Anija kërkimore turke "Oruç Reis" do të vazhdojë misionin e saj në Mesdheun Lindor,  deklaroi ditën e sotme Ministria e Mbrojtjes turke. Me anë të një postimi në facebook ministria turke tregoi edhe njëherë vendosmërinë për vazhdimin e misionit të saj kërkimor.

“E fortë, E vendosur dhe E fuqishme! Fregatat dhe korvetat që i përkasin Forcave tona Detare po vazhdojnë me vendosmëri detyrën e tyre të shoqërimit dhe mbrojtjen e anijes kërkimore ORUC REIS, e cila vazhdon të punojë në zonat tona të juridiksionit në Mesdheun Lindor”, theksohej në postimin e ministrisë, ku thuhej se nuk do të lejohej asnjë paligjshmëri dhe ngacmim.

Përkundër kundërshtimit nga Greqia dhe disa vende të tjera të BE dhe NATO-s, më 31 gusht, Turqia zgjati përsëri  misionin e saj kërkimor  të Oruc Reis për hidrokrarbure në Mesdheun Lindor, deri në 12 Shtator. Turqia vazhdimisht ka kundërshtuar përpjekjet e Greqisë për të shpallur një zonë ekonomike ekskluzive bazuar në ishuj të vegjël pranë brigjeve turke, duke  u shprehur se një vendim i tillë shkel interesat e Turqisë.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se zgjidhja e vetme e mosmarrëveshjes qëndron përmes dialogut megjithëse me anë të deklaratave të tij një ditë më parë më shumë kishte kërcënime sesa ftesa për dialog.