Kush ka ndërmend të blejë letra me vlerë të qeverisë duhe të mendojë në se ka ndonjë alternativë tjetër, pasi rendimenti i tyre ka arritur në shifra shumë të ulta. Në ankandin e ditës së hënë, interesi mesatar i bonove në lekë me afat 12-mujor zbriti në 2.54%, nga 3.12% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm me të njëjtin maturitet. Ky është niveli më i ulët historik, i regjistruar ndonjëherë.

Kërkesa nga institucionet financiare ishte 6.5 miliardë lekë, ndërsa shuma e pranuar ishte 5.5 miliardë lekë. Vetëm bankat e nivelit të dytë tentuan të kërkojnë interesa më të larta, por pa sukses.

Rënia e ndjeshme e interesave vjen pasi qeveria arriti të sigurojë në tregjet ndërkombëtare 450 milionë eurobonde pak javë më parë, 300 milionë euro prej të cilit u përdorën për të paguar eurobondin e mëparshëm të emetuar në 2010, që maturohej në fillim të nëntorit dhe shuma tjetër prej 150 milionë eurosh do të përdoret për zëvendësimin e borxhit të brendshëm me borxh të jashtëm.

Kjo situatë e bën të paleverdisshëm për qytetarët individual blerjen e bonove të thesarit, por për shtetin është një lehtësim, duke qenë se paguan më pak interes për huatë.
Për bonot 6-mujore, interesi vjetor ishte 2.46%, nga 2.82% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)