Tre figura të Partisë Demokratike të Kosovës pritet të garojnë për postin e kryetarit, pas vendimit të Bedri Hamzës për t'u larguar nga drejtimi i partisë. Bëhet fjalë për Enver Hoxhajn, Uran Ismailin dhe Përparim Grudën.
Sipas mediave në Kosovë, procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri do të mbikëqyret nga Vlora Çitaku.
Hoxhaj ka kohë që po përpiqet të rikthehet në krye të PDK-së. Ai drejtoi partinë pas dërgimit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit në Hagë. Rezultati i PDK-së në zgjedhjet e vitit 2021, gjatë drejtimit të tij, ishte i dobët ndërkohë që partia po kalonte një nga periudhat më të vështira.
Bedri Hamza e mori drejtimin e PDK-së pas atij rezultati zgjedhor. Gjatë drejtimit të tij, partia arriti të ndalte rënien e mbështetjes dhe të shënonte një rritje modeste.
Megjithatë, në zgjedhjet që pasuan nuk shënoi përparim të ndjeshëm.
Mediat në Kosovë thonë se Hamza u përball me më shumë procese zgjedhore sesa kishte parashikuar, ndërsa PDK-së iu desh ta zhvillonte aktivitetin politik në kushtet kur ish-drejtuesit e saj, Thaçi dhe Veseli, ndodheshin në Hagë. Kjo shihet si arsye pse ai vendosi të largohej pasi arriti në përfundimin se qëndrimi i mëtejshëm në krye të partisë nuk do ta ndihmonte PDK-në.
Lajmi kryesor:
Kosovë/ Bedri Hamza jep dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i PDK-së: Do të jem votues besnik deri në fund të jetës!





