Anija tregtare “Vos Thalassa” me 66 emigrantë të shpëtuar në bord nuk u lejua që të ankoronte në portet italiane pas një urdhri të dhënë nga ministria e Brendshme.
“Vos Thalassa” është një varkë private italiane, e cila i përket kompanisë franceze e naftës dhe gazit “Total”. Për shkak se zakonisht varka e kalon kohën e saj më të madhe duke patrulluar në Mesdhe, ajo ka qenë e përfshirë në shpëtimin e emigrantëve të tjerë më parë.
Por kjo është hera e parë, që një anije ndalohet që të hyjë në portet italiane për shkak të politikës ndaj emigrantëve.
Muajin e kaluar, ministri i ri i Punëve të Brendshme të Italisë, Matteo Salvini ka kërkuar ndalimin e ankorimit në porte të anijeve humanitare me emigrantë, duke i akuzuar ato se shërbejnë si taksi për refugjatët dhe nxisin trafikun e njerëzve.
Sa i përket ngjarjes, burime qeveritare thanë për agjencitë Rai News dhe Ansa se ndërhyrja e anijes ishte e panevojshme pasi Rojet bregdetare libiane ishin afër.
66 emigrantët e shpëtuar u transferuan në një anije të Gardës Bregdetare Italiane, ndërsa Vos Thalassa vazhdon ende të mbetet në Mesdhe. Ndërsa incidenti ka shkaktuar mjaft debat, me kritikët e qeverisë së re italiane që thonë se ligji detar detyron çdo anije që të shkojë në ndihmë të atyre që po mbyten, e jo të pyesë më parë nëse bëhet fjalë për emigrantë të jashtëligjshëm apo njerëz me dokumente të rregullta.