TIRANË – Antiparazitari i kafshëve “Boldemec L.A” nuk gjendet në farmacitë veterinare në Shqipëri, në radhë të parë, për shkak të kostos së tij të lartë financiare e së dyti, për shkak të ligjit shqiptar që e ka ndaluar tregtimin e tij.

Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit ka dalë sot zyrtarisht me një deklaratë, nëpërmjet së cilës bën të ditur se “nuk është konstatuar në asnjë rast prezenca e Boldemec L.A. pas kontrolleve mujore të ushtruara nga shërbimet veterinare në depot farmaceutike veterinare me shumice si dhe në farmacitë veterinare në qarqe, kontrolle të ushtruara edhe nga dy misionet e zyrës së FVO-së në vitet 2010 dhe 2012”.

“Substanca Boldenon”, - bën të ditur ministria, duke bërë njëherësh edhe historikun e shfaqjes së saj në vendin tonë -“është klasifikuar në substancat hormonale tirostatike, të cilat janë të ndaluara me ligjpër t’u tregtuar në Republikën e Shqipërisë dhe disa urdhra.

“Boldemec LA” është regjistruar nga kompania peruane “AGROVET”, me përfaqësi subjektin tregtar “PMV MILIFAR” për t’u përdorur si antiparazitar në kafshë. Preparati është importuar në Shqipëri nga kjo kompani, në shtator të 2007-ës, në një sasi prej 4000 flakonësh. Nga kjo sasi, deri në momentin e daljes së urdhrit të parë për ndalim janë tregtuar rreth 600 flakonë dhe sqarojmë se pas vitit 2009, nga kompania “MILIFAR” nuk është tregtuar asnjë flakon. Kjo dhe për faktin, se ky medikament me efekt antiparazitar ka qenë në vlerë financiare më të lartë se shumë medikamente të tjera.

Në qershor 2010, “Boldemec L.A” ka skaduar dhe 3481 flakone, kompania i ka pasur stok jashtë përdorimit e me mirëkuptimin e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, janë ruajtur në ambientet e saj.

Ndërkohë, siç dhe dihej, në inventarin e ushtruar në muajin dhjetor në kompaninë “MILIFAR” u gjet e paprekur, gjendja e stokut e flakoneve të Boldemec, e cila u sekuestrua dhe u magazinua në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë Tiranë. Kjo sasi do të asgjësohet brenda pak ditëve në inceneritorin e specializuar të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare.

Pas debatit te lindur nga disa media ne lidhje me prezencën e Boldemec-ut në farmacitë veterinare, përgjatë ditëve 25 dhe 26 shkurt janë urdhëruar Shërbimet Veterinare për të bërë kontrollet fizike për prezencën e “Boldemec”-ut ne depot dhe farmacite veterinare. Nga kontrollet rezultoi se në qarkun Shkodër nuk është gjetur “Boldemec L.A”, as në qarkun e Elbasanit ku janë kontrolluar 15 farmaci veterinare”.

“Në kontrollet e ushtruara nga Shërbimet Veterinare rajonale në datat 25 dhe 26 shkurt 2013”, - përfundon deklarata e Ministrisë së Bujqësisë, -“ në shkallë vendi, duke përfshirë 12 depo farmaceutike dhe 108 farmaci veterinare rezulton se nuk ka “Boldemec L.A”, qoftë fizikisht apo dhe të dokumentuar.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)