SPAK godet Organizatën kriminale të Suel Çelës në Elbasan! Trafikoi kokainë nga Amerika Latine në BE! Korruptoi shefin e krimeve e gjyqtaren! ''Gazetarët morën para për keqinformim''

Tirane- Prokuroria e Posaçme godet organizatën kriminale të Suel Çelës e cila nga Elbasani menanxhonte trafikun e kokainës nga Amerika Latine në vendet e BE-së ,Gjermani, Angli, Itali, Belgjikë dhe Holandë 

Me paratë e trafikut të drogës organizata kriminale kishte arritur të korruptonte shefin e krimeve të komisariatit nr 6 të asaj kohe Dedan Gjoni dhe gjyqtaren e Elbasanit Pajtime Fetahu të cilët ndihmonin organizatën për t'i lehtësuar në çështjet penale ndaj tyre po kështu dhe të rëndohej dënimi për kundërshtarët e tyre, thotë SPAK.
 
Po kështu SPAK thotë se Suel Çela nxiti mediat që t'i paraqiste rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve me politikën. ''Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik''.

Për 18 persona është dhënë 'arrest me burg' duke përfshirë drejtuesit e grupit, një ish-zyrtarin e lartë të policisë, Dedan Gjoni dhe një ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu. 'Arrest shtëpie për avokatin e grupit të Celës, Blerina Beqiri dhe dhe 'detyrim me paraqitje për 2 gazetarët. Suel Çela vijon të jetë në arrati. 

Njoftimi zyrtar i  SPAK 

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës dhe Ekuadorit ka dokumentuar dhe ndjekur penalisht një organizatë të mirëstrukturuar kriminale në trafikun ndërkombëtar të kokainës, me bazë në qytetin e Elbasanit dhe me shtrirje në vendet e Bashkimit Europian dhe Amerikës Latine. Ky hetim i bazuar në  komunikimet e koduara  SKY/ECC dhe në veprimet të tjera hetimore vijon edhe për dokumentimin e veprimtarisë kriminale për persona të tjerë. 

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona:

  • Arrest me burg për 18 individë, duke përfshirë drejtuesit e grupit, një ish-zyrtar i lartë policie dhe një ish-gjyqtar.
  • Arrest në shtëpi për 1 avokat.
  • Detyrim paraqitjeje për 2 gazetarë.

Struktura e Organizatës 

Kjo organizatë kriminale, në fokusin e saj kishte kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale.

Organizata kriminale që drejtohej nga Suel Çela me qëllim kontrollin e territorit  kishte si synim kryesor eleminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër të strukturuar kriminal i cili vepronte po në qytetin e Elbasanit dhe që konsiderohej si kundërshtar i organizatës kriminale që drejtohej nga Suel Çela.

I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nr.193/2023 janë dokumentuar faktet penale si më poshtë:

  1. Vrasje e mbetur në tentativë me snajper në dëm të shtetasit, Ardian Çapja, në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit
  2. Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit B.M, mars 2020;
  3. Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit E.K, në vitin 2020.
  4. Tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Europë, në dhjetor 2020.
  5. Tentativa për trafikimin e 466 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Holandë, në janar 2021.
  6. Ushtrimi i ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias.

Shtetasi Marjus Lulaj alias Suel Çela është identifikuar si drejtuesi i organizatës, përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe si;  M.Ç., A.V., B.SH, K.M., Xh.R.etj ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve.

Roli i personave të tjerë

Organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit (D.GJ.) dhe të sistemit gjyqësor (P.F.) të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale. Organizata kriminale kishte aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit S.Ç. dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre. Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.

Marjus Lulaj ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve.

Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.  

Rrjeti i trafikut ndërkombëtar të kokainës

Organizata ka zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës duke bashkuar me grupe të ndryshme kriminale me lidhje të forta në Amerikën Latine. Organizata e porosiste lëndën narkotike nga grupe të strukturuara kriminale shqiptare të lidhur me grupe kriminale vendase në Amerikën Latinen.

Më pas, sasia e lëndës narkotike transportohej e fshehur në produkte të ligjshme dhe tranzitohej në disa porte europiane me destinacion shtetet si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, nga ku nxirrej, trafikohej dhe shitej me shumicë nga anëtarët e organizatës drejt tregun europian i narkotikëve. Pjesa më e madhe e ngarkesave lëvizte me kontejnerë në porte të mëdha si Antverp,  Roterdam etj., të cilët shpesh shërbenin si pika kyçe për trafikun e saj në tregun evropian. Gjithashtu ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës.

Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej:

        a. Në blerjen e lëndës narkotike

        b. Në gjendje cash-i në Shqipëri

        c. Në biznese në dukje të rregullt

        d. Për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit

Për këtë operacion falenderojmë Europol, Eurojust, autoritetet e drejtësisë dhe ato ligjzbatuese të; Francës, Holandës, Belgjikës dhe autoritetet italiane (Ufficio del’ Esperto per la Sicurezza a Tirana, Squadra Mobile di Milano).

Masat e sigurimit janë dhënë për personat e mëposhtëm:
Marjus Lulaj (alias Suel Çela), –  36 vjeç, banues në Elbasan
Mario Çela – 35 vjeç, banues në Elbasan
Xhino Roka – 33 vjeç, banues në Tiranë
Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja), – 37, banues në Elbasan
Sergej Hasanpapaj – 30 vjeç, banues në Elbasan
Bruno Hazizolli – 34 vjeç, banues në Elbasan
Ledio Zabeli – 33 vjeç, banues në Elbasan
Marsel Roka – 37 vjeç, banues në Tiranë
Ado Xhika (alias Elkier Cerriku alias Ado Cerriku), –  39 vjeç, banues në Tiranë
Preke Kodra – 48 vjeç, banues në Malësinë e Madhe
Fuad Verzivolli –  48 vjeç, banues në Elbasan
Metin Mehja – 27 vjeç, banues në Elbasan
Renato Hasani – 35 vjeç, banues në Elbasan
Skender Sufaj – 34 vjeç, banues në Tiranë
Artan Hoxha – 50 vjeç, banues në Tiranë
Elton Qyno – 39 vjeç, banues në Tiranë
Pajtime Fetah – 65 vjeç, banues në Elbasan
Dedan Gjoni – 48 vjeç, banues në Tiranë
Marsel Shega (alias Bujar Shega), – 51 vjeç, banues në Tiranë
Hajdar Lala (alias Hajdar Xaka alias Hajdar Sefa) – 40 vjeç, banues në Tiranë
Blerina Beqiri –  39 vjeç, banues në Elbasan

 

 Veprat penale të dyshuara:
“Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, në dëm të Ardian Çapja, ngjarje e ndodhur në datën 08.06.2020;
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të E. K. dhe Bledar Muça.
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal”.
“Grup i strukturuar kriminal”.
“Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
“Korrupsion aktiv në sektorin privat”, i kryer në bashkëpunim. 
“Shpërdorim detyre”.
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” 

lajmi ne perditesim... 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:03
Detaji/ Grupi i Suel Çelës akuzohet se qëndron edhe pas atentatit të dështuar ndaj ‘Vis Korçarit’ në Elbasan më 2020! Dy vite më parë u kap Qosja

Elvis Koçi (Çaushallari) dhe Migert Qosja

Organizata e drejtuar nga Suel Çela në Elbasan, sipas dosjes hetimore të SPAK, e bazuar në të dhënat e zbërthyera nga përgjimet e platformës SKY ECC, dyshohet se ka krijuar kushtet edhe për atentatin e dështuar të 25 Nëntorit 2020 në këtë qytet, ndaj një personazhi të njohur.

Objektiv ishte Elvis Koçi, që mbante edhe mbiemrin Çaushllari dhe njihej me nofkën “Vis Korçari”. Për ngjarjen u arrestua dy vitë më pas (2022) si i dyshuar Migert Qosja, kurse të dhënat e hetuara aktualisht nga dosja, zbulojnë se pas ngjarjes qëndron pikërisht organizata e Çelës.

Fillimisht u raportua për një sherr mes palëve dhe më tej denigroi në një “Far West” në rrugët e qytetit, me ndjekje me makina dhe shkëmbim zjarri mes tyre.

Migert Qosja u kap më 10 Mars 2022, teksa akuzohet si autori kryesor që qëlloi ndaj “Vis Korçarit”. Ndaj Qosjes ka pasur masë sigurie 'arrest me burg' që Gjykata e kishte dhënë prej 29 nNëntorit 2020.

Në pamjet filmike të publikuara edhe në Report Tv, u panë skena si në filma aksion, ku dy automjete të pozicionuara njëra pas tjetrës, e para “Ford”, ku ndodheshin Migert Qosja, Feliks Filaj dhe Eris Çekani, ndërsa tek e dyta mjeti tip “Mazda”, ku ndodhej Elvis Çaushllari (Koçi), që i shpëtoi atentatit.

Ora 13:03
SKEDA/ Si u vra Bledar Muça në Belgjikë më 2022, SPAK: Grupi i Suel Çelës siguroi kushtet për vrasjen! Krahu i djathtë i Florenc Çapjas i shpëtoi dy atentateve

Bledar Muça, me armë në dorë dhe Florenc Çapja

Organizata e drejtuar nga Suel Çela dyshohet se qëndron edhe pas atentatit vdekjeprurës ndaj krahut të djathtë të grupit “Çapja” në Elbasan, i cilësuar edhe si killeri i tyre, Bledar Muça.

SPAK akuzon organizatën kriminale të Suel Çelës se fshihet pas vrasjes së Bledar Muçës ndodhur në janar të 2022 në Belgjikë. Në njoftimin e SPAK thuhet se ky grup  "Siguroi kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje në dëm të E. K. dhe Bledar Muça.

Vrasja e tij u bë në Belgjikë më 22 Janar të vitit 2022, teksa edhe më parë i kishte shpëtuar dy atentateve të tjera, njëri prej të cilëve në Elbasan. Muça cilësohej si njeriu më i afërt i numrit dy të organizatës, Florenc Çapja, që fshihet në Dubai. Për këtë vrasje SPAKa ka lëshuar urdhërarrest 'arrest me burg' edhe për Sergei Hasanpapaj, i arrestuar në Belgjikë. Po për të njëjtë ngjarje, në tetor të këtij viti u arrestua Marsel D. 43-vjeçari u arrestua në aeroportin e Valencias. Mediat belge ishin ato që zbuluan se bëhet fjalë për shqiptarin Marsel D., i kërkuar për vrasje në Belgjikë, më 22 janar 2022 në Aartselaar. Ai ndihmoi ekzekutorët duke u treguar lëvizjet e Muçës.

Kush ishte Bledar Muça

Bledar Muça me origjinë nga Peshkopia, ishte lindur dhe i rritur në Elbasan. Emri i tij është i përfshirë në vrasjen e Ilir Rexhepit në Elbasan, por asnjëherë nuk u arrestua apo vuajti ndonjë dënim, pasi u arratis në Greqi dhe më pas në Belgjikë.

Më 2016 Muça u dënua me 2 vite burgim nga Gjykata e Elbasanit për goditjen me armë të dy efektivëve të Grupit të Operacioneve Speciale në Policisë e Shtetit, goditje kjo që është kryer gjatë detyrës së tyre, teksa po mbanin në vëzhgim situatën në lagjen e Çapjave në Elbasan. Muça u filmua nga kamerat e sigurisë ehde me armë në dorë.

Në shkurt 2016,  Bledar Muça e Florenc Çapja i shpëtuan një atentati në Elbasan, ku mbetën të vrarë  Agron Çapja, Eno Bedalli dhe Ardit Sinakolli, si dhe u plagosën 6 të tjerë, teksa po qëndronin në lokalin e tyre “Universe”. Edhe në muajin Qershor 2016, Bledar Muça dhe Florenc Çapja u bënë shënjestër e një atentati që i mbijetuan. Makina antiplumb i shpëtoi nga plumbat.

Në muajin Maj 2020, Bledar Muça aksidentoi gardianin Hekuran Pisha. Pisha po udhëtonte me motorin e tij, kur është përplasur nga makina e Bledar Muçës. 24 orë nga arrestimi, Muça është lënë sërish i lirë.

Derisa më 22 Janar 2022, u ekzekutua me breshëri automatiku brenda makinës së tij në Anverp të Belgjikës, ku dhe fshihej prej kohësh.

Ora 12:48
SPAK: Suel Çela organizoi atentatin me snajper ndaj Ardian Çapjas në 8 Qershor 2020! Ishte kreu i grupit kundërshtar! Detaje si i mbijetoi sulmit të tretë

Ardian Çapja, vila ku ndodhi sulmi dhe snajperi i djegur pas atentatit

SPAK e akuzon organizatën e Suel Çelës edhe për atentatin e dështuar me snajper ndaj Ardian Çapjas.

Ky i fundit cilësohet edhe si kreu i organizatës kriminale “Çapja” në Elbasan, teksa i ka shpëtuar disa atentateve, mes tyre edhe me antitank.

Një prej sulmeve ishte plagosja me një armë snajper nga distanca, në oborrin e vilës së tij, në periferi të qytetit.

Krimi ndodhi më 8 ershor të vitit 2020 dhe ky ishte atentati i tretë që i mbijetonte. 55-vjeçari u qëllua me armë zjarri, snajper ushtarak në një atentat të mirë organizuar, pranë shtëpisë, ngjitur me hotel 'Univers'-in në pronësi të tij, në hyrje të qytetit të Elbasanit, zona e Krastës. Për këtë ngjarje SPAK akuzon kreun e grupit rival, Suel Çela, që gjithashtu bashkëpunonte me grupin tjetër Çopja.

Pavarësisht se zona kontrollohet nga familja Çapja ku të gjitha lëvizjet monitorohen me kamera sigurie, autorët arritën që të depërtojnë për herë të tretë, por nuk ia arritën qëllimit. Çapja u përpoq ta mohonte, por Policia gjeti më tej prova, teksa zbuloi edhe një makinë që po digjej pak minuta ps krimit.

Nga fishekët që shpërthyen në mjet u lëndua edhe një efektiv policie. Në makinë u gjet edhe një armë e djegur, që u tha se ishte snajperi i përdorur për qitje.

 

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Ciceron/ ‘Artisan Fest Tirana’, te Pazari i Ri! ‘Drit’n e syve m’dha flamuri’ në teatrin ‘Migjeni’, Shkodër! ‘Tumja e Kajes’ shfaqet në Kukës

Ciceron/ ‘Artisan Fest Tirana’, te Pazari i Ri! ‘Drit’n e syve m’dha flamuri’ në teatrin ‘Migjeni’, Shkodër! ‘Tumja e Kajes’ shfaqet në Kukës