Sipas policisë është sulmuar fugoni dhe dy efektivë të cilët po shoqëronin një trafikant të sapo arrestuar për posedim të 22 kilogramë kanabis. Ngjarja është shënuar në fshatin Vrin të Sarandës ku 26 vjeçari Ermir Idrizllari është arratisur nga furgoni i policisë i ndihmuar nga bashkëfshatarët e tij.
Report Tv ka mësuar se teksa efektivët që ishin në operacion po kryenin kontrolle në disa banesa, disa të njohur të Ermir Idrizllarit i janë afruar fugonit të policisë kanë sulmuar dy policët që po ruanin të arrestuarin dhe e kanë marrë atë me pranga në duar duke u larguar. Për rastin në fjalë kanë nisur hetimet nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Policinë e Shtetit pasi ka rezultuar se me veprimet dhe mosveprimet e tyre efektivët kanë ndikuar në arratisjen me pranga të 26 vjeçarit.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se dy efektivët në shërbim nuk kanë përdorur armët duke i dhënë mundësi grupit të banorëve që kanë sulmuar furgonin e policisë të marrin pa problem të arrestuarin nga furgoni dhe të largohen me një makinë duke humbur gjurmët.
Pas ngjarjes së Elbasanit në 18 shtator të këtij viti, kur automjeti i zv/drejtorit të policisë, Gjergji Oshafi u godit nga një "Audi" i blinduar me drejtues Enea Bekteshin dhe në pronësi të biznesmenit Petrit Çela, edhe arratisja e të prangosurit nga furgoni i Policisë së Sarandës ngre mjaft hije dyshimi mbi profesionalizimin e punonjësve të Policisë së Shtetit.
VIDEO/ Policia sekuestron 39 kg kanabis ne Vlore dhe Sarande, arrestohen 6 persona
Njoftimi i plotë i policisë:
Policia Sarandë ka shpallur në kërkim shtetasin E.I., 26 vjeç, pasi në banesën ku jeton me babain, shtetasin Mustafa Idrisllari, i janë sekuestruar 22 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa. Ai po ashtu në bashkëpunim me shtetasin Kosta Pashaj i kanë marrë me dhunë 30.000 lekë shtetasit F.M.
Shtetasi E.I u shoqërua prej shërbimeve të policisë, por ka mundur të largohet i prangosur nga mjeti i policisë, me ndihmën e disa banorëve. Policia e Vlorës dhe Sarandës po vijojnë punën intesivisht për kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat kanë nisur verifikimet për punonjësit e policisë, që me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë sjellë pasojë, largimin e 26-vjeçarit. Policia e Shtetit fton çdo qytetar që ka informacion apo konstaton veprimtari antiligjore të telefonojë falas ne numrat 112 dhe 129, duke garantuar anonimatin dhe një reagim të shpejtë dhe të ashp
Aksionet e tjera antikanabis nga policia në Qarkun e Vlorës
Vlorë
Policia sekuestron 39 kilogram Cannabis Sativa në Vlorë e Sarandë, arrestohen 6 persona, 1 në kërkim.
Policia e Vlorës në vijim të punës së saj për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e të gjitha rasteve të veprimtarive të ndryshme kriminale si dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të tyre ka ushtruar disa kontrolle ndaj shtetasve të ndryshëm e në banesat e tyre për të cilët ka patur informacion se ushtronin aktivitetin kriminal të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
I. Ditën e djeshme, në vijim të procedimit penal nr.1322, viti 2017 që ndiqej me metoda speciale të hetimit, specialistët e Seksionit kundër narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin:
Erjon Danaj, 33 vjeç, banues në Kotë; gjatë kontrollit që është ushtruar në banesë, në oborr i janë gjetur dhe sekuestruar 2 thasë sintetikë, të dyshuar me lëndë narkotike Cannabis Sativa, në total 9.7 kg.
II. Në Sarandë, specialistët e Seksionit kundër trafiqeve dhe narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasit:
Mustafa Idrisllari, 56 vjeç, banues në Vrinë; pasi në banesë i janë gjetur dhe sekuestruar 22 kg Cannabis Sativa. Ai ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë gjatë kontrollit në banesë.
Feti Idrisllari, 59 vjeç, banues në Vrinë, (ka kundërshtuar punonjësit e policisë);
Asllan Pashaj, 57 vjeç, banues në Vrinë; gjatë kontrollit të ushtruar i janë sekuestruar 3.7 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, si edhe ka kundërshtuar punonjësit e Policisë.
Fiqirije Pashaj, 54 vjeçe, banuese në Vrinë, (kundërshtoi punonjësit e policisë si edhe ka favorizuar shtetasin e shoqëruar të largohet prej mjetit të policisë);
Kosta Pashaj, 26 vjeç, banues në Vrinë; gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur e sekuestruar 3.4 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, si edhe dyshohet se i ka marrë me dhunë 30.000 mijë lekë shtetasit F.M.
Redaksia Online
J.Sh/Shqiptarja.com