TURQI - Ministria turke e Drejtësisë dhe zyrat e partisë në pushtet AKP, janë sulmuar në Ankara me mjete të improvizuara shpërthyese, dy ditë para armëpushimit të paralajmëruar me kryengritësit kurdë.

Sipas kameramanit të Reuters, si rezultat i sulmit janë dëmtuar dritaret e zyrave të AKP-së në katin e shtatë ku ndodhen edhe zyrat e kryeministrit turk Recep Tayip Erdogan, ndërsa dy bomba të tjera kanë shpërthyer përpara Ministrisë së Drejtësisë e cila ndodhet disa kilometra larg. Nga sulmet mbetën të plagosur dy persona.

Kryeministri Erdogan i cili ndodhet në një vizitë në Danimarkë ka komentuar sulmin si një goditje kundër demokracisë.

Ndërsa ministri i punëve të jashtme Muammer Guler tha se prapa këtyre sulmeve mund të qëndrojë “Ergenekon”, një grup ekstrem i djathtë, që dekadat e fundit është akuzuar për një sërë sulmesh me bombë dhe vrasjesh duke u konsideruar edhe si zemra e dhunës politike në vend.

Policia ka arritur të arrestojë dy persona të dyshuar për pjesëmarrje në sulmet në Ankara.

Turqia është në konkflit të vazhdueshëm me aktivistët e Partisë Separatiste kurde, që prej 25 vjetësh, në të cilin kanë humbur jetën më shumë se 40.000 persona.


(ad.ti/l.ç/shqiptarja.com)