Në një mbledhje të mbushur plot debat, deputetët e mazhorancës votuan pro draftit, i cili ka mbi tri muaj që diskutohet në komisionet e parlamentit, duke hapur rrugë që kjo paketë të kalojë për në seancë plenare.
Drafti
Pavarësisht se ky draft përbëhet vetëm nga katër nene, në to është parashikuar që të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit, duke filluar që nga presidenti deri tek më i thjeshti, të futen nën lupën e kontrollit të veprimtarive të korrupsionit pasiv apo aktiv. Sipas relacionit bashkangjitur këtij drafti, theksohet se në nenin 3 të tij është bërë një shtesë në ligjin e vitit 2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të shtohet edhe vepra penale e korrupsionit.
Kësisoj, korrupsioni do të cilësohet tanimë si një krim i rëndë. Pavarësisht se nuk është përfshirë rritja e viteve të dënimit, kjo paketë parashikon që në bazë të hetimit të bëhet e mundur edhe konfiskimi i aseteve personale të zyrtarëve të korruptuar. Konkretisht një person do të dënohet për korrupsion deri në 7 vjet, por krahas kësaj do t’i bëhet edhe sekuestrimi i të gjitha aseteve kriminale. Drafti parashikon edhe hetimin e personave të afërt të zyrtarit të hetuar. Konkretisht, në relacion parashikohet një numër i gjatë personash që futen nën lupën e hetimit për korrupsion.
Konkretisht të afërm si: “a- Bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, ungjërit, emta, nipërit, mbesat, fëmijëve të vëllezërve dhe të motrave, vjehrrit, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri, thjeshtra, njerku dhe njerka; b-personave fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, a janë përdorur, kanë lehtësuar apo në një formë kanë ndikuar në kryerjen e veprimtarive të jashtëligjshme nga persona subjekte të këtij ligji. Masat parandaluese mund të kërkohen edhe ndaj trashëgimtarëve të personit, subjektit të këtij ligji, por në çdo rast, jo më vonë se 5 vjet nda data e vdekjes”.
Ligji parashikon gjithashtu se një pjesë e mirë e veprave penale të korrupsionit do të shkojnë ne Gjykatën e Krimeve të Rënda ose në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Konkretisht, në këto dy organe do të shkojnë vetëm veprat penale të korrupsionit, të cilat janë kryer nga zyrtarë të lartë dhe jo më nga nëpunës të thjeshtë të administratës. Pjesë e këtij hetimi do të jenë edhe vetë gjyqtarët dhe prokurorët, pasi kjo paketë parashikon që edhe organet e hetimit apo gjyqësorit të jenë pjesë e hetimit.
Debati
Mbledhja e djeshme e Komisionit të Sigurisë u përfshi nga një debat i ashpër ndërmjet opozitës dhe mazhorancës. Deputeti i PD-së, Flamur Noka theksoi dje, se qeveria nëpërmjet këtij drafti nuk synon që të luftojë korrupsionin, por po tenton që të kap institucionet e hetimit dhe gjyqësorit me argumentin se në ligj janë përfshirë edhe rastet e korrupsionit nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Krahas kësaj, Noka vijoi duke hedhur akuza se në draft nuk janë përfshirë rastet e hetimit të ministrave dhe kryeministrit, gjë e cila u mohua nga ana e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço.
Sipas Naços, paketa e propozuar nga qeveria përfshin hetimin nga Presidenti i Republikës, që është edhe zyrtari më i lartë i shtetit deri tek nëpunësit e administratës, por duke saktësuar se për punonjësit e thjeshtë, rastet e hetimit nuk do të bëhen në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në fund të mbledhjes, opozita nuk i bashkoi votat me mazhoracën duke mos u bërë pjesë e paketës anti-mafia të qeverisë.
Gjosha: Zbatimi i 5 prioriteteve është parësor
Zbatimi i 5 prioriteteve të paraqitura nga Bashkimi Europian është angazhimi kryesor i qeverisë në rrugën e integrimit në BE. Këtë deklaratë e ka bërë ministrja e Integrimit Klajda Gjosha gjatë zhvillimit të takimit të pestë të Komitetit të Stabilizim Asociimit. Ministrja Gjosha tha se vendi ynë shpreh vullnet për të përmbushur këto prioritete, ndërsa theksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për realizimin e reformave.
“Shqipëria po bëhet gati për të përmbushur 5 prioritetet kyçe që na janë paraqitur në progres raportin e BE-së. Do përmbushim prioritetet që na janë kërkuar. Shprehim vullnet për t’i përmbushur ato. Po punojmë në detaje për 5 prioritetet. I dimë sfidat që na presin në kuadër të integrimit europian. Janë marrë masa për të luftuar krimin dhe korrupsionin”, tha ministrja e Integrimit Klajda Gjosha.
Bylykbashi: Rama bllokoi informacionin mbi administratën publike
Partia Demokratike ka vijuar dje me akuza të reja ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me largimet që janë bërë në administratën publike. Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi theksoi se kryeministri Rama ka bllokuar çdo informacion për largimet që janë bërë në administratën publike. “Kryeministri Rama ka frikë nga publikimi i së vërtetës skandaloze, që ka prekur rreth 7 mijë nëpunës të administratës dhe familjet e tyre, dhe pritet të prekë mijëra të tjerë. Ai ka frikë nga reagimi i opinionit publik dhe protesta qytetare”,- theksoi Bylykbashi në deklaratën e tij.
Shkrimi u publikua sot (19.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)