“Ne, studentet dhe gjimnazistet e Korçës u ulëm në sallë dhe na dhanë porosi që do të ngriheshim dhe do të merrnim në vallzim personalitetet e larta të shtetit dhe miqtë nga Bashkimi Sovjetik, pjesëtarë të delegacionit, ndërkohë që Hrushovin do ta merrte në vallëzim ajo vajzë që do ta sinjalizonte oficeri i lartë i Sigurimit. Në këtë kohë, zemra po më rrihte fort, pasi oficeri i Sigurimit nuk po m'i ndante sytë dhe sapo unë e shikova drejt, ai më bëri shenjë që të merrja Hrushovin në një vallëzim. Isha vajzë e re, vetëm 23 vjeç dhe kisha një gjoks shumë të zhvilluar. Gjatë vallëzimit, Hrushovi luante shumë ngjitur. Më pyeti se ku punoja dhe i thashë se isha studente e gjuhës ruse në Universitetin e Tiranës. Hrushovi po më vështronte me vëmendje dhe tundte kokën gjithë kënaqësi.
- Ju këtej nga Shqipëria qënkeni mirë me planin e qumshtit dhe i bën shenjë me kokë për gjoksin tim të zhvilluar shumë. Çuditërisht nuk e di se si ma prodhoi truri atë përgjigje dhe i them me një rusishte të pastër:
- Ndërsa ju shoku Nikita, qenkeni mbrapa me planin e leshit,- duke i bërë shenjë për nga koka e tij tullace. Hrushovi e shijoi shakanë dhe vazhdoi gjatë gjithë vallzimit të qeshte me zë të lartë …E qeshura e tij tërhoqi vëmendjen e gjithë sallës, pasi ai po bërtiste fort dhe po qeshte me shumë fort …madje ndërpreu vallëzimin dhe vuri duart në bel.
Të gjithë rreth e rrotull shtangën duke parë këtë skenë më pas vazhdoi vallzimin. Pas dy-tre vallesh ishte Hrushovi që më ftoi në vallëzim dhe vazhdonte të qeshte me mua, duke më pyetur për jetën studentore, se a kisha dëshirë të studioja në Moskë etj. Unë i buzëqeshja miqësisht, por sapo u mbyll darka më therret ai oficeri i Sigurimit dhe më pyet imtësisht se çfarë i thashë Hrushovit që ai u shkul duke qeshur… I tregova dhe ai i pakënaqur nga përgjigjia ime, se kisha ironizuar mikun e madh, më tha se do të flisnim më vonë, por më vonë ai nuk u ndje dhe kështu u mbyll kjo punë. Madje, - thotë ajo,- unë ruaj në albumin tim foto të Hrushovit kur zbriti nga avioni dhe kur u përqafua me Enver Hoxhën sapo u takuan”.
Vizita
E veçanta e kësaj vizite në Korçë është se Hrushovi erdhi në qytetin e serenatave me avion TU 114, me të cilin ai udhëtoi sëbashku me suitën e tij. Në paraditen e datës 25 maj 1959, Korça kishte veshur petkun e festës e ishte zbukuruar si asnjëherë tjetër. Në orën 10, avioni ulet në fushën e aviacionit të Korçës, tek cepi i saj në drejtim me rrugën e Ersekës. Sapo hapet dera e avionit, Hrushovi me një kapele në dorë përshëndet mijëra qytetarë dhe nxënës shkollash që kishin dalë për ta pritur. Më pas del nga avioni edhe Enver Hoxha, dhe sapo u ulën në pistë, mes brohoritjeve të shumta, Enveri e përqafon edhe një herë fort Hrushovin në mes të njerëzve të pranishëm. Duket se këtë gjest ai e bëri për të shuar ato pëshpëritje që qakullonin nën zë se me Bashkimin Sovjetik kishte filluar një ftohje e madhe. Pasi u hipën Zim-ave të zinj, Hrushovi dhe Enveri u nisën në drejtim të qendrës së qytetit, atje ku sot është monumenti i "Ushtarit të panjohur" dhe në mes të një entuziazmi të papërshkruar, mori fjalën e tij edhe Hrushovi. Ai e nisi fjalën e tij në mënyrë krejt të veçantë, duke iu drejtuar sheshit.
"Ju thashë këtyre", bëri ai me gisht nga përkthyesi,- të ma përkthejnë këtë parrullën e madhe këtu përballë "Lufta për bukën, është lufta për socializmin". Por ai tha më pas se përpjekja e shqiptarëve nuk duhet të përqëndrohej tek buka, por tek këto kodra dhe male. ”Ju duhet të zhvilloni blegtorinë, ndërsa në fusha duhet të mbillni perime. Ju keni zënë shumë toka me grurë anembanë Shqipërisë, - iu drejtua Hrushovi Enverit, sepse më shumë hanë minjtë grurë në magazinat e BS se sa i duhet Shqipërisë për bukë. Ju duhet të zhvilloni industrinë e lehtë dhe kryesisht atë ushqimore". Ndërkohë që drejtoj gishtin nga Mali Ivan, ku tha se duhet të vendosen raketa dhe armatime për t`u mbrojtur nga armiqtë e socializmit.
Enveri qëndronte kokëulur dhe shpesh e rrotullonte kokën gjithë bezdi nga këto këshilla që vetëm pak kohë më vonë ai, pas prishjes me BS do t`i quante si "plane tinzare", të cilat kishin si qëllim që të gjunjëzonin socializmin në Shqipëri.
Vizita në fshat
Rreth orës 13 të darkës, Hrushovi nën shoqërimin e Enverit dhe Mehmet Shehut, nisen për në Bulgarec për të vizituar kooperativën Bujqësore, ku priten nga kryetari i kooperativës së asaj kohe, Gjine Riza. Edhe këtu ai dha të njëjtat këshilla. E veçantë ishte se në këtë vizitë, se sëbshku me Hrushovin kishte ardhur në Shqipëri edhe shkencëtari dhe konstruktori me famë botërore, Tupolev, i cili kishte prodhuar çajkën e re reaktive, e cila doli për herë të parë jashtë BS gjatë udhëtimit të Hrushovit. Madje konstruktori pati dhënë edhe një konferencë për shtyp me gazetarë dhe ushtrakë të lartë.
Incidenti në shtëpinë e Kulturës
Në Shtëpinë e Kulturës, ku ndodhej, u organizua një drekë me gica të pjekur. Pak minuta para se të fillonte dreka, ndodhi një incident i rëndë me një oficer të lartë të Sigurimit të Shtetit. Para se të futej Hrushovi në sallë, oficerët e lartë filluan të kontrollojnë bodrumet e Pallatit të Kulturës, ku ndodhej e gjithë rekuizita e shfaqjeve që jepte Estrada dhe Teatri i Korçës. Sapo një punëtor hap derën e katit të poshtëm, një portret i madh i Hitlerit, pak më tutje Duçja, pak më tutje një flamur Amerikan. Ç`bëhet kështu! - klithi oficeri i lartë i Sigurimit. Punonjësi i Pallatit i thotë se këto janë për shfaqje.
- Por a i di qeveria lart këto që mbani ju këtu?
- Po, sigurisht,- i përgjigjet punëtori i skenës. Më pas vjen edhe drejtori i Pallatit të Kulturës dhe me shumë vështirësi e sqaruan oficerin e lartë të Sigurimit, megjithatë, ai pyeti eprorët lart që këto vërtet janë për shfaqje, por sikur nuk shkon: Si mund të rrijë Hitleri dhe Duçja në katin e parë, ndërsa Hrushovi dhe Enveri në katin e dytë hante gica të pjekur. Por koha ishte e shkurtër dhe nuk mund të lëvizeshin rekuizitat, kështu që Hrushovi e hëngri drekën me Enverin në katin e dytë dhe nën shoqërinë e Hitlerit dhe të Duçes në katin e parë të Pallatit të Kulturës.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 31 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)