Në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po mbahet sot seanca për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hysenin, pasi ajo kishte ankimuar masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ të vendosur më herët ndaj saj. Hyseni nuk është paraqitur vetë në Apelin e GJKKO-së, por do të përfaqësohet nga avokati i saj.

Më herët është zhvilluar edhe seanca për masat e sigurisë për Embro Sulejmanin, menaxher i agroturizmit “Kodra e Kuajve”, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit dhe Fatjon Kalluçi, përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore nën hetim për zbulim të akteve ose të dhënave sekrete, të cilët dyshohet se janë pjesë e dosjes së Vlora Hysenit.

Sulejmani dhe Kalluçi kanë ankimuar masat e sigurisë ‘arrest me burg’ të vendosura më herët nga Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme.

Apeli i GJKKO-së ka ndryshuar masën e sigurisë për Embro Sulejmanin, nga ‘arrest në burg’, në ‘detyrim për t’u paraqitur’ dhe ‘ndalim për dalje jashtë shtetit’.

Embro Sulejmani, është përfaqësuar nga avokatët Andi Skënderi dhe Ajola Prençi, ndërsa vendimi është marrë nga gjyqtari Florjan Kalaja.

Ndryshe ka vendosur Apeli për Fatjon Kalluçin, për të cilin nuk e ndryshoi masën, por e la në ‘arrest në burg’. Ndërkohë, po sot shqyrtohet çështja e Vlora Hysenit, për të cilën seanca në Gjykatën e Posaçme të Apelit është caktuar sot në orën 13:00.

Kujtojmë se ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ ankimoi masën pa mbushur ende një javë nga ndalimi i saj për veprat penale të përkrahjes së autorit të krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror.

SPAK dyshon se Hyseni ka bashkëpunuar me Ergys Agasin, i cili është arrestuar më herët për çështjen e AKSHI-t, duke e pajisur këtë të fundit me të dhëna që përbëjnë sekret shtetëror.