LONDËR, 16 mars /ATSH-AFP/ - Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i policisë britanike njoftoi sot se ka hapur një hetim për ankesat ndaj policëve që kanë mbuluar veprimtarinë e një rrjeti pedofilie duke përfshirë drejtues politikë dhe të institucione publike gjatë viteve 1970-2000.
"Këta funksionarë dyshohen të kenë fshirë provat, ngadalësuar apo ndërprerë hetimet dhe mbuluar krimet ku janë përfshirë anëtarë të parlamentit apo oficerë policie", thonë burime në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave Kundër Policisë.
"Këto janë akuza shumë të rënda", tha ky komision, që numëron 14 ankesa në shqyrtim.
Në ndërkohë është në vazhdim një hetim i policisë mbi abuzimin tek fëmijët, ngjarje që kanë ndodhur përgjatë atyre viteve.
Në dhjetor, një viktimë e prezumuar, i identifikuar me nofkën Nick, u kishte treguar hetuesve sesi ai dhe disa djem të tjerë ishin dërguar në zona të ndryshme të Londrës dhe në periferi të kryeqytetit britanik, përfshirë edhe baza ushtarake, ku ishin abuzuar seksualisht nga grupe burrash.
Komisioni kishte akuzuar edhe deputetë dhe personalitete të rangut të parë për lidhje me vrasjen e tre fëmijëve të moshave mes 7-16 vjeç.
Verën e kaluar, zbulime të shtypit të konfirmuara dhe nga ministritë përkatëse kishin treguar se 114 dosje që kishin të bënin me akuza për shërbime seksuale ku përfshinin fëmijë mes viteve 1979 dhe 1999 ishin zhdukur.
Njëra nga këto dosje, çonte sipas shtypit, në implikimin e disa deputetëve dhe personaliteteve politike.
Kryeministri britanik, David Cameron premtoi në korrik se do të hidhej dritë dhe se do të ndiqeshin të gjitha pistat për zbulimin e së vërtetës./ /k.p/ a.jor.