Pio Esposito po përjeton një moment fantastik me kombëtaren italiane. Sulmuesi i Interit vazhdon të mahnitë me paraqitjet e tij, duke regjistruar plot 9 gola në 14 ndeshje me fanellën e kaltër.

Protagonisti i mbrëmjes ishte pikërisht në sfidën ndaj Francës në Nations League, ku realizoi një dygolësh, duke konfirmuar formën e jashtëzakonshme që po kalon.

Në moshën 21-vjeçare, Esposito renditet ndër futbollistët më të rinj që kanë arritur të shënojnë të paktën 8 gola në 14 paraqitjet e para me Italinë. Përpara tij qëndron vetëm legjenda Giuseppe Meazza, i cili e kishte arritur këtë shifër në moshën 20 vjeç e 155 ditë, në vitin 1931.

Pas ndeshjes, sulmuesi zikaltër nuk i fshehu emocionet, duke folur edhe për penalltinë e shënuar, me të cilën rikuperoi gabimin e vëllait të tij, Sebastianos. Ky i fundit gaboi një 11-metërsh kundër Francës në minutën e 60 kur rezultati ishte 1-1.

“Jam shumë i lumtur. Kjo është një fanellë shumë e rëndësishme. Lotët erdhën nga gëzimi që mbylla ndeshjen dhe që arrita të kompensoj penalltinë e humbur nga vëllai im”, u shpreh Esposito.

Me shifra mbresëlënëse dhe një pjekuri të admirueshme për moshën e tij, Pio Esposito po shndërrohet në një nga emrat më premtues të futbollit italian. Një rekord historik është tashmë në horizont!