Një traget pasagjerësh me 267 persona në bord është përmbysur pak pasi u nis nga porti i Girnes (Kyrenia) në Qipron Veriore, raportojnë mediat lokale dhe ato turke.
Ministri i Transportit dhe Punëve Publike i Qipros Veriore, Erhan Arikli, tha se në bord ndodheshin 259 pasagjerë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit. Sipas kryebashkiakut të Girnes, Murat Senkul, deri tani janë shpëtuar 159 persona.
Trageti ishte nisur rreth orës 12:30 me orën lokale drejt portit turk të Tashuçusë, në provincën Mersin, por vetëm dy deri në tre kilometra larg bregut nisi të merrte ujë për arsye që ende nuk dihen.
Pas sinjalit të emergjencës të dhënë nga kapiteni, disa pasagjerë u hodhën në det nga paniku, ndërsa të tjerë arritën të ngjiteshin mbi trupin e përmbysur të tragetit, ku pritën mbërritjen e ekipeve të shpëtimit.
Operacioni i kërkim-shpëtimit është ende në zhvillim me pjesëmarrjen e anijeve të rojës bregdetare, helikopterëve, mjeteve private dhe peshkatarëve lokalë. Në breg janë vendosur ambulanca për t'u dhënë ndihmë të lënduarve, ndërsa autoritetet nuk kanë konfirmuar ende numrin e saktë të të plagosurve.









Komente
Komento