Ernest Muçi po mrekullon Turqinë me paraqitjet te Trabzonspori. Statistikat e tij këtë sezon kanë tërhequr vëmendjen e mediave atje, duke nënkuptuar se Besiktas bëri gabim që e shiti 25-vjeçarin. Sipas ‘Sporx’, që i referohet të dhënave të publikuara nga ‘Fanatik’, futbollisti ka regjistruar 17 gola dhe 13 asistime në 46 ndeshje zyrtare me fanellën e skuadrës turke, duke kontribuar drejtpërdrejt në 30 gola.
Ajo që e bën edhe më të veçantë sezonin e Muçit është aftësia për të krijuar raste shënimi për shokët e skuadrës. Sipas statistikave të raportuara shqiptari ka dhënë 5 asistime në kampionat, duke kryesuar këtë renditje, ndërsa në nëntë javët e para të Superligës ka krijuar tetë raste të pastra për gol, më shumë se çdo futbollist tjetër në kampionat.
Një nga paraqitjet që ka forcuar vlerësimin për të ishte ndeshja ndaj Çaykur Rizesporit, ku Trabzonspor përmbysi disavantazhin 0-2 dhe fitoi 4-3. Muçi ishte protagonist me tri asistime, ndërsa krijoi tri raste të pastra për shënim, regjistroi vlerën 0.80 në asistimet e pritshme (xA) dhe preku topin dhjetë herë në zonën kundërshtare, duke qenë vazhdimisht rrezik për mbrojtjen e Rizesporit.
Në total 25-vjeçari ka realizuar dy gola dhe gjashtë asistime në 11 ndeshje zyrtare këtë sezon, mes kampionatit dhe kompeticioneve evropiane. Edhe vetë faqja e Trabzonspor-it në rrjetet sociale thekson se Muçi ka vijuar me të njëjtin ritëm pas sezonit të kaluar, kur regjistroi 15 gola dhe shtatë asistime, duke u shndërruar në një prej pikave kryesore të sulmit të Trabzonsporit.
Statistikat tregojnë se Muçi nuk po spikat vetëm për finalizimin, por edhe për vizionin e lojës, krijimin e rasteve dhe aftësinë për të vendosur shokët e skuadrës në pozita shënimi. Për futbollistin shqiptar, i cili ka fituar gjithnjë e më shumë rëndësi në Turqi, ky fillim sezoni përfaqëson një konfirmim të rolit të tij si një prej lojtarëve më produktivë të Trabzonsporit.
Këto statistika kanë entuziasmuar edhe vetë tifozët e Trabzonit, të cilët në rrjete sociale kanë lavdëruar klubin edhe pse për të transferuar Muçin kanë paguar 8 këste. Tre prej tyre për 1 milionë euro kur e huazuan dhe 5 të tjera për 8.5 milionë euro për ta blerë. ‘Mos kemi blerë Messi-n?!’,-skruante një tifoz i cili kërkonte të lartësonte shqiptarin.







Komente
Komento