfiduese të kohës sonë". Çfarë mund të jetë më sfiduese këto ditë sesa lufta dhe agresioni rus në Ukrainë, si dhe pasojat e saj? Dhe çfarë mund të jetë më emocionuese në një bisedë me Angela Merkelin sesa pyetja nëse sheh gabime në politikën e saj si kancelare?

Ajo shprehet shmë e shqetësuar mbi situatën në Ukrainë. Edhe pas mandatit të saj, ajo e ndjen veten si një person politik dhe për këtë arsye është shumë e shqetësuar.

"Sigurisht që e kisha imagjinuar ndryshe kohën pas mandatit tim. Më 24 shkurt ishte thjesht një pikë kthese." Lufta agresive ruse është një "sulm brutal që shkel ligjin ndërkombëtar, për të cilin nuk ka asnjë justifikim".

Duke rishikuar qeverisjen e saj 16-vjeçare, ish-kancelarja pyeti veten "çfarë mund të ketë gabuar".

"A mund të kishte bërë më shumë për të parandaluar një tragjedi të tillë - unë tashmë e konsideroj këtë situatë si një tragjedi të madhe?"

Më shumë ashpërsi ndaj Putinit?

Merkel pranoi se në vitin 2014, pas aneksimit rus të gadishullit të Krimesë, presidenti rus Vladimir Putin mund të ishte trajtuar më ashpër. Por nuk mund të thuhet se asgjë nuk u bë në atë kohë, theksoi ajo, duke iu referuar përjashtimit të Rusisë nga grupi G8 i vendeve kryesore industriale. Në atë kohë, NATO vendosi gjithashtu që çdo vend të shpenzonte dy përqind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtje.

Merkel mbrojti edhe vendimin që në vitin 2008 të kundërshtohet zgjerimi i NATO-s drejt lindjes, duke përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

"Në atë kohë, Ukraina ishte një vend i sunduar nga oligarkë dhe nuk mund të pranohej thjesht në NATO. Për më tepër, në atë kohë ishte e qartë se Putini nuk do të kishte pranuar anëtarësimin e këtyre vendeve në NATO dhe ai do të mund të shkaktonte dëme të mëdha në Ukrainë".

Merkel tha se shumë shpesh mendon për të kaluarën. Por ajo nuk akuzon veten për asgjë.

"Nuk mund të thuhet se diplomacia ëshë e gabuar, nëse nuk funksionon. Nuk mendoj se duhet të them tani: Kam gabuar dhe për këtë duhet të kërkoj falje." Merkel thotë se "për fat të mirë është përpjekur shumë", por "për fat të keq kjo nuk funksionoi".

Gjatë kohës së Merkelit, mbizotëronte besimi se Evropa do të ishte më mirë me Rusinë si partnere sesa në një konfrontim me Kremlinin. Ajo dhe partnerët e saj nga SPD në koalicion ishin të mendimit se duhet investuar në integrimin ekonomik, të kombinuar me shkëmbimin politik dhe kulturor. Përveç kësaj, gazi, nafta dhe qymyri nga Rusia ishin relativisht të lira, gjë që ishte një avantazh për ekonominë gjermane.

Çështja e qenve

A e ka nënvlerësuar personalisht kancelarja presidentin rus Vladimir Putin? Dëshirën e tij për pushtet, potencialin e tij për agresion? A nuk duhej të ishte paralajmëruar kur Putini e çoi në mënyrë provokative qenin e tij të madh në një takim në Soçi në vitin 2007, edhe pse e dinte se Merkel kishte frikë nga qentë?

Gjatë vizitës në Soçi, Putini i tha asaj se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte për te gjëja më e keqe e shekullit 20-të.

"I thashë, e dini, për mua ishte rrethana më fatlume e jetës sime, sepse më lejoi të jem e lirë dhe kështu mund të bëja atë që më pëlqen dhe që dua”. Në atë moment ishte e qartë "se ka një distancë të madhe mes nesh dhe se kjo distancë ka vazhduar të rritet". Ish-kancelarja gjykoi se Lufta e Ftohtë me Rusinë nuk ka përfunduar kurrë.

Bashkëjetesa me Rusinë?

Ajo thotë se kurrë nuk ka qenë naive.

"Urrejtja e Putinit, mund të thuhet edhe armiqësia e Putinit - janë të drejtuara kundër modelit demokratik perëndimor." Ajo tha se gjithmonë paralajmëronte: "Ju e dini se ai dëshiron të shkatërrojë Evropën. Ai dëshiron të shkatërrojë Bashkimin Evropian sepse e sheh atë si një pararendës të NATO-s."

Merkel tha se gjatë këtyre viteve nuk ia dolën të krijojnë një arkitekturë sigurie që mund të parandalonte luftën. Në interesin e Gjermanisë është gjetja e një "modus vivendi" me Rusinë - në mënyrë që të dy vendet të mund të bashkëjetojnë.

E kënaqur me jetën

Një gjë është shumë e qartë për Merkelin: frikësimi usharak është e vetmja gjuhë që e kupton Putini. Kjo është arsyeja pse ajo është e lumtur që Bundeswehri tani do të pajiset më mirë.

"Tani jam shumë e lumtur që më në fund po vendosim, në kohën kur e gjithë bota ka dronë të armatosur, që edhe ne do t'i blejmë disa." Duke hedhur një vështrim kritik ndaj SPD, me të cilën CDU e Merkelit ka qeverisur një kohë të gjatë, Merkel tha se nuk ishte faji i saj që "disa gjëra nuk mund të ndodhnin". "Ka qenë një luftë shumë e vështirë për të investuar në parandalimin ushtarak."

Biseda zgjati rreth një orë e gjysmë dhe nuk ishte vetëm për Rusinë. Angela Merkel dukej e relaksuar dhe në paqe me veten. Mos kandidimi përsëri në zgjedhje në 2021 ishte vendimi i duhur.

"30 vjet jam marrë me politikë dhe kam pasur gjithmonë termine e termine, në fakt kam qenë shumë, shumë e lumtur që gjatë kësaj pjese të jetës kam arritur kaq shumë gjëra. Dhe tani mund të jem e lumtur me pjesën tjetër të jetës sime."/DW

S.C/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë