Ankaraja dhe Athina duan një verë pa konflikte

Ankaraja dhe Athina duan një verë pa konflikte

Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu dhe homologu grek, Nikos Dendias

Rrallë kaloi kaq pa tensione një takim mes ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Çavuşoglu dhe homologut grek, Nikos Dendias, si ai që u zhvillua të hënën (31.05) në Athinë. Asnjë tensionim si në takimin e prillit në Ankara, ku dy ministrat u konfliktuan para kamerave, por as edhe ndonjë harmoni e madhe. A janë të gatshme të dyja vendet papritur që të diskutojnë problemet e tyre bilaterale dhe të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme? Nuk duket kështu. Vetëm se pas verës së vështirë 2020, kur të dyja vendet anëtare të NATO-s, Greqi-Turqi ishin fare pranë përplasjes ushtarake, kësaj here dëshira për një verë pa konflikte është e madhe.

Grindja greko-turke verën e kaluar kishte si shkak kërkimin për gaz të palës turke në Egje, në pjesë të Egjeut, që Athina i konsideron si "zonë ekskluzive ekonomike" të Greqisë. Por këtë verë të dyja vendet kanë nevojë për një sezon turistik të suksesshëm. Pas gati një viti e gjysmë në pandemi, kjo është kthyer në një çështje të mbijetesës për këtë degë të ekonomisë. Nuk është rastësi që ministrat grekë theksuan, se ata kishin rënë në ujdi për njohjen e dyanshme të certifikatave Covid-19, me qëllim që të vaksinuarit, dhe të testuarit negativisht nga të dyja vendet të udhëtojnë pa probleme. Pritet që kjo t'i japë një shtysë turizmit në Egje.

Konflikti greko-turk në Mesdheun lindor ishta para shkallëzimit ushtarak vitin e kaluar

Kësaj i shtohet që Ankaraja dhe Athina duan t'i demonstrojnë botës jashtë, se janë të gatshme për dialog. Greqia prej kohësh nuk dëshirohen që të perceptohet nga shoqëria turke si një rrezik. Edhe Turqia nuk dëshiron të shfaqet si kërcënim, sepse presidenti turk, Erdogan ka interes të madh, që të përmirësojë marrëdhëniet me BE, të zgjerojë unionon doganor, dhe të marrë më shumë fonde për refugjatët sirianë në vendin e tij. Për këtë është i nevojshëm çtensionimi në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Rendezvous në samitin e NATO-s

Javën e kaluar ishte Erdogan që këmbënguli për një takim me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis. Më në fund u ra dakord për një takim më 14 qershor, kurse nga "rendezvous" në kuadër të samitit të NATO-s në Bruksel nuk pritet shumë. Në rastin më të mirë do të ketë një zgjatje të çtensionimit të gjendjes në Egje dhe në Mesdheun Lindor, por bisedime të vërteta për zgjidhje të qëndruesme të problemeve mes dy vendeve nuk duken në horizont, kjo edhe sepse Erdogan nuk ndonjë interes të madh për këtë.

Rruga e gjatë drejt Hagës

Për uljen e qëndrueshme të tensioneve mes dy vendeve, presidenti turk duhet të guxonte të hynte në rrugën e gjatë të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, që do nënkuptonte njohjen më në fund nga ana e Turqisë të së drejtës ndërkombëtare detare. Përveç kësaj Turqia do duhej të pranonte me këtë edhe vendimet e ardhshme të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për grindjen greko-turke. Edhe për qeverinë greke nuk do të ishte i lehtë një vendim i kësaj gjykate, sepse dihet që Athina nuk do të merrte gjithçka që dëshiron nga gjykata. Përsa i përket ujërave, pjesës kontinentale dhe zonës ekskluzive ekonomike, kufijtë detarë greko-turq nuk janë aspak aq të palëvizshëm, siç pretendon gjithmonë qeveria konservatore në opinionin publik grek.

Rezistenca e "patriotëve"

Edhe për këtë kryeministri Mitsotakis nuk është i gatshëm, që të ngrihet kundër të ashtuquajturve patriotë në partinë e tij dhe në shoqërinë greke që të arrijë një zgjidhje me Turqinë. Konservatori Mitsotakis e kujton shumë mirë, se sa e thjeshtë ishte ta diskreditonte paraardhësin e tij të majtë, Aleksis Tsipras në Greqi si tradhtar, pasi ai nënshkroi Marrëveshjen e Prespës me Maqedoninë e Veriut.

Një problem tjetër mes Athinës dhe Ankarasë është edhe çështja e pakicës myslimane në Trakinë Perëndimore greke. Statusi i tyre është rregulluar me Marrëveshjen e Lozanës në vitin 1923, që i përcaktonte në mënyrë të përgjithshme si myslimanë qytetaret/ët grekë me origjinë turke, pomake, dhe rome. Shteti grek ende i mbetet këtij përcaktimi deri më sot. Kur Erdogan vizitoi më 8 maj 2004 për herë të parë qytetarët turq në Traki tha: "Dua t'u them vëllezërve të mi që jetojnë këtu, se ata duhet të punojnë për një Greqi të fortë. Sa më e fortë është Greqia, aq më të lumtur do të jeni edhe ju."

Por që atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra, së pari vetë presidenti turk. Ndërkohë Erdogan përpiqet rregullisht t'i instrumentalizojë myslimanët në Greqi dhe pretendon, se "të drejtat e njeriut të pakicës turke nuk respektohen nga shteti grek." Ministri i Jashtëm turk, Çavuşoglu e vizitoi privatisht Trakinë më 30 maj, gjë që shkaktoi artikuj të zemëruar në shtypin konservator grek, por ai ishte i kujdesshëm në deklaratat e tij me Trakinë. Nga ana e tij ministri i Jashtëm grek, Dendias e injoroi këtë vizitë private. Rrjedhoja: vizita e Çavuşoglut kaloi pa konflikte në Athinë./ Marrë  nga Deutsche Welle

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Avokati që kallëzoi Këlliçin në SPAK: Dënohet deri në 6 vite burg, ka prova që falsifikoi diplomën! Mohoi edhe bashkëjetuesen

Avokati që kallëzoi Këlliçin në SPAK: Dënohet deri në 6 vite burg, ka prova që falsifikoi diplomën! Mohoi edhe bashkëjetuesen