Në vitin 2006, pa mbushur vitin nga marrja e drejtimit të opozitës, Edi Rama hodhi sytë drejt kampit qeveritar dhe projektoi krijimin e një LSI-je të djathtë. Meta i djathtë për Ramën ishte Ndoka. Një deputet socialist u bashkua me grupin e deputetëve të Partisë Demokristiane. Ndërkohë që Partia Agrare e Lufter Xhuvelit ia kishte shitur Berishës votat që i fali Fatos Nano, deputeti Neranxi i PAA, u largua i zhgënjyer për t'u bashkuar me opozitën. Preferenca e tij e parë ishte Partia Socialiste, por drejtuesit e rinj i propozuan të bashkohej me Ndokën për LSI-në e djathtë. Neranxi preferoi LSI-në e majtë dhe u bashkua me Metën. Gjithsesi PDK krijoi një grup të konsiderueshëm parlamentar dhe e përdori në vitin 2007 për të ndihmuar Berishën në zgjedhjen e Bamir Topit. Ndoka u bë ministër pas kësaj dhe qeverisi për 2 vjet shëndetësinë. Kjo periudhë mbahet mend si më shkatërrimtarja në këtë sektor.
Sikur të mos mjaftonte kjo përvojë, Rama e mirëpriti Ndokën në kampin opozitar, pasi Berisha e largoi me insistimin e Jozefina Topallit. Ndoka, pa asnjë deputet këtë radhë, ishte përsëri i preferuari i kryetarit të PS. Aq i preferuar sa mund të sakrifikohej edhe Ngjela, si partia e dytë djathtë që u reshtua në frontin opozitar. Kur Rama u propozonte aleatëve të zhvillonin takimet e rëndësishme tek zyra e Nard Ndokës, Ngjela refuzoi publikisht dhe u largua për një kohë të gjatë nga aleanca opozitare. Në zgjedhjet lokale të 2011, lëshimi më i madh i Ramës ishte për PDK-në e Ndokës, që mori Bashkinë e Shëngjinit me votat e socialistëve. Asnjë aleat tjetër i PS-së nuk mori më shumë se kaq nga aleanca. I gjithë ky investim sot ka dalë kundër. Rama, që i jep bashki Ndokës së djathtë dhe këshilltarë bashkiakë Gjinushit të majtë dhe po kaq ose aspak Milos, Ngjelës dhe Petro Koçit, si kryetar i opozitës, duhet t'i mbledhë aleatët dhe t'u kërkojë ndjesë. Jo vetëm se bashkia që fali tani është e PD-së, por edhe sepse investimi i tij rezultoi si goditje për opozitën.
Ky është një rast, por mund të kompromentojë gjithë projektin e Ramës me parimin e mbledhjes së çdo vote për të rrëzuar Berishën. Eshtë quajtur edhe "Aleanca kundër Regjimit", nga Mero Baze dhe është pohuar nga Rama. Një ide e ngjashme me "Forumin për Demokraci" të vitit 1997, ku u bashkuan të gjithë, nga e majta deri tek ish - të përndjekurit politikë, intelektualë dhe aktivistë. Deri tek krijimi i Forumit atëherë, opozita njohu humbje më të vogla se kaq. Tefik Ajazi dhe Sali Rexhepi, iu përgjigjën apelit financiar të Berishës, duke denoncuar Partinë Socialiste që i bëri deputetë. Më pas Socialistët u bashkuan me të gjithë faktorët opozitarë për të krijuar Forumin. Nëse Aleanca kundër regjimit do të krijohej në atë formë, atëherë do të duhet të mbledhë faktorët opozitarë, që nuk janë aq shumë sa atëherë. Në llogarinë aritmetike të votave, kjo aleancë, edhe nëse mbledhë parti të tjera nuk është e mjaftueshme. Votat nuk janë të njëjta me vitin 2009, jo vetëm për shkak të ndërhyrjeve në kuti, por edhe për shkak të qeverisjes shumë problematike të 4 viteve të fundit dhe sidomos për shkak të zhytjes pa paralajmerim në krizën ekonomike ndërkombëtare.
Berisha është i ndërgj¬egjshëm për këtë efekt, i ka bërë llogaritë brenda kampit të vetë dhe, përpara se të fusë duart tek kutitë, ka vedosur t'i fusë tek kundërshtari. Ndoka ishte i pari, por përpjekjet do të vazhdojnë derisa të sigurojë aritmetikisht shumicën. Në këtë projekt ka mbështetjen e parave të humbura në rrugët e pambaruara apo në shtesa fondesh, ka mbështetjen e parave të kromit që zhduken, ka mbështetjen e parave të padhëna për privatizimet e objekteve strategjike dhe do të ketë gjithashtu mbështetjen e parave të padhëna për liçencën e llotarisë kombëtare. Asnjë vagon kristian si Ndoka nuk mund t'i rezistojë ofertës që buron nga kjo mbështetje. Ndaj Rama duhet t'i bëjë llogaritë me ata politikanë që janë opozitarë prej zgjedhjes së tyre, jo prej zgjedhjes së Berishës.
(ea/gm/Shqiptarja.com)