Aksionet e policisë kundër drogës nuk kanë të pushuar. Gjatë ditës së djeshme janë gjetur dhe djegur lëndë narkotike në Lezhë, Krujë, Tepelenë dhe Vlorë. Kështu në vazhdën e aksioneve të policisë dje janë asgjësuar qindra rrënjë kanabis sativa në fshatin Skuraj në komunës Milot në Kurbin. Lënda narkotike u asgjësua rreth orës 13:00 në një zonë malore, ndërsa sipërfaqja ku ishin mbjellë 1837 rrënjë canabis është rreth 6 dynym. Policia e Lezhës përmes një komunikate për shtyp bëri me dije, se kishte marrë sinjalizime me herët për lëndën narkotike,ndërsa gjatë këtyre ditëve ndërmori aksionin blic.

Lënda narkotike ishte e mbjellë në tokë pyll pa pronar. Ndërkaq në Krujë përgjatë kontrolleve të ushtruara në territor policia ka evidentuar edhe dy raste të tjera të mbjelljes së drogës, në 20 parcela në fshatrat Greps dhe Bruz Mal të Krujës. Në total sasia e bimëve narkotike të kultivuara e asgjësuara është 2150 rrënjë.

Në Vlorë, policia ka zbuluar dhe asgjësuar 2 parcela të mbjella me 100 bimë narkotike kanabis sativa. Parcela u zbulua e mbjellë në fshatin Mekat-1 të komunës Shushicë në Vlorë. Në Tepelenë është arrestuar Pajtim Kanani, pasi në vendin e quajtur Moçalet e Kananit, në luginën e përroit të Dames, në pronësi të të arrestuar, janë gjetur 130 rrënjë kanabis sativa të kultivuara.